Lulzim Basha: PD, aleancë me këdo që është kundër Kryeministrit Rama
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha deklaroi sot pas mbledhjes së grupit parlamentar se me vendi nuk ka garanci për zgjedhje të lira me Edi Ramën kryeministër.
Në një komunikim me mediat, Basha renditi tre probleme kryesore, për të cilat tha se opozita do të reagojë. “Sot vendi ka problem mbajtjen e zgjedhjeve të lira, luftën kundër drogës dhe dekriminalimin. Të trija këto probleme e mbajnë Shqipërinë larg rrugës për në Bashkimin Europian”,- tha Basha.
Kreu i PD-së la të hapur koalicion me çdo forcë politike duke nënkuptuar edhe deputetë të PS dhe parti brenda mazhorancës. Basha tha se aleanca e opozitës po zgjerohet çdo ditë e më shumë edhe me pjesëtarë të Partisë Socialiste dhe të mazhorancës që janë në Parlament.
“PD dhe unë si kryetar i saj me një aleancë vlerash që sa vjen e shtohet edhe me faktorë politikë brenda vetë Partisë Socialiste, t’i japim zgjidhje duke larguar problemin për t’u dhënë shqiptarëve zgjedhje të lira dhe të ndershme përmes dekriminalizimit dhe një reforme të vërtetë zgjedhore. Brenda PS apo brenda mazhorancës ka zëra që e kanë kuptuar se me Edi Ramën nuk mund të ecet më përpara”, u shpreh Basha.
Kryetari i PD-së tha gjithashtu se Edi Rama po manipulon opinionin publik dhe qëndrimet e komunitetit ndërkombëtar.