Lulzim Basha nga Dibra: Çdo sulm rus mbi Shqipërinë është sulm mbi SHBA dhe NATO-n
Lulzim Basha sot nga Dibra, ku përmbylli fushatën zgjedhore në këtë Bashki, theksoi se sulmi rus është kërcënim për mbarë botën, ndërsa shtoi se ka rrezik për destabilizim të rajonit.
“Të ndajmë të shkuarën nga e ardhmja, pesimizmin nga optimizmi. Dibranët e ndodhur kudo anembanë botës, kurrë nuk kanë qenë të izoluar me ngjarjet që ndodhin anë e mbanë botës. Një nga këto ngjarje që po ndodh, është pushtimi që po i bën Rusia Ukrainës. Ky është kërcënim për mbarë botën. Betejë midis të keqes dhe të mirës. Është betejë që Dibra e njeh shumë mirë. Me numra më të vegjël se ushtritë pushtuese, është gjendur në lufta të pabarabarta, duke luftuar kundër shumë krajilijve, por ia kemi dalë të mbrojmë Dibrën. Sot është moment i rëndësishëm dhe për sakrificat e stërgjyshërve tanë. Ngjarjet që po ndodhin në Ukrainë mund të destabilizojnë dhe rajonin tonë, përmes aleatit të Rusisë, që i kanë lënë shpesh shapkat shpesh në bregun e Drinit.
Çdo sulm kundër Shqipërisë, është sulm ndaj SHBA. Ne jemi të mbrojtur në çdo rast. Detyra jonë si PD është që qëndrojmë ashtu siç kemi lindur, partnerë të SHBA-ve. Të tillë kemi lindur dhe do vazhdojmë dhe të tillë do të ecim para me zgjedhjet që do të bëjmë dhe këtë të diel. Kjo situatë e krijuar me sulmin në Ukrainë, do të ndikojë në vendin tonë, siç është çmimi i karburantit. Thirrja ime e drejtuar kësaj qeverie është që të marrë masat e menjëhershme. Të ndalë pagesat korruptive të inceneratorëve, që ishte një aferë e pastër korruptive. Plot 430 mln euro kanë shkuar në xhepat e qeveritarëve”, tha Basha