Luan Rama: Marrëveshja e Xhafës me Markun, antikushtetuese
Zëvendëskryetari i LSI, Luan Rama e cilësoi sot marrëveshjen mes Ministrisë së Brendshme dhe Prokurorisë së Përgjithshme si një shkelje flagrante të Kushtetutës. Në një deklaratë për mediat, Rama tha se marrëveshja del mbi SPAK dhe gjithë institucionet e krijuara nga reforma në drejtësi.
“Mjafton të lexosh vetëm objektin e marrëveshjes të cituar me lart, dhe do te gjesh menjëherë kundershtinë e saj me Kushtetutën. Sepse krimi i korrupsionit në bazë të Kushtetutës dhe paketës së ligjeve të reformës në drejtësi është objekt i veprimtarisë së Prokurorisë së Posaçme dhe Njësisë së Posaçme Hetimore, të cilat sipas nenit 148, pika 4 të Kushtetutës janë të pavarur nga Prokurori i Pergjithshëm! Pra, ç’punë ka Prokurori i Përgjithshëm, dhe aq me pak Ministri i Brendshëm me luftën kundër korrupsionit, që është objekt i veprimtarisë së Prokurorisë së Posaçme?! Marrëveshja është në kundërshtim flagrant e të hapur me Kushtetutën! Dhe duke iu referuar sërish objektit të saj, pra objektit të marrëveshjes, gjejmë në të një mori lajthitjesh gjuhësore, logjike e juridike! Pra, përveç se një akt antikushtetues, është edhe një akt injorance gjuhësore, logjike e juridike”,-tha sot Luan Rama.
Në Prokurorinë e Përgjithshme u nënshkrua marrëveshja me ministrinë e Brendshme në funksion të Planit të Veprimit për luftën kundër krimit të organizuar.
Prokuroria e Përgjithshme njoftoi sot se “marrëveshja çmohet me rëndësi të madhe për jetësimin e Task Forcës Ndërinstitucionale në kuadër të Planit të Veprimit të operacionit “Forca e Ligjit”. Prokurori i Përgjithshëm znj.Arta Marku ritheksoi gatishmërinë dhe angazhimin për ofrimin nga prokuroria të burimeve njerëzore dhe infrastrukturore më të mira dhe me kapacitet maksimal për përmbushjen e misionit të kësaj Marrëveshjeje”.
Objekt i marrëveshjes është hetimi i grupeve kriminale me ngritjen e disa strukturave në prokuroritë e rretheve dhe të krimeve të rënda, me angazhimin e rreth 30 prokurorëve. Pjesa e tretë e marrëveshjes përfshin veprat penale të përcaktuara nga neni 135/2 i Kushtetuës. Këto janë veprat penale të korrupsionit dhe të krimit të organizuar, si edhe akuzat penale kundër Presidentit të Republikës, Kryetarit të Kuvendit, Kryeministrit dhe zyrtarëve të tjerë të lartë.
Sipas opozitës, pikërisht ky është objekti i Strukturës së posaçme anti-korrupsion SPAK, që pritet të luftojë kundër korrupsionit në radhët e politikës dhe gjyqësorit, por që ende nuk është krijuar. Sepse prokurorët e SPAK-ut duhet të emërohen nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë KLP, që është vetë i pangritur.
Sipas PD dhe LSI, më këtë marrëveshje është se Fatmir Xhafaj dhe Arta Marku po krijojnë një para-SPAK.
VIDEO/Deklarata e Luan Ramës
https://www.facebook.com/luanrama.al/videos/1507270206052344/