Mafia me shkop bejzbolli/Zhdëpin në dru biznesmenin e 1.5 miliard dollarëve
Biznesmeni amerikano-libanez, Faad Mitri është rrahur barbarisht dje në Tiranë. Sipas njoftimit zyrtar të policisë, rrahja është kryer nga persona ende të panjohur. Makina me të cilën udhëtonte biznesmeni është përplasur me një tjetër automjet në kryqëzimin e Laknasit me rrugën e Rinasit. Pas aksidentit, persona të panjohur kanë rrahur biznesmenin dhe shoferin e makinës me të cilën udhëtonte ai.
Deri në orët e vona të mbrëmjes policia nuk kishte asnjë të dhënë mbi identitetin e personave që kryen sulmin. Ngjarja e raportuar fillimisht si një sherr banal ka vënë në lëvizje thuajse gjithë qeverinë. Biznesmeni është dërguar për kurim në një spital privat dhe disa ministra janë interesuar për kurimin e tij.
Zyrtarisht flitet për një sherr, por të dhënat e tjera nuk përjashtojnë një aksident të qëllimshëm me makinë dhe rrahje për të kërcënuar biznesmenin. Faad Mitri, është një personazh për të cilin dihet pak nga opinioni publik, por që njihet mirë nga qeveritarët dhe njerëzit e botës së biznesit. Arsyeja lidhet me një investim që biznesmeni ka vendosur të kryejë në Shqipëri. Bëhet fjalë për një resort turistik në Gjirin e Lalzit. Projekti i biznesmenit parashikon të investojë në bregdetin shqiptar një shumë kolosale prej 1.5 miliard eurosh. Gjiri i Lalzit është toka më e lakmuar e investitorëve vendas dhe të huaj. Gjatë viteve të fundit ka pasur jo pak ngjarje kriminale, ku grupe të fuqishme biznesi janë konfliktuar për projektet dhe blerjen e tokave në këtë zonë. Për tokat dhe zonat në Gjirin e Lazlit janë vrarë e kërcënuar disa veta. Edhe ky i djeshmi duket se këtë prapavijë ka.
Ndaj sulmi i djeshëm dhe rrahja e investitorit të huaj më shumë se sherr shqiptarësh për gërvishtjen e makinës, mund të ketë pasur qëllim tjetër. Janë disa të dhëna që e klasifikojnë ngjarjen e djeshme jo si rastësi, por si aksident mafioz me qëllim presionin ndaj këtij investimi gjigant. Dëshmitarë që kanë parë nga afër përplasjen dhe sherrin thanë se, agresorët kanë qenë katër persona. Gjatë dhunës janë përdorur shkopinj bejsbolli dhe sende të tjera të forta. “Javaneës” raportonte se, agresorët mësohet t’i kenë thënë biznesmenit: “Ik nga Shqipëria ose ndërprit punimet”. Fakti që kanë pasur “vegla pune” për dajak si shkop bejzbolli nuk ka se si të jetë aksident rastësor e më pas reagim shqiptarçe. Informacionet tregojnë se gjithçka është e sajuar për të rrahur dhe trembur e jo për ta vrarë. Tamam si bandat mafioze në fillim të viteve 1920 në Neë York e Çikago të SHBA.
Ndërkohë, ish-Kryeministri Sali Berisha ka shkuar edhe më tej me versionin e tij në këtë histori. Pak minuta pas publikimit të lajmit për rrahjen e biznesmenit, Berisha tha në Facebook se kemi të bëjmë me një tentativë vrasjeje nga mafia qeveritare.
“Aksidenti ndaj Mitrit, përpjekje për të vrarë atë dhe larguar kompaninë e madhe që ai përfaqëson nga Shqipëria! Sot u bë një përpjekje për të eliminuar fizikisht Faad Mitrin, përfaqësuesin e një kompanie multimiliardere, e cila ka projektin më të madh të investimit prej 1.5 miliard euro në turizëm, në Gjirin e Lalzit në Shqipëri. Ata, të cilët i organizuan vrasjen me aksident automobilistik janë eksponentë të mafies qeveritare, të cilët kishin dalë në pritë t’i merrnin jetën…”,- shkruan Berisha në Facebook.
Një biznesmen i huaj që rrihet barbarisht në Shqipëri është një lajm shumë i keq. Është lajm i keq sepse mesazhi që i jepet biznesit është dhuna, frika, rrahja. Pas kësaj ngjarjeje, çdo investitor që do të niset për në Shqipëri do të mendohet disa herë. Sikur të mos mjaftonin problemet me korrupsionin, me gjykatat, me pronat me “7 pronarë” dhe zyrtarët e paaftë, biznesmenët tani do duhet të llogarisin edhe jetën e tyre. Vijnë në Shqipëri për të investuar dhe rrezikojnë të humbasin jetën në ndonjë cep rruge.
Për vetë jehonën që pati në opinion dhe teoritë e ekzekutimit nga rivalët, institucionet shqiptare duhet të ishin treguar më të shpejta në reagimin e tyre. Ende nuk ka autor të rrahjes. Ende nuk dihet se kush ishin ata që e aksidentuan apo sajuan aksidentin. Biznesmeni në fjalë ka njohje të mëdha ndërkombëtare dhe jehona e një akti të tillë është minus i madh për Shqipërinë. Një vend që nuk të garanton sigurinë, jetën, si mund të thithë investitorë të mëdhenj.
Reklamë më të keqe nuk ka ku gjendet si kjo e rastit të djeshëm, ndaj ka nevojë gjetja e personave për të zbutur sadopak efektin negativ.
Duhen gjetur dhe pa mëshirë dënuar. Ndryshe as biznesmenët shqiptarë nuk hedhin para kur shikojnë se si zhdëpin në dru një superbiznesmen të huaj me lidhje të forta në botën e biznesit dhe të politikës.
Reagon Lulzim Basha
Sipas kreut të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, biznesmeni libanez u rrah nga persona që i kane vendosur gjobë. Në një status në rrjetet sociale, Basha thotë se dhunimi i Faad Mitri u bë nga bandat kriminale të kryeministrit Rama që shantazhojnë dhe i vendosin gjoba biznesit ditë për ditë.
STATUSI NE FACEBOOK:
“Dhunimi mafioz sot ne mes te dites, ne aksin kombetar te Rinasit i investitorit te huaj ne nje prej projekteve me te medha turistike ne vend, qe sjell zhvillim e vende pune, eshte deshmia e gjalle e therese e sundimit te krimit e te bandave ne vend.
Krimit dhe bandave te Edi Rames qe e kane kthyer territorin ne parajsen e kanabisit, qe vendosin gjoba ndaj biznesit, qe jane mbi ligjin dhe kane mbeshtetjen e vazhdueshme qeveritare. Goditja mafioze e investitorit, kercenimi i tij me jete nese nuk largohet, eshte ngjarja me e rende qe mund te ndodhe per ekonomine e rendin, e megjithate Edi Rama ka heshtur, ka mbyllur syte, me nje qendrim njesoj kriminal.
Kjo deshmon qarte se eshte ne krah te krimit, te bandave, te mafias, dhe se ai vete qendron ne krye te kesaj piramide. Por kjo piramide e krimit do te bjere, duke nisur nga neser ne Diber. #Shqiperia me mire pa Edi Ramen”.
Rrahja e biznesmenit, hetime në Tiranë dhe Durrës, 9 të shoqëruar