Lulzim Basha sqaron demokratët :Ja pse shkova tek Rama – Meta
Nga Lulzim Basha
(Facebook)
Prania ime në Konferencën Kombëtare “Korrupsioni zgjedhor; Nevoja për një reformë elektorale të thelluar dhe gjithëpërfshirëse” ishte një shenjë vullneti që edhe në këtë situatë të rëndë, të paprecedentë në këto 25 vite për të tu ulur pa paragjykim për të nesërmen, por ama duke mos shmangur asnjë përgjegjësi dhe duke mos i ikur asnjë sfide që shtron për zgjidhje rekordi i tmerrshëm i prishjes dhe kapjes së zgjedhjeve, i korrupsionit zgjedhor, i blerjes së votave dhe i manipulimit të vullnetit të popullit në këto dy vitet e fundit.
Qytetarët shqiptarë të kenë më në fund një proces transparent dhe që t’u përgjigjet atyre. Sepse sovrani janë ata, paratë janë të tyre, pushteti është i tyre. Çdokush që është në pozitat e uzurpimit duhet të marrë faturën.
Sot një votë ka çmim, një mandat ka çmim, një zonë shumë emërore ka çmim, një Parlament ka çmim në euro, sigurisht mund të përkthehet edhe në dollarë, apo lekë. Ky është fundi i demokracisë para se të fillojë ashtu siç duhet.
Pushteti me çdo kusht prodhon korrupsionin politik, ky pjell korrupsionin zgjedhor që blen pushtetin. Pushteti i korruptuar prodhon mega korrupsionin e tenderave, të ankandeve, të koncensioneve. Ky korrupsion blen mediat, lidh policinë, prokurorinë, gjykatat dhe këtu fillon e gëlon edhe krimi i organizuar nën tutelën e qeveritarit të korruptuar. Ky është modeli i shtetit mafioz-oligarkik ku nuk ka më demokraci por ka një merkato. Në vlerësimin tim dhe të opozitës këtë e kemi sot këmbëkryq në Tiranë dhe në Shqipëri.
Hapat që duhet të hedhim janë vendimtarë në qoftë se konfirmohet vullneti politik për të shkuar përtej germës së ligjit, tek shpirti i ligjit. Për të pastruar listat e ardhshme zgjedhore, jo thjesht nga personat me rekorde kriminale sepse këtë tashmë e dikton ligji, por nga çdo influencë kriminale. Për ti dhënë shqiptarëve atë që meritojnë, më të mirën mes demokratëve, socialistëve, lësëistëve dhe çdo partie tjetër. Për të mos i dhënë mundësi zgjedhjeje mes një ish të dënuari për prostitucion dhe një ish të dënuari për trafik droge, por mes një profesori, një profesionisti, një militanti që i bashkohet partisë politike për idealet dhe vlerat që ajo mbart jo për peshën e kuletës apo numrin e “Range Rover”-va, apo numrin e djemve të armatosur që do të mobilizojë ditën e votave.
Nuk ka asnjë tërheqje të opozitës sa i përket faktit se establishmenti aktual, përgjegjës për gjendjen ekonomike dhe të korrupsionit në vend të cilin e kemi denoncuar me shifra, me fakte dhe vazhdojmë të denoncojmë ditë për ditë, nuk është në gjendje të organizojë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Prandaj një parakusht për zgjedhje të lira dhe të ndershme është një qeveri teknike.