Loja e Edi Ramës për numrin 71 dhe si duhet të jetë Opozita e Bashës

Nga Nikoll Lesi.

Praktikisht fushata elektorale për zgjedhjet e qershorit 2017 ka filluar. Qeveria po vë gjithçka në funksion të këtyre zgjedhjeve parlamentare. Flitet për pushtetin ekzekutiv, por paralel me to është dhe zgjedhja e Presidentit të Republikës. Presidenti zgjidhet në qershor të vitit të ardhshëm. Edi Rama, ndonëse me ligjin e importit të plehrave bëri një gabim taktik fatal 9 muaj para zgjedhjeve, por përsëri  nëse futet me Ilir Metën në zgjedhje, i fiton. Nuk dihet ende se si do të luajë LSI, pavarësisht se gjasat janë për rivazhdim të koalicionit PS-LSI. Por nuk dihet saktësisht sepse asnjëri nuk i beson tjetrit.

Ndërkohë Edi Rama po luan në prapaskenë duke e pompuar partinë PDIU të çamëve. Po u jep gjithçka ata kërkojnë; drejtori të rëndësishme ku ka para e punësime. Synon ti rrisë si faktor politik në zgjedhjet e ardhshme që të dyfishojnë numrin e deputetëve, pavarësisht se është një utopi, humbje kohe e energjish, realisht. Çamët e kanë elektoratin e tyre të përcaktuar që lëviz nga dy deri në tre deputetë, maksimumi. Ajo puna e Dibrës ku u fol se ishin çamët të cilët dhanë fitoren duhet të jemi të sinqerte me veten se nuk ka këmbë çami atje, por ishin interesat e pushtetit dhe të parasë që u hodh me thasë për blerje votash. Kjo nuk ha diskutim! Fitorja e Ramës erdhi edhe për fajin e një opozite të vobektë, ndonëse u hodh euro e madhe, aqsa edhe vetë PS-ja nuk e donte një fitore kaq të madhe nga 400 vota diferencë në vitin 2015 në 4000 vota në shtator 2016.

Duke ditur stoicizmin e LSI-së në raport me votat e saj, mundet edhe të shtohen ndjeshëm, ndaj Edi Rama po punon me një djallëzi çame për të rritur PDIU. Edhe kështu, prapë nuk i del numri 71 deputetë që të marrë pushtetin me çamët. Atëhere ka filluar një strategji gati-gati përfekte. Nuk don sherr me LSI, ndonëse nuk  dëshiron të jenë ata, prapë faktor qeveribërës. Pyetja e mundimshme për Ramën mbetet se si mund ta bëjë numrin 71. Vetëm me PDIU dhe pa LSI, nuk bëhet. Ndaj luan fijet në mizaskenë që PAA e Agron Dukës të jetë faktori qeverimbajtës pas zgjedhjeve të qershorit 2017.

Në të vertetë Partia e Agron Dukës është në koalicion me PD. Por si parti në program është parti e majtë, në mos diku afër qendrës, sepse mision të djathtë nuk ka patur. Agron Duka është deputet në Durrës prej koalicionit me PD-në dhe nuk ka se si lëviz. Edhe i duhen votat e demokratëve. Ish-ministri socialist Duka mbetet politikan shumë korrekt dhe popullor për njërëzit të cilët e njohin sepse cilësia e tij mbetet puna dhe zemërgjërësia, gjë të cilën pak politikanë e kanë. Duka po punon me finesë me të djathtën, pasi e di shumë  mirë se PD-ja ka nevojë edhe për forcën e tij personale e politike. Nëse vëren se si po luan muajt e fundit Agron Duka, ku po merr në partinë agrare socialistë të thekur nanoist dhe 24 karatsh si taban i majtë, atëhere strategjia e tij mbetet të krijojë një grup parlamentar në zgjedhjet e ardhshme. Dhe nuk është çudi. Mund të shkojnë nanoistët tek Agron Duka edhe vetë, porse duket pak e pabesueshme pa lejen e Fatos Nanos, ish-kryetarit të PS-së. Fatos Nano ka mbështetje akoma në bazën e majtë. Ka akuza ndaj tij nga të tijtë, ka hatërmbetje, ka pabesi ndaj tij siç ka bërë edhe Nano ndaj të majtëve, porse duhet pranuar se ka elektorat ende, ndonëse në shthurje, që beson tek ish-lideri. Mjafton një dalje publike e Nanos në kohë fushate që të votojnë Agron Dukën dhe koshi i votave të partisë agrare ambientaliste të mbushet aqsa për të qenë faktor politik në parlament. Njihet miqësia historike e Nanos me Dukajt dhe me fisin Kokaj. Si rregull miqësitë nuk harrohen!

