Majlinda Bregu dhe Ylli Manjani: Do penalizohet gjyqtari i njeriut-kafshë!

Vrasja makabre e gruas nga Fieri prej burrit të saj, ndonëse gruaja kishte “Urdhër Mbrojtje” nga Gjykata, ka sjellë polemika të mëdha se si gjyqtari ka lenë prapë në një banesë burrin dhunues.

Ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani ka reaguar lidhur me shkrimin e publikuar të deputetes Majlinda Bregu. Në postimin e saj në Facebook deputetja kërkonte të ngrihej një çështje gjyqësore për gjykatësit i cili ka dhënë Urdhër- Mrojtje për 43 vjeçaren Liljana Rukaj, që sipas Bregut megjithëse kishte këtë masë mbrojtje, u flak nga dritarja nga burri i saj.

Lidhur më këtë Manjani ka theksuar se në rastin konkreti, “burra-shtaza” si ai meritojnë ndëshkim mbi-njerëzor.

Në replikën e tij ai ka theksuar se ndan të njëjtin shqetësim më zonjën Bregu.

Ja çka shkruar deputetja Majlinda Bregu që solli reagimin e ministrit të drejtësisë:

“Zoti ministër i Drejtesisë!

Një grua është flakur dje nga nga ballkoni i shtëpisë si plaçka më e pavlefshme, nga një burrë-shtaza i radhës.

Mediat thonë sot se viktima ka patur një “Urdhër mbrojtje” nga Gjykata e Fierit pas denoncimeve të mëparshme për ushtrim dhune ndaj saj. Urdhëri i mbrojtjes kur një grua e dhunuar kërkon ndihmë e detyron kriminelin burrë që pavarësisht nga “soji i hallit” që paraqet si shkak për shtazërinë: -të largohet nga banesa – të mos i afrohet bashkëshortes dhe fëmijëve – të ruajë distancen nga shtëpia ku ajo jeton bashkë me fëmijët apo nga vendi i punës dhe shkolles së fëmijëve etj etj.

Unë jam e qartë se fuqia jonë e veprimit dhe reagimit kundër një kërcënimi si dhuna ndaj grave që është terrorizem i qartë, i pastër, i çmendur në vend të jetë po aq e egër sa egërsia e shtazëve, po rrezikon të mbetet vetëm tek keqardhja njërëzore.

Por ky rast po me tmerron nga ky detaj: Urdhri i mbrojtjes!

Zoti ministër!

Kush është ai gjyqtar që paska lëshuar një “Urdher- mbrojtje” që e lë burrin që gruaja e padit për dhunë, të jetojë në një shtëpi me të derisa ta hedhë nga ballkoni????.

Zoti ministër

Kush është ai gjyqtar që u bë shkak për vrasjen barbare të Fierit?

Nëse kjo është tërësisht e vertetë, padinë për këtë gjyqtar, do ta bej vetë”, (Majlinda Bregu)

Reagimi i Ministrit Yll Manjani:

Përshëndetje,

Deputetja dhe Kryetarja e Komisionit Parlamentar të Integrimit, zonja Majlinda Bregu ka ngritur një shqetësim në lidhje me ngjarjen e rëndë të Fierit.

Ndaj të njëjtat shqetësime me zonjën Bregu. Ngjarja është tepër e rëndë aq sa i tejkalon kufijtë e njerëzores! “Burrë-shtaza” që e ka kryer këtë krim meriton pa dyshim një ndëshkim mbi-njerëzor!

Në këtë moment nuk di shumë detaje për çështjen e lëshimit të urdhërit të ekzekutimit, por pas një interesimi on line të personelit të Ministrisë, del gjykata e Fierit ka pranuar edhe provizorisht edhe përfundimisht kërkesën e zonjës së ndjerë tashmë.

Do të doja të kisha një informacion shterrues për pyetjet e zonjës Bregu, por në këtë moment pyetjet që ajo ngre janë edhe të miat.

Pra pyetjet; Përse megjithë urdhërin e mbrotjes e ndjera jetonte përsëri me burrin agresor?! Kush ka gabuar gjykata që ka lëshuar urdhërin apo zbatuesit e atij Urdhëri?!

Megjithë statusin ende të paqartë ligjor, në këtë situatë post-reformë ( askush nuk e di tashmë nëse duhen zbatuar ligjet e reja, që kanë hyrë në fuqi por nuk zbatohen dot, apo do vazhdohet me ligjet e vjetra!!), do te çel nesër një proces hetimor Administrativ, për të sqaruar këto pyetje. Në çdo rast ky hetim do sqarojë edhe përgjegjësitë përkatëse.

Ekziston gjithashtu një rrugë tjetër më e shpejtë, hetimi Penal që besoj ka nisur tashmë!

Prandaj i kërkoj që sot, Prokurorisë së Fierit të përfshijë në hetim edhe procesin e lëshimit të Udhërave të Mbrotjes! Prokuroria ka mundësinë ligjore të sqarimit dhe të veprimit të shpejtë për çdo person përgjegjës!

Sidoqoftë, hetimi ynë Administrativ do fillojë nesër!

Duhet mbyllur njëherë e mirë shtegu i “shtázve” që dhunojnë familjet e tyre! S’ka e s’mund të ketë mbrojtje për shtazët! Mbrojtja është paraparë për njerëzit!

Me këtë rast shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta për humbjen e jetës së një gruaje, nënë e dy fëmijëve!

SHKARKO APP