Kërcënon Donald Lu: Politika t’i trembet SPAK-ut. Do ketë arrestime VIP
Kur flitet për reformën në drejtësi dhe për politikanët e korruptuar, ambasadori amerikan Donald Lu, megjithëse po largohet nga Shqipëria, në fund të mandatit të tij është po aq energjik sa në fillim.
“Politikanët e korruptuar duhet të kenë frikë!” Kjo është një nga frazat më të njohura të Donald Lusë, e cila nuk mungoi as në përgjigjjet që ai i dha disa pyetjeve të Top Channel për ecurinë e vetting-ut dhe të ngritjes së institucioneve të reja. Optimizmi dhe besimi se procesi po ecën në drejtimin e duhur është mesazhi kryesor i ambasadorit amerikan, i cili mbështet pa rezerva organet e vetting-ut.
“Kam besim që reforma në drejtësi po prodhon rezultate reale për popullin shqiptar. Po largon gjyqtarë dhe prokurorë të korruptuar dhe të paaftë dhe po konfirmon ata të ndershmit për të vazhduar punën e rëndësishme të gjykatave. Rezultatet janë mbresëlënëse. Komisioni i vetting-ut ka shkarkuar 21 gjyqtarë dhe prokurorë si dhe ka konfirmuar 27. Ndërkohë që disa nga rastet do të apelohen, procesi përfaqëson një hap madhor përpara drejt një gjyqësori të drejtë dhe të pavarur. Qytetarët e zakonshëm tani duhet të presin të kenë gjyqtarë dhe prokurorë të rivlerësuar dhe të pastër, që nuk do të kërkojnë më ryshfete dhe nuk do t’i përgjigjen më trysnisë politike. Më në fund, qytetarët mund të kërkojnë dhe të presin drejtësi të vërtetë”, deklaron Donald Lu.
Por, a është ambasadori amerikan i shqetësuar nga vonesa në ngritjen e KLGJ-së dhe KLP-së? Ambasadori Donald Lu thotë se ndan të njëjtin shqetësim sikurse edhe opozita për vonesën në ngritjen e institucioneve të reja të drejtësisë, por beson se ky proces nuk do të vonojë.
Me këtë rast, Donald Lu ka një apel për të gjithë: “Jam dakord me opozitën se është imperative që organet e reja gjyqësore të ngrihen shpejt. Kjo do të lejojë emërimin e një prokurori me mandat të plotë, emërimin e gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë, si dhe krijimin e SPAK dhe BKH. Besoj se jemi pranë krijimit si të KLP edhe të KLGJ. Këshillit të Lartë Gjyqësor i duhet vetëm një gjyqtar i guximshëm i gjykatave të apelit për të dalë vullnetar që të shërbejë në Këshill. Kam besim që në javët e ardhshme ky proces do të përmbyllet dhe do të ecet përpara me emërimin e gjyqtarëve të rinj, SPAK dhe BKH. Procesi i vetting-ut po funksionon. Jemi shumë pranë hyrjes në fazën tjetër të reformës”.