Lulzim Basha në Kongres: Më falni, gabova me Edi Ramën. Tani ta rrëzojmë!
Lulzim Basha në Kuvendin e PD, sot në Tiranë, e filloi fjalën e tij me një ndjesë të madhe publike duke thënë se më falni për gabimet që kam bërë, sidomos në raport me Edi Ramën.
“Ata kanë dështuar në qeverisje, por edhe ne nuk ia dolëm që të çonim deri në fund reagimin tonë”,- deklaroi Lulzim Basha në Kuvendin Kombëtar të Partisë Demokratike.
Nënkuptimi i ndjesës para delegatëve kishte të bënte me daljen nga çadra dhe krijimin e një qeverie të përbashkët me Edi Ramën vjet në qershor. Ajo marrëveshje e shkatërroi, bile e dërmoi PD-në, çka solli rezultatin me të keq historik të demokratëve, aqsa edhe në vitin 1997 nuk dolën kaq dobët. Ndjesa e kreut të PD-së në këtë formë, ishte e para prej tij që prej “dashurisë” së 17 majit 2017. Në Kuvendin e PD-së, Basha bëri edhe një falje tjetër në raport me ish-drejtuesit demokrat, të cilët janë kundër drejtimit prej tij të selisë blu, por me një oratori ekselente Basha kërkoi prapë ndjesë, por ishte një djallëzi të cilën ai e luajti bukur. Kërkoj ndjesë edhe për këto ndarje në PD, duke iu bërë thirrje të vijnë në PD ish-drejtuesit dhe ish-themeluesit, duke e ditur se as Jozefina Topalli, as Astrit Patozi, as Genc Ruli, as Arben Imami e disa të tjerë nuk do vijnë më në selinë blu. Por Basha ua bëri lutjen, duke e ditur se nuk do të vijnë!
Loja me të larguarit dukej e llogaritur mirë, pasi ata do të krijojnë partinë të re demokratike para zgjedhjeve, dhe për t’ju hequr elektoratin e pakënaqur të PD-së, Lulzim Basha bëri thirrjen për bashkim. Bashkim që nuk do të arrihet kurrë, pasi kanë shkuar larg e keq punët mes palëve në PD. Megjithatë Basha e tha se “i presim të punojmë bashkë”, por që të vijnë më ata, kundërshtarët e tij në PD, është si t’ju kërkosh që “hajdeni të hani dajak nga demokratët e rinjë të Bashës”.
Gjithsesi Basha iu “lut” publikisht kundërshtarëve që të kthehen, por ata nuk vijnë! Dhe Basha e di mjaft mirë. Në sallën e Kongresit ishte ish-kryeministri dhe ish-lideri i PD-së Berisha. Kaq i duhej Bashës.
Ndër të tjera Lulzim Basha foli në Kongres për një qeveri kriminale e cila duhet rrëzuar, sipas tij. Ai dukej këtë herë i vendosur për të mos bërë më pazare apo marrëveshje me Edi Ramën, por kamera e televizionëve që fiksonte delegatët kur fliste Basha, tregonin paksa mosbesim. Mosbesim nëse mund ta mbajë fjalën kryetari i tyre, po qëse prapë Edi Rama i ofron “dashuri” dhe “tepsi”.
Lulzim Basha tha se ne shpëtuam politikën nga krimi, nuk bëmë aleancë me krimin, nuk kërkuam vota nga krimi, ndërkohë që Edi Rama i fuste në Parlament dhe në politikë si socialistë.
“Sot kemi më pak kriminale në politikë, falë këmbënguljes, guximit dhe kurajës që treguam”, theksoi Basha. Sipas tij, Edi Rama është sot në pushtet falë parave të siguruara nga droga dhe krimi, është sot në pushtet për shkak të atyre që u shitën tek ai duke tradhtuar interesin publik, për shkak të humbjes së busullës së moralit të elitave shoqërore. Në Kuvend Basha foli ashpër kundër kryeministrit dhe premtoi rrëzimin e tij nga pushtetit.
Në të vertetë demokratët të mbështesin me shpirt e pasion luftarak, por kur e shikojnë se shkon nga humbja në humbje, vijnë e të zbojnë mu në zyrën e PD. Me dru, edhe me gurë!
Gjithsesi sot Lulzim Basha dukej luftarak, i vendosur për ta rrëzuar Edi Ramën bashkë me opozitën shqiptare. Nga premtimi që bëri para delegatëve nuk besohet se mund të ketë më marrëveshje mesnate si ai i datës 17 maj 2017./S.Prulli/