Lulzim Basha: Edi Rama nuk është më kryeministër

Kreu i qeverisë Edi Rama dhe kreu i PD, Lulzim Basha kanë replikuar sot në rrjetet sociale për lidhjet e qeverisë me krimin dhe akuzat e opozitës .

Kryeministri Edi Rama akuzoi kreun e PD së e ka kthyer opozitën në një kompani filmike që sajon përgjime, të cilat pas hetimeve të prokurorisë rezultojnë falsifikime. Lidhur me akuzat e PD ndaj Sekretarit të Përgjithshëm të PS, Taulant Balla për kërcënimin ndaj oficerit Emiljano Nuhu, kryeministri tha se në kamerat e komisariatit të Fushë-Krujës nuk ka asnjë të dhënë që tregon se zyrtari i PS është i përfshirë.

Nuk të vjen zëri dhe s’ke faj! E di dhe unë sa thellë je futur miku im po s’të ndihmoj dot. Nuk ecet me teatër se ja si vjen puna,del një aktor i papaguar e të nxjerr cullak!Po me kamerat e komisariatit si i bëhet(?)se aty as Taulanti as ai polici s’janë fare! Apo po fle ti tani?“,- shkruan Edi Rama në reagimin e tij në rrjetet sociale.

Më herët, në mbledhjen e grupit parlamentar të PS, Kryeministri Rama deklaroi se nëse dilte se Taulant Balla ka qenë në komisariatin e Fushë- Krujës dhe ka kërcënuar oficerin e policisë, atëherë do të ishe ai si kryetar i qeverisë që do kërkonte arrestimin e Ballës.

Pas deklaratave të Edi Ramës ka ardhur dhe reagimi i Lulzim Bashës. Po në rrjetet sociale, Basha shprehet se Shqipëria nuk ka më kryeministër, por  një qeveri që është vënë në shërbim total të bandave dhe krimit.

Piktori i dështuar është zhytur në artin e telenovelave: shkruan, dirigjon, interpreton dhe ju servir shqiptarëve përditë nga një shfaqje bajate, ku kriminelët janë heronj dhe ku krimi është virtyt. Shqipëria nuk ka më kryeministër. Shqiptarët nuk kanë më qeveri që mendon e punon për ta dhe hallet e tyre. Në vend të sigurisë, punësimit e mirëqenies, tani e tutje shqiptarët do të kenë vetëm telenovela. Ndërkohë qeveria, policia dhe prokuroria punojnë çdo ditë për t’i garantuar sigurinë, qetësinë, dhe paratë kriminelëve. Sepse Rama mendon dhe vepron vetëm për të mbrojtur kriminelët. Ndaj çirret e betohet nga mëngjesi në darkë për të mbrojtur Tahirin, Xhafajan, Ballën, Rrajen, Çyrbjen, Gjushin, e kriminelët e lidhur me ta“,- deklaroi Lulzim Basha.

Kreu i PD-së shton se fundi i Ramës do të jetë i njëjtë me fundin e njerëzve që janë të lidhur me krimin. “Edi Rama nuk është më kryeministër, por vetëm një dordolec që krimi e tund përditë në publik për të kërcënuar dhe trembur shqiptarët. Por shqiptarët nuk tremben. Unë as trembem dhe as shantazhohem. Sepse nuk jam peng i krimit. Sepse kurrë nuk më ka lidhur asgjë me kriminelët. Sepse sado t’i mbrojë Rama kriminelët dhe mbrojtësit e tyre, ata të gjithë do të përfundojnë atje ku e kanë vendin“,- deklaron kreu i PD-së.

SHKARKO APP