Lulzim Basha, oligarkët dhe premtimi publik për sekuestrim pasurive të oligarkëve
Mbrëmë Lulzim Basha dukej i prerë në deklaratat e tij publike dhe politike. Edhe në konferencën e shtypit, por edhe te Eni Vasili në Top Channel. Ai tha se do kontrollojë, hetojë dhe do sekuestrojë pasuritë e oligarkëve, të cilët deri në vitin 2013 ishin me PD-në, kurse sot kanë kaluar te Edi Rama, të cilët kanë marrë fonde publike apo koncensione në shkelje të ligjit. Bile shtoi se do të shtohej në ligj edhe sekuestrimi i pasurisë së zyrtarëve të cilët kanë firmosur tendera të tillë abuzivë, kur nuk do të arrinin të justifikonin dot pasurinë.
Basha foli edhe për kohën e PD-së. Ishte një autokritikë publike për nga mënyra se si foli, natyrisht për vitet kur drejtoi PD-ja vendin, si dhe paralajmërim si vendim politik për oligarkët e sotëm. Në emision kur ishte live te Top Channel, here pas here i drejtohej Eni Vasilit se mos shikonte sms-të në celular, por pa dashje shikonte vetë sms-të që i vinin edhe atij nga oligarkët, të cilët PD-ja i denoncoi se do ti kontrolloj dhe sekuestrojë.
Me sa duket duhe të ketë patur kërcënime nga oligarkë të caktuar, sepse kamera e Top Channel e kapte të sikletosur kur ngrinte vështrimin nga telefoni në drejtim të Eni Vasilit.
Por prapë duhet inkurajuar lideri i opozitës në aktin politik për ta kthyer në ligj gjithë ato çka PD dhe ai deklaruan për oligarkët. PD tha se janë 2.2 milliard euro që po jepen e do të vazhdojnë të jepen për oligarkët. Të gjitha nga buxheti i shtetit.
Problemi shtrohet sa do ta mbajë fjalën Lulzim Basha kur të vijë në pushtet, sepse një pjesë e oligarkëve janë të kohës se PD-së, si dhe duke ditur se oligarkët kanë pasuri, media, euro cash dhe mund ta bëjnë PD-në të harrojë çka thotë sot. Sikurse Rama bënte namin para vitit 2013, ndonëse shpresojmë se Lulzim Basha nuk do të bëjë gabimet e Sali Berishës dhe Edi Ramës, të cilët krijuan apo forcuan oligarkët e sotëm.