LSI, kritika Veliajt. Vasili: Drejtimi i Bashkisë nuk duhet të jetë partiak
Kryetari i grupit parlamentar të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili ka kritikuar sot mënyrën e drejtimit të Bashkisë nga Erjon Veliaj. Në një deklaratë për mediat, Vasili kërkoi një vëmendje më të madhe nga Bashkia e Tiranës për rikonstruksionin e rrugës “Sami Frashëri”.
Vasili tha për mediat se rruga “Sami Frashëri” nga sheshi “Wilson” drejt drejtorisë së Policisë së Tiranës duhet të jetë prioritet i Bashkisë, pasi është lënë pas dore, ndonëse është një nga akset që përdoret më dendur.
“Rruga “Sami Frashëri” në Njësinë Nr. 5 është trajtuar në mënyrë gjysmake. Kjo rrugë, nga sheshi “Wilson” tek Drejtoria e Policisë së Tiranës duhet të jetë prioritet, pasi është lënë pas dore gjysma e kësaj rruge që përdoret më dendur. Trotuarët e këtij aksi janë në gjendje të keqe. Vendimet e Bashkisë janë joracionale dhe të pa studiuara. Si banor i vjetër e deputet pres një reagim serioz. Drejtimi bashkiak duhet të jetë objektiv e komunitar dhe jo elektoral-partiak”,- theksoi Vasili.