Lufta kundër krimit. Arta Marku e Ardi Veliu takim me Kryeprokurorin e SHBA

Kryeprokurorja Arta Marku dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu ndodhen në Zagrebn të Kroacisë, në takimin kundër krimit ndërkombëtar. Në takim merr pjesë Prokurori i Përgjithshëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeff Sessions, Prokurorët e Përgjithshëm si dhe Drejtorët e Policive të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor. Takimi rajonal zhvillohet në Akademinë e Policisë në Zagreb në datat 23-25 maj 2018 për luftën kundër krimit të organizuar ndërkombëtar.

Ambasada e SHBA në Tiranë ka postuar një foto nga takimi ku shfaqen Prokurorja e Përgjithshme, Ardi Marku dhe Drejtori i Policisë së Shtetit në takimin, Ardi Veliu me Prokurorin e Përgjithshëm të SHBA, Jeff Sessions.

“Prokurorja e Përgjithshme Marku & Drejtori i Policisë së Shtetit Veliu pozojnë për një foto në grup me Prokurorin e Përgjithshëm të Shteteve të Bashkuara Jeff Sessions dhe homologët e tyre nga rajoni, gjatë Seminarit mbi Krimin e Organizuar Ndërkombëtar në Zagreb, Kroaci. Seminari u organizua nga Programi i Ndihmës Trajnuese për Investigimin e Krimit Ndërkombëtar (ICITAP) dhe Programi për Trajnim dhe Ndihmë Zhvillimi për Prokurorë Jashtë Vendit të Departamentit të Shtetit (OPDAT)”,- thuhet në njoftimin e Ambasadës.

Prokurori i SHBA, Jeff Sessions gjatë takimit me drejtuesit e institucioneve të rajonit ka kërkuar më shumë bashkëpunim mes vendeve. “Ne përballemi me një kërcënim serioz nga terrorizmi, kontrabanda e drogës dhe njerëzve, krimi i organizuar dhe korrupsioni. Kriminelët e zgjuar përdorin kufij për t’u fshehur pas tyre, nuk duhet ta lejojmë këtë”, ka thënë Jeff Sessions.

SHKARKO APP