Lulzim Basha: PS dhe Rama, sulme të pista kundër njeriut të Merkel
Prej disa ditësh media afër Partisë Socialiste kanë botuar një seri shkrimesh kundër Kryetarit të Komisionit të Çështjeve të BE-së në Bundestag, Gunther Krichbaum. Në artikujt thuajse të shkruar nga e njëjta dorë, Krichbaum akuzohet për lidhje me Rusinë dhe deri për përfshirje në trafikun e fëmijëve. Ndër të tjera, artikujt theksojnë se politikani gjerman financohet nga PD për të bllokuar integrimin e Shqipërisë dhe çeljen e negociatave me BE.
Lidhur me këto sulme, kreu i PD-së Lulzim Basha ka dalë sot në një deklaratë për mediat, ku ka akuzuar Edi Ramën si sponzorizuesin e fushatës kundër një prej politikanëve më të rëndësishëm të Bundestagut gjerman.
Basha theksoi se Gunther Krichbaum, përveç se Kryetari i Komisionit të Çështjeve të BE-s në Bundestag është dhe një prej njerëzve që përfaqëson politikën e Angela Merkel lidhur me qëndrimin e Gjermanisë për BE dhe Ballkanin. Zyra e shtypit e PD shpërndau dhe disa foto ku Merkel dhe Gunther Krichbaum marrin pjesë në aktivitete të ndryshme të BE dhe Gjermanisë.
Basha tha se dënon sulmet e frymëzuara dhe të financuara nga Edi Rama, Erion Veliaj dhe Saimir Tahiri, me anë të medieve që ata kontrollojnë. “Gunther Krichbaum është një figurë e nderuar në Gjermani. Gjëja më e ndyrë e kësaj fushate që po zhvillohet prej 3 ditësh në media është se ajo financohet nga paratë e krimit, drogës dhe korrupsionit qeveritar që lidhen drejtpërdrejt me Ramën, Tahirin dhe Veliajn. Këto sulme dëmtojnë Shqipërinë. Me sulmet ndaj Gunther Krichbaum Edi Rama po shton numrin e deputetëve gjermanë që janë në mëdyshje për rezultatet në Shqipëri”, tha kreu i PD-së, Lulzim Basha.
Gunther Krichbaum është një nga zërat kritik për reformat në Shqipëri dhe mungesën e standardeve demokratike. Disa herë ai ka vizituar Shqipërisë ku ka kërkuar rezultate konkrete nga qeveria në luftën kundër krimit dhe drogës. Së fundi, ai krijoi qëndrimin e qeverisë shqiptare për mos heqjen e imunitetit të ish-ministrit, Saimir Tahiri.
Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka raguar edhe raportin e publikuar nga DASH, sipas të cilit për vitin 2017 korrupsioni në Shqipëri rezulton i përhapur në të gjitha nivelet e qeverisjes. Në një deklaratë për mediat, Basha tha se keto janë shqetësime të përcjella edhe më herët nga Partia Demokratike.
Sipas Bashës, raporti i DASH është “një pasqyrë e vërtetë e realitetit të trishtë të Shqipërisë”, duke u ndalur tek blerja e votës, drejtësia e kapur, qeveria e korruptuar, etj.
“Raporti është i qartë dhe i kuptueshëm për të gjithë. Për fat të keq është një pasqyrë e vërtetë e realitetit të trishtë të Shqipërisë, këtë herë i përcjellë nga SHBA. Janë disa shtylla kryesore ku ndalet raporti i DASH, si: zgjedhje të blera, qeveri e korruptuar, drejtësi e kapur, media të kapura, çdo kush mund t’i lexojë vetë këto gjetje. Flitet për arrestime, mbajtje të paligjshme të qytetarëve në polici, kushte çnjerëzore në vendet e ndalimit, bllokim i emërimeve në drejtësi, emërime politike, etj. Këto janë shqetësime të ngritura edhe më herët nga PD”, u shpreh kryedemokrati Basha.