Ngjarja/LSI e para forcë politike që praktikon votimin elektronik në parti
Lëvizja Socialiste për Integrim mblodhi Komitetin Drejtues Kombëtar. Zgjidhet Kryesia e re e LSI-së
Në drejtimin e Kryetarit të LSI-së, Ilir Meta, u bë konstituimi i Komitetit Drejtues Kombëtar të LSI-së, që u zgjodh nga Konventa Kombëtare Zgjedhore e zhvilluar në datat 3 dhe 4 dhjetor.
Në fjalën e tij përpara anëtarëve të Komitetit Drejtues Kombëtar, Meta vlerësoi garën e zhvilluar në Konventën Kombëtare Zgjedhore duke nënvizuar se kjo do t’i shërbejë forcimit të Lëvizjes Socialiste për Integrim.
“Dua t’ju uroj të gjithëve që jeni zgjedhur në Komitetin Drejtues Kombëtar të Lëvizjes Socialiste për Integrim nga Konventa e tretë Kombëtare Zgjedhore e saj, dhe t’ju urojë suksese dhe shpreh besimin tim në bashkëpunimin tonë për të përmbushur të gjitha objektivat e konventës dhe për t’i dhënë një drejtim edhe më dinamik edhe më të qëndrueshëm, edhe më të suksesshëm LSI-së në të gjithë vendin. Po kështu dua të falënderoj shumë edhe ata që nuk kanë fituar për në Komitetin Drejtues Kombëtar, për kontributin e tyre, për pjesëmarrjen e tyre në këtë garë. Garat kështu e kanë. Shpresoj që edhe për ata që nuk kanë fituar, ka qenë një eksperiencë edhe pse jo shumë e lumtur, e dobishme për të ardhmen dhe ata do të vazhdojnë të kontribuojnë kudo ku janë të gjitha strukturat e LSI-së”,- u shpreh kryetari i LSI.
Nga mbledhja e KDK-së, Meta foli edhe për aktualitetin politik në vend duke vënë theksin tek opinioni i Komisionit të Venecias për ligjin e Vetting-ut. Sipas z. Meta, kthimi i përgjigjes nga Komisioni i Venecias duhet parë si një mundësi për të gjykuar sa më parë këtë ligj nga Gjykata Kushtetuese në mënyrë që i hapet rrugë zbatimin të Reformës në Drejtësi edhe përshpejtimit të proceseve integruese në vend.
“Njëkohësisht nga Konventa deri tani, ja vlen të përshëndesim reagimin e Komisionit të Venecias për ligjin e Vetting-ut dhe të shprehim besimin tonë se tani edhe Gjykata Kushtetuese do të ketë mundësinë që sa më parë të jetë e mundur të japi gjykimin e saj përfundimtar për këtë çështje dhe të ecim më shpejt me zbatimin ligjit për Vetting-un, por edhe me zbatimin e reformës në drejtësi, në tërësi si reforma më e rëndësishme, me suksesin e të cilës lidhet edhe fati i shumë prioriteteve dhe reformave të tjera në vend”,- tha Meta.
Duke folur për zgjedhjet në Maqedoni, Kryetari i LSI-së përshëndeti zhvillimin e tyre pa incidente duke shtuar se këto zgjedhje duhet të kontribuojnë në stabilizimin e Maqedonisë si edhe përshpejtimin e rrugëtimit euro-atlantik të saj.
