Lu sulmon hapur,PD i kthen reston!
-Analisti Fatos Lubonja: Edi Rama po përdor ambasadorin amerikan për interesat e tija që të kap sistemin e drejtësisë
Kur mbeten edhe 13 ditë nga kalim i reformës në drejtësi për votim në Kuvend, ambasadori Amerikan Donald Lu ka vendosur të sulmojë hapur kundërshtarët e reformës në drejtësi. Në një letër dërguar 140 deputetëve të Parlamentit, diplomati amerikan sqaron qëndrimin e SHBA-ve ndaj reformës, duke theksuar se kjo nuk është një cenim i sovranitet të Shqipërisë. Ndërsa shton se aleancën mes dy vendeve e kërcënon drejtësia e korruptuar dhe se është në interesin e SHBA që Shqipëria të ketë një demokraci të fortë. Por veç kësaj, ambasadori Donald Lu merret në mënyrë të detajuar me pikën ku ka mbetur peng konsensusi i reformës, nenin 88 i Komisionit të Venecias. Lu thotë se në asnjë rast Komisioni i Venecias nuk rekomandon vende të rezervuara në procesin e “Vetingut”.
“Komisioni i Venecias rekomandon që nëse të dy palët nuk mund të gjejnë kompromis, mund të marrin në konsideratë përdorimin e një sistemi proporcional. Ata nuk rekomandojnë apo përmendin kurrë modelin e vendeve të rezervuara”,- shkruan Lu në letrën e tij. Ndërsa shton se SHBA dhe BE kanë qenë kundër vendeve të rezervura, pasi nuk garantojnë pavarësinë e sistemit. “Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian i kanë kundërshtuar vendet e rezervuara sepse kjo formulë do t’i etiketonte menjëherë anëtarët e Komisionit të Vetingut ose pro qeverisë, ose pro opozitës. Vetingu ka për qëllim të kthejë besimin në gjyqësor duke larguar manipulimet partiake. Ndikimi i qartë politik sugjeron se modeli i vendeve të rezervuara do ta minonte këtë besim”,- shprehet Lu.
Në fund të letrës së tij, Lu u kujton partive politike se është koha për të marrë një vendim. Ndërsa u sugjeron deputetëve se “nëse udhëheqësit politikë nuk e duan kompromisin dhe nuk bien dakord për një tekst të përbashkët, ju bëjmë thirrje që ju ta votoni reformën”.
Letra për 140 deputetët, një formë e re komunikimi mes diplomatit dhe politikanëve në vend, dhe vjen pas një sërë nismash personale që ka ndërmarrë ambasadori. Disa javë më parë mori pjesë në takimet e grupeve parlamentare, ndërsa tani thuajse çdo ditë takon në mënyrë individuale deputetë të PD-së për votimin e reformës.
Megjithatë, letra e djeshme ku rrëzonte gjithë argumentet e Partisë Demokratike duket se ka sjellë jo pak nervozizëm në selinë blu. Edhe pse nuk pati deklaratë zyrtare për qëndrimin e ambasadorit, një komunikim me mediat deputeti Oerd Bylykbashi kishte një përgjigje “flakë për flakë” ndaj diplomatit amerikan.
Në mënyrë indirekte Bylykbashi ka replikuar me Lu, duke deklaruar se propozimi i fundit i Partisë Demokratike nuk është një ide e selisë blu, por një propozim i ndërkombëtarëve dhe Komisionit të Venecias. Ai thotë se për të gjetur konsensus PD-ja ka hequr dorë nga vendet e rezervuara, por jo nga zbatimi i nenit 88. “PD ka lëvizur nga propozimi i bërë nga OPDAT dhe Euralius dhe i pranuar prej nesh që në shkurt, i mishëruar edhe në draftin e paraqitur nga Partia Demokratike në muajin maj, i vendeve të rezervuara, një propozim qartazi i ndërkombëtarëve, sipas tyre, në përputhje të plotë me Komisionin e Venecias”,- tha Bylykbashi.
Formula e re PD opozitës parashikon ngritjen e një komisioni parlamentar me 12 deputetë, me përfaqësim të barabartë të palëve 50 % opozitë dhe 50 % mazhoranca. Ky komision përzgjedh me votë të fshehtë kandidatët e organeve të vetingut, që vijnë si propozim nga Gjykata Kushtetuese.
Bylykbashi akuzoi PS-në se po manipulon opinionin duke deklaruar se propozimi i PD-së fut politikën në procesin e drejtësisë. Në fakt edhe letra e Donald Lu të njëjtën gjë thoshte, ndaj më shumë sesa një përgjigje për PS-në, Bylykbashi i ktheu reston ambasadorit amerikan. Në vend të ambasadorit, dje ka dhënë mendimin e tij për propozimin e Partisë Demokratike, Kryeministri Edi Rama. Ai e cilëson variantin e ri të PD-së si më të keq sesa ai i vendeve të rezervuara. Kjo pasi jo vetëm institucionet që do bëjnë kontrollin e gjyqtarëve do zgjidhen nga politika, por varianti PD-së nuk lë hapësira për institucionet ndërkombëtarët.
“Në propozimin e ri, Partia Demokratike ka kaluar nga vendet e rezervuara tek vendet e blinduara(!) dhe jo vetëm kaq, po ky propozim anashkalon krejtësisht mekanizmin e monitoruesve ndërkombëtarë që për ne është kyç në procesin e skanimit. Por jo vetëm për ne, po edhe për BE e SHBA po ashtu”,- thotë Rama. Kjo formulë për kryeministrin shkel dhe vijën e kuqe të vendosur nga ndërkombëtarë, pasi sipas tij një reformë në drejtësi pa SHBA dhe BE nuk mund të bëhet.
Pra PD-ja duket se nuk e voton pa konsensus ose më saktë pa hequr nenin ku i jep pushtet kryeministrit të përzgjedhë dhe të kap sistemin e drejtësisë. Ndaj ishte letra e hapur e Donald Lu. Ka informacion se nuk e voton PD dhe përdori presionin për të përçarë selinë blu. Nuk ka hezituar analisti Fatos Lubonja mbrëmë në Ora neës që të thotë se kjo që bën ambasadori Lu është në shërbim të Edi Ramës në mënyrë që ai të kap sistemin e drejtësisë. Akuzë e fortë kjo e Lubonjës për një ambasador amerikan. Por Lubonja theksoi se kështu e përdori edhe ambasadori Rajerson Berishën në vitet e para dhe pushteti absolut i Berishës dihet se si përfundoi në vitin 1997. Edhe ambasadori Ëithers donte që të vinin armët kimike për interesat amerikane e jo shqiptare- vazhdoi Lubonja. Ndaj mendoj dhe dyshoj se dhe kjo pseudoreformë që bërtasin përditë do të jetë në interesat e Edi Ramës që të kthehet në një sheik në Shqipëri. Në fund Lubonja tha se duhet ndryshuar klasa politike në radhë të parë, pasi nuk e bën kjo reformë që thuhet kthimin e vendit në normalitet.
Fatos Lubonja ishte mjaft i ashpër me kryeministrin Rama dhe ambasadorin amerikan Lu.
Qamil Xhani
.