A loboi ministri i Jashtëm Ditmir Bushati kundër Ilir Metës në SHBA?
Vizita e fundit në Amerikë e ministrit të Jashtëm, Ditmir Bushati rikthen edhe një herë dyshimet për lojë të dyfishtë në koalicionin qeverisës, PS-LSI. Këtë herë zëra dhe teoritë konspirative vijnë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Një portal me qendër në SHBA, i quajtur “Eurasia Revieë”, ka publikuar një artikull për marrëdhëniet mes Edi Ramës dhe Ilir Metes. Portali është një publikim i kompanisë amerikane ‘Buzz’, me qendër në Oregon të SHBA-ve. Autori i shkrimit është shqiptaro-amerikani, Peter Tase, i cili shkruan se kryediplomati shqiptar, Ditmir Bushati ka ndërmarrë një seri fushatash jashtë vendit për “të njollosur reputacionin e mirë dhe në rritje tek ndërkombëtarët të Ilir Metës”. Ai shkruan se “Meta ka fituar mbështetje të admirueshme në komunitetin ndërkombëtar. Eksperienca në qeveri dhe parlament e ka bërë atë një partner të qëndrueshëm”, shkruan më tej ai. Sipas artikullit të përkthyer dje në të gjitha mediat kryesore online në Tiranë dhe Prishtinë, në vizitën e tij në Uashingon Ministri i Jashtëm Bushati ka pasur si qëllim lobimin kundër Ilir Metës. Kjo akuzë ndaj ministrit të jashtëm gjithnjë sipas mediave online dhe Express të Kosovës, e cila mbetet media online më e lexuar, e cila i është referuar portalit të sipërpërmendur.
“Gjatë vizitës aktuale në Uashington, Bushati nuk pushoi së njollosuri imazhin e zotit Meta si politikan dhe si një arritës i vërtetë marrëveshjesh”,- thuhet në artikull. Autori Peter Tase përmend dhe takimet që ka kryer në SHBA ministri Bushati, në të cilat, sipas tij, është folur kryesisht kundër aleatit kryesor në koalicionin qeveritar. Pra vetëm kundër Ilir Metës, pasi qëndrimet ndaj opozitës pala amerikane i ka të qarta.
“Gjatë takimeve me kongresmenët Eliot Engel dhe Ed Royce, me zyrtarët e Departamentit të Shtetit, përfshi ambasadoren Victoria Nuland, Bushati u fokusua në rritjen e popullaritetit për Ramën dhe kërcënimin e reputacionit ndërkombëtar të zotit Meta. Fokusi kryesor i administratës së Ramës janë bërë shpifjet dhe denigrimi i lidershipit të mirëmaturuar të Ilir Metës dhe partisë së tij. Në fakt, Meta po shfaqet si një lider i vërtetë i socialistëve shqiptarë dhe një avokat autentik i klasës së mesme dhe një mbështetës i lehtësimit të taksave për biznesin e vogël”,- thuhet në artikullin e publikuar nga media amerikane. Por jo vetëm e kësaj kategorie, kryesisht shtresave të majta të varfëra. Dueli mes PS e LSI duket se po vlon si llava e vullkanit, i cili fillon të nxjerrë tym dhe më pas shpërthen. “Tymin” e lëshoi në SHBA ministri Bushati. Pritet “llava” të dalë nga LSI !
Nga datat 25 deri në 29 shkurt ministri i Jashtëm Ditmir Bushati zhvilloi takime intensive në shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në njoftimet publike të Ministrisë së Jashtme thuhet se që qendër të takimeve kanë qenë bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe SHBA, si dhe reformat për procesin e integrimit të vendit. Pretendimet e ngritura në sajtin amerikan sjellin një pamje tjetër të axhendës së numrit një të diplomacisë shqiptare. Një axhendë që është shqetësuese për shumë arsye.
Së pari, sepse kemi të bëjmë më një keqpërdorim të misionit të Ministrisë së Jashtme. Diplomacia shqiptare ka objektiva të tjerë që kanë të bëjnë me mbrojtjen e interesave të vendit. Në rast se pretendimet janë të vërteta, atëherë ministri i Jashtëm e ka kthyer institucionin në një seksion partiak që punon për pazare politike. Mes SHBA dhe Shqipërisë ka marrëdhënie të shkëlqyera, por që gjithmonë ka nevojë për të njohur dimensione të reja. Në rastin konkret duket se kemi një ministër që shpenzon kohën, fondet e ministrisë dhe autoritetin si përfaqësues i Tiranës zyrtare, jo për të punuar për qeverinë, por për të sulmuar një politikan dhe një forcë politikë në Shqipëri. Ky është shpërdorimi më i madh që mund ti bëhet vetë Ministrisë së Jashtme, por edhe marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Të takohesh me Ndihmës Sekretaren e Shtetit, Victoria Nuland dhe në vend t’i flasë për projekte me SHBA, i shkon me një dosje kundër Ilir Metës apo kundër çdo politikani tjetër shqiptar është tallje që zyrtarët tanë bëjnë me vetë shtetin. Drejtësia vendoset në Shqipëri dhe nga drejtësia shqiptare, e cila është në proces reformimi edhe me zhvillimet e reja.
Së dyti, që kjo histori me nuanca konspiracioni të mos kthehet në një gangrenë të koalicionit është koha që kreu i diplomacisë shqiptare të sqarojë pozicionin e tij. Ditmir Bushati duhet të tregojë nëse në SHBA ishte me axhendë personale, apo kishte dhe miratimin e Kryeministrit Edi Rama. Në rast se kemi të bëjmë me një axhendë personale, mënyra më e mirë e kreut të qeverisë për t’u distancuar është largimi i Ministrit të Jashtëm nga detyra. Por pak gjasa ka që ministri Bushati të ketë folur pa lejen e kryeministrit Rama, duke ditur se ai nuk është Saimir Tahiri apo Ben Blushi të cilët kanë integritetin e tyre personal në PS.
“Llava” e vullkanit që po del nga gryka e malit, “mal” në të cilin ndodhet edhe Edi Rama ,edhe Ilir Meta mund të djegë mandatin qeverisës të koalicionit.
I pyetur mbrëmë nga “Koha Jone” ministri Bushati në lidhje me akuzën e sipërshkruar nga portali amerikan ai tha shkurt :” Sajesa të ulëta”. Ndërsa nga selia rozë u munduan ta zbusin duke pohuar se “ Ilir Meta është aleati ynë korrekt dhe pa LSI jemi të humbur si e majtë”.
A vlejnë këto deklarata të PS-së dhe ajo e ministrit të Jashtëm? Mbetet të shikojmë “llavën” që do të shtohet në ditët e debatit për Reformën në Drejtësi.