“Nuk mund të mos përshëndesim zgjedhjet e djeshme në Maqedoni, ku interesi ynë, jo vetëm si vend fqinj, është gjithmonë tepër i lartë, për stabilitetin, demokratizimin, dhe përshpejtimin e axhendës euro-atlantike të Maqedonisë. Dhe natyrisht përshëndesim zhvillimin paqësore, demokratik të këtyre zgjedhjeve si asnjëherë tjetër më parë dhe shpresojmë që kjo t’i japi fund krizës politike dhe institucionale gjatë dy viteve të fundit. Kjo është mjaft pozitive edhe për të ardhmen e Maqedonisë. Unë mendojë edhe për të gjithë imazhin dhe perspektivën e rajonit tonë. Gjithashtu shpresojmë që edhe forcat politike shqiptare atje të kontribuojnë për përshpejtimin e axhendës europianizuese dhe euro-atlantike të Maqedonisë, por njëkohësisht edhe të nxjerrin mësimet e duhura nga rezultatet e këtyre zgjedhjeve dhe të forcojnë bashkëpunimin e tyre në të ardhmen edhe më shumë, në interes edhe të stabilitetit dhe të ardhmes evropiane të Maqedonisë, por edhe në interes të respektimit të të drejtave të shqiptarëve që jetojnë në Maqedoni”,- tha kryetari i LSI-së. Meta foli gjithashtu edhe për procesin zgjedhor që e pret vendin ku theksoi se reforma zgjedhore duhet të miratohet sa më parë duke pasur në konsideratë rekomandimet e OSBE-ODIHR. “Dhe natyrisht, meqenëse përmendëm zgjedhjet në Maqedoni, më duhet të nënvizojë rëndësinë e përfundimit sa më të shpejtë dhe të reformës zgjedhore dhe në vendin tonë, dhe plotësimin e të gjithë rekomandimeve të OSBE-ODIHR në mënyrë që zgjedhjet në 18 qershor, pasi tashmë është dekretuar data e tyre, të jetë një kontribut i çmuar për forcimin e institucioneve demokratike dhe besimi tek vota e lirë dhe demokracia në vend, dhe njëkohësisht të ndihmojmë në përshpejtimin e integrimit dhe anëtarësimit të vendit në Bashkimin Evropian”, – përfundoi Kryetari i LSI-së.
Në pjesën tjetër të mbledhjes, Komiteti Drejtues Kombëtar diskutoi për propozimet për Kryesinë e LSI-së, ndërkohë që kryetar i KDK-së u zgjodh u zgjodh Prof. Dr. Shezai Rrokaj. Gjithashtu, u zgjodhën edhe drejtuesit e rinj të sekretariateve, teksa anëtarë e KDK-së votuan përmes sistemit elektronik për të zgjedhur Kryesinë e LSI-së.
Rezultatet u shpallën pak pasi u mbyll procesi i votimit dhe u bënë menjëherë publike.
Kryesia e Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe Sekretarët e rinj
- Adela Karapici – Profesor i Asociuar, Doktor i Shkencave, Pedagoge ne Fakultetin Ekonomik, Universiteti Tiranës (prej tetor 2007), Aktualisht: Zv. Ministre e Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes.
- Brunilda Paskali – Diplomuar në Fakultetin Filologjik, Dega Gjuhë Angleze, Master në “Diplomaci” në Universitetin Norwich në SHBA në fushën e “Menaxhimit të Konflikteve”; 1988-2013 ka punuar si Pedagoge e gjuhës Angleze. Aktualisht: Nënkryetare e Bashkisë Tiranë.
- Elona Guri – Diplomuar Bachelor për “Shkenca Politike”, Master për “Politika dhe Qeverisja” – ISE
- Eriona Bixha – Diplomuar Bachelor për “Shkenca Politike”, Master për “Studime Politike Rajonale”, Universiteti Tiranës.
- Eris Zaimi – Diplomuar për Psikologji, Universiteti i Tiranës.
- Erisa Xhixho – Doktor i Shkencave, Diplomuar në Fakultetin e Drejtësisë, Universiteti i Tiranës, Master për “Politika Ndërkombëtare Publike” në “Queen Mary, University of London”. Aktualisht: Zv.Ministre e Ministrisë së Integrimit Europian, pedagoge në Fakultetin e Drejtësisë.
- Luzhiana Abazi – Diplomuar në Fakultetin e Mjekësisë, Specializim për mjek familje, Master për Menaxhimin e Shërbimit Parësor – Universiteti i Tiranps.
- Monika Kryemadhi – Doktor i Shkencave, Diplomuar në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, Universiteti i Tiranës, Master në “Administrim Biznesi”, në Fakultetin Ekonomik, Universiteti i Tiranës. Aktualisht: Deputete e Kuvendit të Shqipërisë.
- Nora Malaj – Doktor i Shkencave, Diplomuar në Fakultetin Filologjik, Universiteti i Tiranës, Diplomuar për Drejtësi në Universitetin e Tiranës, Aktualisht: Zv. Ministre e Arsimit dhe Sportit.
- Ornela Muhametaj – Diplomuar për Drejtësi, Universiteti i Tiranës.
- Rea Kotani – Studente në Fakultetin Ekonomik, Universiteti i Tiranës. Anëtare e Senatit Akademik të Universitetit të Tiranës. Nënkryetare e Lëvizjes Rinore për Integrim.
