LSI bashkon votat me PD, i rrëzojnë Vangjush Dakos buxhetin 2017

Këshilltarët e LSI dhe PD-së kanë bashkuar votat në Këshillin Bashkiak të Durrësit duke rrëzuar Buxhetin 2017.

Kreu i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako deklaroi në mbledhjen e sotme se ky buxhet ishte më i madhi dhe më i miri në historinë e Bashkisë së Durrësit.

Mbledhja e Këshillit Bashkiak u shoqërua me debate të ashpra. PD dhe LSI thonë se disa zëra të Buxhetit janë të pajustifikueshme.

Përfaqësuesit e LSI kërkuan më shumë transparencë për buxhetin dhe ka theksuar se projekti i paraqitur nga Vangjush Dako nuk kishte të pasqyruara problematikat e qytetarëve. Gjithashut, LSI pretendon se opinion i tyre për disa zëra në buxhet nuk ishte marrë në asnjë rast nga Bashkia e Durrësit.

Partia Demokratike ka debatuar fortë me kryebashkiakun e Durrësit. Kreu i këshilltarëve Armand Teliti ka theksuar se Dako po paraqiste një buxhet luksi dhe shpenzimesh jo për qytetarët, por që shkonin për betonizimin e mëtejshëm të qytetit.

Gjatë debatit dhe kërkesave të paraqitura nga demokratët, të cilët theksonin si problematika vendgrumbullimin e plehrave, pastrimin e qytetit, furnizimin me ujë të pijshëm dhe çështje të tjera sociale, Vangjush Dako ka theksuar se për të më i rëndësishëm ishte projekti “Vela” se sa plehrat që po mbulojnë qytetin e Durrësi.

Lidhur me rrëzimin e buxhetit ka reaguar deputeti i PD-së në Durrës, Oerd Bylykbashi. Në një postim në Facebook, Bylykbashi shkruan se “buxheti i luksit dhe Veles prej betoni u rrezua!”.

Sipas tij, ky buxhet synonte ndërtime luksi dhe u tentua të kalohej me nxitimin përgjatë festave. “Buxheti i Dakos per lukse ne qender te qytetit, kur qyteti permbytet me 15 minuta shi dhe fshatrat e bashkise jane lene ne harrese, u rrezua sot ne Keshillin Bashkiak. Tentoi ta kalonte me nxitim dhe nen hijen e festave, por deshtoi. Turp qe kryebashkiaku deklaron me arrogance qe nuk do te investoje asnje lek per te ndalur gangrenen e plehrave qe digjen dhe helmojne perdite durrsaket! Durrsaket kane nevoje per qeverisje dhe jo arrogance! Nje falenderim per keshilltaret e opozites qe debatuan per interesin e qytetareve dhe kedo qe mbeshteti opoziten ne kete vendim! Buxhet me transparence dhe per durrsaket, jo per hajdutet! Ti kthejme qeverisjen durrsakeve sic e meritojne, pa arrogance dhe me qytetari”,- shkruan Bylykbashi..

SHKARKO APP