Rama: Drejtësia peng, shteti në prag të rënies!

... mirë që kemi komisionerin për zgjerimin, atë Hahn-in e Europës që vjen e shkon e prapë vjen! Si personazh i ERT-së. Vjen e na flet i keqpërdorur paturpësisht si dordolecët e bahçeve të fshatarëve!

Nga Luan Rama*

Është e turpshme! Është skandaloze!
Shqipëria anëtare e NATO-s e me shpresën varur në dyert e BE-së, në pritje të çeljes së bisedimeve për të ecur më tej ose jo, po bën “reformë drejtësie”, por ka mbetur pa sistem drejtësie! Ka bërë “reformë kushtetuese”, por me Kushtetutën gjithë arna e që nuk e zbaton askush!
Po të paktën mirë që kemi komisionerin për zgjerimin , atë Hahn-in e Europës që vjen e shkon e prapë vjen! Si personazh i ERT-së. Vjen e na flet i keqpërdorur paturpësisht si dordolecët e bahçeve të fshatarëve!
Sa e neveritshme kjo fasadë turpi!
Ah, po, se për pak harrova! Shqipëria ka edhe President, ka edhe Kryeministër, ka edhe qeveri e parlament, ka edhe komisione vetingu, në shumicën e tyre të mbushur me të paaftë!
Por ka mbetur pa gjykata; pa Gjykatë Kushtetuese, pa Gjykatë të Lartë dhe me gjykatat e tjera drejt bllokimit!
Shteti i së drejtës nuk është më, tani as formalisht të paktë!
Drejtësia është marrë peng e shteti është në kolaps!
Shteti është në prag të rënies, e askush nuk jep alarmin!
E përse? Për çfarë na duhet shteti? Po gjykatat përse na duhen?
Po shteti i të drejtës e demokracia përse na vlejnë, kur kemi Hahn-in që na përgëzon për reformën në drejtësi, ani pse në Shqipëri nuk ka drejtësi?!
Por ama ka EURALIUS, ka edhe ekspertë të nivelit të lartë, që tani duhet të na mësojnë se si do të zgjidhet problemi i Gjykatës Kushtetuese, se si do të zgjidhet problemi i Gjykatës së Lartë apo edhe i gjykatave të tjera, që po rrokullisen drejt bllokimit e mosfunksionimit!
Shqipëria për fat të keq, përsëri turpi i Europës!

*Zëvendëskryetar dhe deputet i LSI

SHKARKO APP