- Silva Caka – Diplomuar për Drejtësi, Universiteti i Tiranës. Aktualisht: Deputete e Kuvendit të Shqipërisë.
- Bahri Shaqiri – Diplomuar në Fakultetin e Drejtësisë,Universiteti i Tiranës, Master “Marrëdhënie Ndërkombëtare”, Avokat. Aktualisht: Zv. Ministër i Transportit dhe Infrastrukturës.
- Dritan Ylli – Fakulteti Filologjik, Universiteti Tiranës, Master “Administrim Publik”. Aktualisht: Drejtor i Inspektoratit Shtetëror të Punës dhe të Sigurimeve Shoqërore.
- Edmond Haxhinasto – Master “Administrim Biznes”, Master për “Politika Publike”.
- Edmond Panariti – Profesor, Doktor Shkencash, ka titullin “Honoris Causa”, Universiteti i Perugia-s. Aktualisht: Ministër i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave.
- Klevi Pojana – Student në Fakultetin e Drejtësisë, Universitet i Tiranës.
- Lefter Koka – Diplomuar në Fakultetin Ndërkombëtar të Shkencave Juridike, në Strugë. Aktualisht: Ministër i Mjedisit.
- Luigj Turmalaj – Profesor, Doktor. Dega Mjekësi – Veterinare. Aktualisht: Dekan i Fakultetit të Veterinarisë, Universiteti i Bujqësor.
- Nasip Naço – Diplomuar në Fakultetin e Drejtësisë, Universiteti i Tiranës.
- Përparim Spahiu – Diplomuar në Fakultetin Ekonomik, dega “Ekonomi Politike”, Universiteti i Tiranës.
- Sokol Dervishaj – Diplomuar për Anglisht, Master për “Studime Ndërkombëtare” dhe “Studime të Thelluara” te Kolegji Mbretëror i Studimeve të Mbrojtjes. Aktualisht: Ministër i Transportit dhe Infrastrukturës.
- Spartak Braho – Diplomuar në Fakultetin e Shkencave Politiko –Juridike, titulli “Gazetar”, Fakulteti i Drejtësisë, titulli “Jurist”. Aktualisht: Deputet i Kuvendit të Shqipërisë.
- Vangjel Tavo – Doktor i “Shkencave Mjekësore”. Aktualisht: Deputet i Kuvendit të Shqipërisë.
- Ylli Manjani – Diplomuar për Drejtësi, studimet pasuniversitare i ka kryer në “Universitetin e Oslos” dhe “Universitetin Leiden” në studime të specializuara për të Drejtën Evropiane. Aktualisht: Ministër i Drejtësisë.
Sipas Statutit të LSI, Kryetari, Zv.kryetari, Nënkryetarët, Sekretari i Përgjithshëm, Kryetari i LRI-së, kryetarja e LGI-së dhe Kryetari i KDK janë automatikisht pjesë e kryesisë.
Kryetari i KDK-së u zgjodh Shezai Rrokaj – Profesor, Doktor i Diplomuar në Sorbonë, Francë. Ka kryer detyrat e Përgjegjësit të Departamentit, Zv.Dekan, Dekan, Rektor në Universitetin e Tiranës.
Aktualisht: Zv. Rektori i Universitetit të Tiranës.
Erisa Xhixho – Sekretare për Marrëdhëniet me Publikun.
Edmond Haxhinasto – Sekretar për Çështjet Programore.
Eriona Bixha – Sekretare Organizative.
Bahri Shaqiri – Sekretar për Sigurinë Kombëtare.
Intërvista e Ilir Metës:
Meta, Komiteti Drejtues Kombëtar i LSI-së zgjodhi sot Kryesin e re. A do të thotë kjo tashmë LSI-ja, e plotësuar në të gjitha strukturat drejtuese, është gati për të menduar se si do të dalë në zgjedhjet e 2017-s?
Ishte kënaqësi sot për të konstituuar mbledhjen e parë të Komitetit Drejtues Kombëtar pas Konventës Kombëtare Zgjedhore, për të zgjedhur Kryesinë e re dhe njëkohësisht për të bërë edhe mbledhjen e parë konstituuese të kësaj kryesie. Jo vetëm kaq, por edhe për të zgjedhur edhe disa kolegë të tjerë të cilët do të kenë një kontribut të rëndësishëm në drejtimin e Kryesisë, KDK-së dhe gjithë strukturave të LSI-së, edhe në kuadër të rritjes të kolegjialitetit, bashkëpunimit dhe transparencës në drejtimin e kësaj force politike.
