Majlinda Kelmendi Kampione,merr medaljen e parë të Artë në Olimpiadë
Kosova hyn në histori. Majlinda Kelmendi ka marrë medaljen e artë në Olimpiadën e Rios, duke i dhënë edhe Kosovës të parën medalje të artë në pjesëmarrjen e parë në një garë kaq të madhe.
Xhudisjta kosovare ka arritur të fitojë të Artën në Rio, duke mundur në finale italianen Odette Giuffrida , në kategorinë deri në 52 kilogramë.
Medalja e artë e Lojërave Olimpike, ishte e vetmja medalje që i mungonte krenarisë së Kosovës, por që e arrin atë duke bërë historinë në debutimin e parë të Kosovës në Lojëra Olimpike, shkruan Lajmi.net.
Majlinda rrugëtimin drejt medaljes e nisi duke e kaluar raundin e parë pa luftë, ndërsa në luftën e parë mundi zviceranen Tschopp, pas vetëm 20 sekondave.
Në çerekfinale, Majlinda mundi Legentil, nga e cila ishte mposhtur në Lojërat Olimpike të Londrës në vitin 2012.
Kalimin në finale, xhudistja kosovare e arriti duke mposhtur garuesen e papërshtatshme japoneze, Misato Nakamura.
Kujtojmë se Majlinda ishte pjesë e Lojërave Olimpike të Londrës së vitit 2012, dhe në pamundësi për të përfaqësuar Kosovën, ajo ishte pjesë e ekipit olimpik të Shqipërisë.
Majlinda Kelmendi ka treguar krenarinë e saj për këtë fitore të jashtëzakonshme që arriti në Rio 2016, duke ua kushtuar atë të gjithë shqiptarëve anembanë.
“Jam krenare që kam arritur të tregoj që të rinjtë kosovarë mund të arrijnë suksese të mëdha në sport. Faleminderit krejt shqiptarëve për përkrahjen. Jam e sigurt që të gjithë e kanë shikuar garën dhe besoj se janë më të lumtur se unë. Urime krejtëve, urime për medaljen që e kemi fitu bashkë”, ishte mesazhi i Kelmendit për KTV menjëherë pas duelit. “Kam pasur dëshirë që të përfaqësoj Kosovën dhe jam shumë e lumtur sepse e kam ëndërruar këtë moment. Kam refuzuar miliona nga shtete të tjera. Nuk ka para në botë që mund të më bëjnë të ndihem si sot”, ishin fjalët e saj për “Koha Ditore” menjëherë pas garës.
Ndërkaq, për mediat e huaja, Kelmendi ka treguar emeocionet dhe kuptimin që ka për të kjo medalje e parë. “Jam shumë e lumtur. Të jem e sinqertë erdha këtu me synimin për medaljen e artë, por kjo është një situatë e pabesueshme. Jam shumë e lumtur për veten, për trajnerin, për kombin tim. Kjo është hera e parë që Kosova merr pjesë në Olimpiadë dhe si për herë të parë, të fitosh medaljen e artë është diçka e madhe. Kjo ka shumë vlerë. Njerëzit, sidomos fëmijët në Kosovë, më shohin si hero. Unë sapo u provova se edhe pas luftës, edhe pasi i mbijetuam një lufte, nëse ata e dëshirojnë diçka, mund ta arrijnë. Nëse ata duan të bëhen kampionë olimpikë, mund të bëhen, edhe pse vijnë nga një vend i vogël. Nga një vend i varfër”, deklaroi Kelmendi.
Asaj ia dorëzoi medaljen e artë vetë presidenti i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, Tomas Bah, i cili ua kishte premtuar një gjë të tillë autoriteteve sportive kosovare nëse Majlinda do të merrte medaljen e artë. Në momentin e ceremonisë, përkrah tij ishte edhe Marius Vizer, presidenti i Federatës Ndërkombëtare të Xhudos, organizata e parë sportive ndërkombëtare e cila njohu zyrtarisht Kosovën.