Lulzim Basha: Vjedhje e tmerrshme te Unaza, 2 mijë euro për një centimetër!

Kreu i Partisë Demokratike paralajmëroi sot se gjithë zyrtarët që kanë marrë pjesë në projektin e Unazës së Re do të ndiqen penalisht.

Në një deklaratë për mediat, Lulzim Basha tha se projekti që po u merr pronat dhe shtëpitë banorëve është një projekt hajdutërie. Kreu i PD-së bëri përgjegjës për situatën kryeministrin Edi Rama. Ai tha se Edi Rama ka bërë negocime private për këtë projekt duke shkelur gjithë ligje vendit. “Vjedhja e Unazës së Re është bërë nga Edi Rama. Gjithçka është bërë me negocim privat nga Edi Rama. Çdo ligj i mundshëm është shkelur. Rruga e Ramës po kushton 2 mijë euro për centimetër”,- tha Lulzim Basha.

Kreu i PD-së shtoi se firma që ka marrë përsipër ndërtimin njihet se ndërtuesja e vilës private të Edi Ramës dhe financuesja e ekspozitave të kryeministrit jashtë shtetit. Në fjalën e tij, kreu i PD-së u shpreh se edhe pse kemi të bëjmë me vjedhjen më të madhe në vend, “qeveria nuk ka gjetur asnjë kacidhe për t’ua dhënë atyre që u shemben pronat”.

Duke u ndalur te projektet e tjera për Unazën e Re, Basha tha se në “dy lotet e tjera banorët janë shpronësuar, ndërsa në këtë lot qeveria ua ka hequr këtë të drejtë”. Kryedemokrati tha se e drejta e pronës është e drejtë kushtetuese dhe banorët duhet të dëmshpërblehen.

“Pretendimi se shembja e banesave po bëhet sipas ligjit është mashtrim. Është mashtrim për t’i hapur rrugën vjedhjes së madhe 40 milionë euro që ka planifikuar Edi Rama. Banorët kanë më shumë se 20 vite që njihen nga shteti; u është dërguar fatura e ujit, dritave. Ata kanë blerë tokën në atë vend me dokumente. Të gjithë janë në proces legalizimi. I vetmi moment që shteti nuk i njeh është kur Edi Ramës i erren sytë për të vjedhur”,- tha Lulzim Basha.

Kreu i PD-së, Lulzim Basha ka kritikuar ashpër ambasadorët dhe organizatat ndërkombëtare në Shqipëri për heshtjen lidhur me protestën e banorëve te Unaza e Re. Basha tha se këto ditë po shihet dhunë barbare ndaj grave dhe fëmijëve nga policia dhe asnjë shoqatë ndërkombëtare, ambasadorë, apo shoqëri civile nuk flet.  “Kam një pyetje për organizatat ndërkombëtare; ku jeni? Për çfarë paguheni? Për të bërë pasarela dhe për të ngrënë e të pirë dhe për të na treguar cilësinë e verës? Pse heshtni? Heshtja iu bën bashkëfajtorë”,- tha kreu i PD.

Kreu i PD-së deklaroi se në orën 17:00, ditën e sotme, do të jetë sërish me deputetët e opozitës te protesta e banorëve të Unazës së Re.

https://www.facebook.com/lulzimbasha.al/videos/1045155105663078/

SHKARKO APP