Dua të uroj profesor Shezai Rrokajn, që u zgjodh kryetar i KDK-së me një votë gati unanime dhe njëkohësisht dua t’ju prezantoj Sekretaren e re për Marrëdhëniet me Publikun në LSI, Erisa Xhixhon, e cila nuk është e panjohur për ju dhe kjo është një nga arsyet që e kemi zgjedhur. Për të rritur dhe për të përmirësuar më tej komunikimin me mediat dhe në përgjithësi për të përmirësuar më tej marrëdhëniet me publikun të LSI-së. Ashtu sikurse kemi zgjedhur edhe Eriona Bixhën, Sekretare Organizative, z. Edmond Haxhinasto, Sekretar për Çështje Programore, dhe z. Bahri Shaqiri Sekretar për Sigurinë Kombëtare dhe natyrisht edhe kryesinë e re, emrat e të cilës tashmë i keni online.
Besojmë të përmirësojmë më tej drejtimin e LSI-së si një element mjaft i rëndësishëm për të kontribuar në të gjithë përmirësimin e qeverisjes së vendit dhe të përmirësimit të kulturës së politikëbërjes në vend.
Ju patët edhe një mbledhje të parë të kryesisë së re menjëherë pas zgjedhjes së tyre. Sa herë do të duhet të mblidhet kjo kryesi dhe a do të jetë puna e saj vendimtare për të patur një qëndrim të saktë ndoshta në javët në vijim se si do të dilet në zgjedhjet e 18 qershorit?
Kryesia do të jetë në një angazhim të përhershëm dhe do të mblidhet sipas një kalendari të caktuar dhe do të mblidhet aq herë sa Sekretari i Përgjithshëm apo dikush nga drejtuesit e tjerë do të konstatojë se ka rëndësi për t’u mbledhur kryesia për të ecur më shpejt me axhendën politike dhe organizative të LSI-së.
LSI dha sot një shembull duke zgjedhur kryesinë e re përmes votimit elektronik, që ka qenë pjesë e kërkesës së opozitës për t’u përfshirë në kodin e ri zgjedhor. Është kërkuar nga PS-ja për t’u votuar edhe të enjten në Parlament për tu shtyre me 60 ditë puna e këtij komisioni të posaçëm. LSI do të vazhdojë t’i qëndrojë besnike kërkesave të saj deri në fund për reformën zgjedhore?
LSI është plotësisht e vendosur për zbatimin e gjithë rekomandimeve të OSBE-ODIHR. Ne kemi dhe ekspertizën e tyre për këtë proces dhe gjithçka që i shërben zgjedhjeve transparente dhe të ndershme. Do të ketë mbështetjen e plotë dhe pa rezerva të LSI-së dhe për këtë do të bashkëpunojmë shumë ngushtë me të gjithë forcat politike dhe në veçanti me ekspertët ndërkombëtarë të OSBE-ODIHR.
Janë shprehur sot Ambasadat e SHBA dhe BE. Ju pak më parë e përmendët në fjalën tuaj, çfarë prisni tashmë nga Gjykata Kushtetuese, një zbardhje sa më të shpejtë, një shprehje sa më të shpejtë të qëndrimit të saj për opinionin përfundimtar të Venecias dhe implementimin më pas të ligjit për Vetting-un?
Ne presim që Gjykata Kushtetuese të japi gjykimin e saj sa më parë që të jetë e mundur dhe më pas të ecet me implementimin e ligjit për Vetting-un dhe gjithë reformës në drejtësi në mënyrë që kjo reformë jo vetëm të na ndihmojë për të përshpejtuar çështjen e çështjes së negociatave për anëtarësim në BE, por njëkohësisht dhe të japë impakt shumë më të gjerë për ecurinë e të gjithë reformave të tjera në vend.
A jemi pak orë përpara vendimit për çeljen e negociatave nga BE?
Jemi përpara një vlerësimi të Këshillit të vendeve anëtare të BE që dëshirojmë, shpresojmë të jetë në një linjë me rekomandimin pozitiv të Komisionit Evropian.
Shënim:
Prononcimi për median i Kryetarit të LSI-së Ilir Meta pas mbledhjes së KDK-së dhe zgjedhjes së Kryesisë së re të LSI-së