Loja e kryeministrit për të larguar Sandër Lleshin, synon Taulant Ballën ose Ulsi Manjën si ministër në zgjedhje

Nga Herion Mesi

Ngjarja e vrasjes së të riut 25-vjeçar Klodian Rasha është kriminale. Polici dhe strukturat përkatëse drejtuese të tij duhet dhe do mbajnë përgjegjësi.

Edhe ministri i brendshëm, morale dhe politike.

Por ajo që vihej re dje dhe mbrëmë në darkë kishte të bënte se mediat qeveritare si dhe eksponentë afër kryeministrit merrnin në celular, edhe në Koha Jonë (natyrisht me finesë rilindase) se “ky Sandri duhet të ikë, boll qëndroi!”, apo se “pse nuk sulmoni Sandër Lleshajn apo se e keni malokun tuaj?!”

Ne, si gazetë, kur ka qenë rasti dhe sidomos për sjelljen e policisë gjatë protestave të opozitës me gaz lotësjellës e kemi kritikuar ashpër ministrin Lleshi. Në mos me shumë se kryeministrin që ishte dhe mbetet inspiruesi dhe frymëzuesi i arrogancës e dhunës policore, dhe jo vetëm.

Por burime të besueshme tregojnë se kryeministri nuk e do më ministrin Sandër Lleshi, bile kur iku ministrja e arsimit, ato ditë në kafenetë e rilindase flitej me gëzim e nën zë se “edhe Sandër Lleshin do ta largojë, Edi”. Por mirditori ministër nuk është kaq i kollajtë për tu palosur, sepse ndonëse është ish-ushtarak dhe paksa nopran në sjellje e autoritet, nuk mund ta akuzosh për korrupsion apo për lidhje me krimin, siç vepron qeveria apo shumë deputetë të PS-së.

Kryeministri, Sandër Lleshin do ta heqë duke shfrytëzuar rastin e vrasjes së të riut 25-vjeçar, edhe krejt kupolën e Policisë së Shtetit do ta shkarkojë. Me këtë rast pasi i përdori dhe i shfrytëzoi gjatë protestave të opozitës, u faturon vrasjen dhe gazin lotësjellës.

Dhe emëron për zgjedhjet e 25 prilli Taulant Ballën ose Ulsi Manjën. Këta dy emra janë nën mëngën e kryeministrit, sepse i duhet të vjedhë zgjedhjet parlamentare.

Do ta bëjë këtë veprim kryeministri sapo të pushojë paksa nga udhëtimi në Amerikë.

Skenarin e ka gati për zgjedhjet, Edi Rama, ndonëse uragani popullor do jetë përvelues më 25 prill.

 

SHKARKO APP