Në politikë thuhet “kurrë, mos thuaj kurrë!”, sepse lëvizjet nga njëri kah politik në tjetrin kanë ndodhur kaq befasishëm sa tashmë është bërë normë. Në këto kushte përveç çamëve, partia e Dukës mund të jetë numri magjik për 71 deputetë në sallën e parlamentit. Dhe Rama rri e negocion me kujdes në prapaskenë, aq me tepër që dihet se cili e luan “ngjalën” në Durrës për këto negociata qeveritare. Edi Rama nuk hap luftë me LSI, porse bën llogari që PDIU dhe PAA të jenë faktor vendimtar për numrin 71. Pra PDIU nga PD në 2013 kalon me PS në 2017-ën, kurse PAA qëndron me PD dhe shikon në të drejtën e saj se kush del parti e parë që ti jap numrat.

Logjikë e pranueshme shqiptare. Ndaj LSI duhet të jetë vigjilente, pasi ndonëse mund të marrë mbi numrin 20 deputetë, prapë Edi Rama po luan mjeshtërisht në prapaskenë me PDIU dhe PAA apo me ndonjë deputet që mund të hyjë aksidentalisht në parlament me ndonjë parti minorene.

Kjo është kulisa e Edi Ramës.

Por përballë ndodhet PD, e cila synon të rikthehet në pushtet, ndonëse duket dritë e largët për hir se po luan si opozitë europiane hollandeze, ndërkohë që në Shqipëri zbatohen kode të tjera votimi. Shembullin ia dha Edi Rama me Dibrën, ku siç thamë edhe vetë ministri Damian Gjiknuri mësohet se ka thënë në tavolinë “Mos! Nuk ua kam thënë të merrni kaq shumë vota!”, kur e njoftuan se janë 4 mijë e kusur vota plus PD-së.

Opozita ka vetëm një skemë që mund t’i ofrohet fitores.

Ngre popullin opozitar që tani në  muajin tetor me mbi 20 mijë veta apo me shumë, nga krejt Shqipëria. Edhe me 10 mijë vetë bëhet punë! Bllokohet bulevardi “Deshmorët e Kombit” nga turma disa mijëshe ditë-natë; çdo të enjte që ka parlament rrethohet parlamenti ku nuk guxonte deputet të hynte dhe mbushet mal me mbeturina sheshi para parlamentit dhe vetë salla e Kuvendit. Dhe vetë në krye të popullit, Lul Basha pa doreza kundër plehut, por me thasë plehu vetë i pari turret mbi Kuvendin. Nuk ka polici që i del para një turme 20 mijë apo me shumë demonstrues. Në krye të turmës pastron edhe Tiranën nga mbeturinat duke i grumbulluar mbi parlament dhe vrapon, po me turmë, direkt e tek stadiumi kombëtar, dhe rrëzon gjithçka ka aty. Asnjë makinë dhe asnjë këmbë ndërtim-krimi nuk lejon me popullin e vendosur opozitar. A është që po bëhet për interesa të një biznesmeni që do edhe kullë-hotel në stadium? Atëhere përtokë, gjithçka. Kërkon dorëheqjen e kryeministrit Rama dhe krijimin e një qeverie teknike për zgjedhje të lira, natyrisht në qershor 2017, pasi edhe ndërkombëtarët nuk kanë kohë të vijnë sa herë ne, shqiptarët, duam zgjedhje të parakohshme; tërheq nga detyra krejt kryetarët e bashkive dhe anëtarët e keshillave bashkiakë të opozitës deri në krijimin e qeverisë teknike.

Populli opozitar në kohën që bllokon sheshin para kryeministrisë dhe bulevardin merr një “xhiro” deri tek sheshi “Skenderbej” ku po bën Erion Veliaj punimet e ku ka bllokuar lëvizjen dhe qarkullimin e makinave. Natyrisht kjo nëse siç thotë Basha populli është i revoltuar nga skamja ekonomike. Duke e lenë popullin opozitar të rrethonte kryeministrin, vetë në krye të qindra e qindra të tjerë demonstruesve shkon e shkatërron me sëpatë në dorë, si dikur Edi Rama në Tiranë, në çdo rreth plantacionet e drogës. Ndërkohë kryeministria mbetet e rrethuar nga mijërat e demonstruesve.

Përplasja me policinë? Nuk kemi ç’të bëjmë! Do përplaset turma! Në emër të një pushteti tjetër me të mirë, ndodhin përplasje. Ka sakrifica! Edhe vetë lideri mund të sakrifikohet.

E fundit, që duhet të jetë e parë në kokën e Lulzim Bashës: Asnjë ministër të akuzuar nga radhët e PD-së, të kohës së Saliut, nuk e qas në oborrin e selisë blu. Asnjë hajdut apo kriminel nuk hyn në listën e PD si deputet. Dhe natyrisht bën paqe me Jozefina Topallin, e cila mund të ketë gabime, por asnjë nuk e akuzon për shkelje ligji. Nuk e mbante kot Berisha afër Jozin. I duhej, dhe jo se vdiste për të.

Përballje me pushtetin ballë për ballë që tani në tetor. Kjo duhet të jetë moto e PD-së. Në të kundërt në qershor 2017 Rama do t’ia bëjë fushatën Lulzim Bashës që t’i duken 61 bashkitë si 61 Dibra!

 

 

 

SHKARKO APP