Lulzim Basha: Nuk do njohim një kryeprokuror që zgjidhet nga Edi Rama
Zgjedhja e prokurorit të Përgjithshëm të përkohshëm po krijon tërmet në Shqipëri. Kryedemokrati Lulzim Basha ka paralajmëruar sot se nuk do të njohë një kryeprokuror të përkohshëm të zgjedhur nga mazhoranca në këtë rrugë që e ka nisur.
Duke folur me gazetarët, Basha u shpreh se rruga siç po kërkohet të zgjidhet ky kryeprokuror është antikushtetuese. Kryetari i PD-së tha se nuk njeh interpretimin që kanë bërë për interesa politike të kryeministrit, OPDAD dhe EUROLIUS. Njohim vetëm Kushtetutën e Shqipërisë ku prokurori i përgjithshëm zgjidhet me 3/5 e votave.
Për Lulzim Bashën nuk ka krizë të zgjedhjes së kryeprokurorit, por krizë të dhunimit të kushtetutës. Gjatë një bashkëbisedimi me gazetarët, Basha deklaroi se nuk mund të ketë kryeprokuror që nuk ka kaluar vettingun dhe se ai zgjidhet me 3/5 nga Kuvendi, pas propozimit të KLP.
“Nuk kemi krizë të zgjedhjes së kryeprokurorit, por kemi krizë të dhunimit të kushtetutës dhe të bllokimit të reformës në drejtësi. Duhet të marrin fund propozimet e pazareve politike në kurriz të kushtetutës. Nuk ka shqiptarë që nuk ka dëgjuar për vettingun. Qëllimi i parë i reformës në drejtësi ishte pastrimi i drejtësisë nga të korruptuarit, ndërsa qëllimi i dytë ishte ndalimi i emërimeve politike në sistemin e drejtësisë. Vettingu dhe mbrojtja e sistemit nga politika u sanksionua në kushtetutë“, deklaroi kryetari i PD.
Basha lexoi nenët e kushtetutës në lidhje me prokurorin e përgjithshëm
“Prokurori i përgjithshëm zgjidhet me 3/5 e Kuvendit, për një mandat 7 vjeçar. Kandidaturat duhet të propozohen nga KLP. KLP përzgjedh dhe rëndit tre kandidatët më të kualifikuar dhe ia përcjell kuvendit. Mbarimi i mandatit të kryeprokurorit deklarohet me vendim të KLP. Vetëm KLP përcakton se kur mbaron mandati i kryeprokurorit. Kushtetuta sanksionon se kandidatët për kryeprokuror duhet të kalojnë vettingun. Kushtetuta ka afatë që sanksionojnë krijimin e KLP dhe zbatimin e reformës në drejtësi. Afati i fundit i krijimit të KLP ishte në prill të 2017. Kushtetuta nuk lë hapësira për periudha tranzitore dhe të përkoshme“, tha kryetari i PD..
“Një mandat i siguruar në shkelje të Kushtetutës është nul. Do ndërmarrim çdo hap institucional dhe do të protestojmë. Nuk do të lejojmë Ramën të emërojë kryeprokurorin. Hapat e ndërmarra nga Komisioni i Ligjeve janë antikushtetuese. Një kryeprokuror politik nuk do të luftojë politikanët e korruptuar”.
Sa i përket deklaratave të ambasadorit Donald Lu që bëri thirrje për zgjedhjen e kryeprokurorit me shumicë të thjeshtë, Lulzim Basha theksoi se një diplomat i huaj nuk mund të kërkojë kurrë shkeljen e Kushtetutës.
“Nuk komentoj ambasadorët e huaj. Personalisht nuk mund ta imagjinoj që dikush nga trupi diplomatik thotë të shkelë Kushtetutën, kjo është pa sens, thikë në shpinë për reformën në drejtësi për të cilën kanë kontribuuar personalisht vet dy ambasadorët”, deklaroi kryedemokrati Lulzim Basha. Këtë tha mbrëmë edhe ish-kryeministri Berisha te abcnews.
Basha theksoi se në situatën e krijuar Llalla duhet të vijojë të qëndrojë në detyre deri në zgjedhjen e kryeprokurorit të ri.
Basha foli edhe për ftesën e Ramës për një marrëveshje. Basha deklaroi se marrëveshja e vetme është brenda kushtetutës dhe jashtë saj nuk mund të ketë.
“Thirrja ime e menjëhershme për Ramën është të heqë dorë nga dhunimi i kushtetutës. Reforma në drejtësi është në kushtetutë. Nuk mund të ketë prokuror të përgjithshëm pa vetting dhe të emëruar nga një kryeministër“, deklaroi kryeministri
Lidhur me kandidaturat për prokuror të përkohshëm, Basha tha se vetëm vettingu vendos së kush mund të propozohet, dhe pastaj zgjidhen me 3/5 në kuvend. Nëse Rama zgjedh prokurorin e përgjithshëm i vetëm, do ketë përgjigjen e merituar nga opozita.
Pjesë nga bashkëbisedimi i Bashës me gazetarët:
Z. Basha, në kushtet kur mazhoranca ka thirrur sot kandidatët për Prokuror të përkohshëm, cilat do të jenë hapat tuaj?
Basha: Një mandat në shkelje të Kushtetës është pa mandat juridik. Kjo është një rrugë antikushtetuese.
Ne do të ndërmarrim çdo hap dhe do ta denoncojmë. Ne nuk do ta pranojmë kurrë që ta emërojmë Edi Ramën edhe Prokuror të Përgjithshëm përvçse Kryeministër për të mbyllur dosjen.
Z.Basha, ju thoni se duhet ndjekur Kushtetuta. Propozimin për dialog nga Kryeministri e keni refuzuar. KLP nuk është krijuar, vendi nuk ka prokuror. A duhet të ketë një pasues të Llalës në këto momente? Cili është qëndrimi i PD?
Basha: Natyrisht që vendi duhet të ketë një prokuror në parimin e vazhdimësisë së institucioneve. Sa kohë që një prokuror i ri nuk është zgjedhur, prokurori aktual duhet të vazhdojë detyrën ndryshe ai përbën një vepër penale.
Çfarë kërkojmë ne? Krijimin e KLP. Kush e ka mbajtur peng krijimin e KLP? Është pikërisht dështimi i kandidaturave të shoqërisë civile që e ka mbajtur peng KLP. Përgjegjësi është plotësisht e Edi Ramës dhe ne kemi arsyet të besojmë se është e qëllimshme.
Dhe një vit më parë, Edi Rama ka parashikuar me ligj diçka që bie në kundërshtim me Kushtetutën, pra, Prokuror të Përkohshëm, që ta diktojë vetëm me votat e tij. Qëllimi është të lirojë nga akuzat Tahirin, Dakon, oficerët e policisë në kërkim, Sejdinin, Gjinkurin, Ahmetajt dhe veten e tij.
Zgjidhja mund të vijë vetëm përmes kushtetutës.