Lulzim Basha: PD nuk bashkëpunon me qeverinë e krimit dhe drogës

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka reaguar sot ndaj idesë për një bashkëpunim (pazar) të ri mes opozitës dhe mazhorancës, për hir të reformave të integrimit. Në mënyrë të qartë, në një takim me të rinjtë, Basha deklaroi se nuk mund të flitet më për bashkëpunim, për sa kohë që Edi Rama është kryeministër dhe vendi ka probleme me krimin dhe dorgën.

Ideja për një marrëveshje të re, apo aleancë pozitë opozitë është hedhur sot edhe nga ambasadorja e BE, Romana Vllahutin dhe raportuesi për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Knut Fleckenstein. Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka replikuar në distancë me raportuesin për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Knut Fleckenstein, i cili vuri theksin tek bashkëpunimi politik për negociatat.

Në një bashkëbisedim me të rinjtë, Basha e cilësoi investim donkishotesk, pasi sipas tij në Shqipëri problemi i vërtetë është lidhja e qeverisë me krimin.

Më vjen shumë keq që edhe sot ka pasur një investim donkishotesk edhe nga nga ndonjë i huaj që flet për çdo gjë përveçse për problemin. Problemi këtu nuk është komunikimi opozitë-qeveri, nuk është përballja opozitë-qeveri, problemi është lidhja e qeverisë me krimin, problemi është kapja e drejtësisë nga qeveria, problemi është ekonomia. Nuk ka investime, taksat rriten. Këto janë problemet e Shqipërisë, të tjerat janë për tu hedhur hi syve, për të bërë alibitë e Edi Ramës”,- tha Basha. 

Kreu i PD-së tha se vendi ka probleme emergjente si krimi dhe droga ku janë përfshirë qeveritarë të lartë dhe çështje nuk lënë hapësira për dialog. “Nëqoftë se do vazhdojmë të kemi Ministra të Brendshëm të lidhur me krimin, kryeministër që bën ligje të posaçme për të grabitur pronën publike, teatrin, që të pastrojë lekët e ‘Yaris’ me kullat. Nëse do vazhdojmë të kemi një drejtësi që nuk ndëshkon politikanët e lidhur me krimin por i mbron ata, që merret me justifikimin e krimit”,- tha Lulzim Basha.

Kreu i PD-së e ka cilësuar bashkëpunimin me PS, si një ide që nuk përputhet me realitetin.

“Ata që bëjnë leksione, jo bashkëpunimi, jo puthuni. Janë aut fare, ju ka mbaruar koha. Partia Demokratike nuk bashkëpunon me qeverinë e krimit dhe drogës. PD e ka bërë punën e saj për hapjen e negociatave, duke parë të vërtetat në sy, duke ju thënë europianëve kështu është siç thoni ju, por pikërisht se është kështu na duhet ndihma juaj dhe hapja e negociatave do të ishte një ndihmë shtesë për ti mbajtur përgjegjës. Por nuk mjaftoi as kërkesa jonë dhe as aspirata e gjithë shqiptarëve. As një vendi nuk i janë hapur negociatat në këto kushte ku është Shqipëria sot. Detyra jonë e parë është tën çlirojmë politikën nga krimi dhe kjo nuk vjen duke i dhënë falje Edi Ramë por duke i treguar Edi Ramës dhe qeverisë së tij të lidhur me krimin derën, duke  e larguar këtë qeveri. Vetëm kjo na çon tek hapja e negociatave”,- tha Lulzim Basha.

Një ditë më përpara se Lulzim Basha të fliste sot zyrtarisht, në një prononcim për Koha Jone online, Edi Paloka, Edmond Spaho, Grida Duma, Ervin Salianji, Flamur Noka deklaruan se asnjë bashkëpunim, aq me tepër bashkëqeverisje, nuk bëjmë me Edi Ramën.

SHKARKO APP