Mallkimi i minutës së fundit në Francë

Tashmë është kthyer në një makth të kombëtares. Luajmë shkëlqyeshëm, tregojmë klas, forcë dhe stil. Bëjmë presion në fushë dhe i kthejmë ekipet e mëdha si Franca në mbrojtje. Dominuam lojën, por në fund, në ato pak minuta para se arbitri t’i binte bilbilit, u ndëshkuam.

 Kombëtarja jonë pas një lojë të shkëlqyer dhe të pabesueshme, në minutën e fundit pësoi golin fatal. Më pas, goli tjetër erdhi si pasojë e gjendjes së shokut që u krijua në ekip. Duket si një mallkim i kombëtares, pas një loje brilante pëson një ndëshkim të pamerituar. Është një histori që përsëritet gjithmonë pak para se të prekim shijen e fitores.

Humbjet janë të hidhura gjithmonë. Dje trishtimi ishte dhe më i madh. Me atë lojë të shkëlqyer të skuadrës tonë meritonim patjetër  barazimin. Po kështu edhe me Zvicrën, luajtëm mirë, por ndëshkohemi. Franca, me emrin e madh që ka në futboll dhe futbollistët, kontratat  e të cilëve vlejnë sa gjithë lojtarët e kombëtares tonë nuk mund të gabonte.  Është një Francëe madhe, të cilën mbrëmë kombëtarja shqiptare e uli në gjunjë deri në minutën e 90. Më pas fati na ndëshkoi. Edhe paksa lodhja dhe mungesa e eksperiencës. Por ama bëmë histori mbrëmë , derisa Franca e gjitha u hodh përpjetë nga gëzimi kur më në fund bëri një gol.

Mbrëmë pamë një Shqipëri madhështore dhe dinjitoze. E gjithë loja ishte në favor të ekipit tonë. Një betejë sportive që tregoi se ekipi i Shqipërisë ndodhet në Kampionatin Europian me meritë përkrah skuadrave të tjera të suksesshme. Shqipëria humbi, por ishte një humbje dinjizote. Mjafton të shihje reagimin e francezëve, që pas golit të parë ndjeheshin sikur kishin bërë ndeshjen finale të kampionatit dhe jo një garë brenda grupit.

Skuadra shqiptare bëri një ndeshje spektakolare. Gjatë 89 minutave dha shpirtin në fushë, duke treguar se ishte skuadra më luftarake. Pjesa e parë ishte ajo që do të mbahet mend më gjatë. Çdo detaj në funksionimin e ekipit ishte perfekt. Ekipi ynë u mbrojt mirë në pjesën e parë. Në disa raste Lenjani me goditje nga larg dhe një sulm nga e djathta me protagonist Hysajn dhe Sadikun mund të na kishte dhënë avantazhin. Disa raste të tjera, nëse do të ishin organizuar më mirë, ekipi unë nuk do të vuante aq shumë në pjesë e dytë. Efekti i presionit shqiptar ishte i dukshëm, teksa ekipi francez u detyrua të ndërronte të tre sulmuesit e saj. Futi gjithë yje Franca në fushë kundër Shqipërisë.

Në Francë nuk ishin vetëm 11 lojtarët, por edhe një tifozeri e mrekullueshme. Mijëra shqiptarët që shkuan për të ndjekur ndeshjen i dhanë përballjes një spektakël të vërtetë. Dje ekipi tregoi se është denjësisht në lartësinë e futbollit më të mirë të kontinentit, ndërsa tifozët treguan se jemi me të vërtetë europianë. Gjithçka ishte e kompletuar, por fati nuk ishte me ne.

Ëndrra e Europianit vazhdon edhe më një ndeshje. Më 19 qershor jemi më Rumaninë në ndeshjen e fundit, që do të përcaktojë qëndrimin tonë në kampionat. Rasti i Francës duhet të jetë dhe një leksion që me Rumaninë ta kemi më të lehtë fitoren. Nëse luajmë si dje, por pa gabimet e minutës së fundit, suksesi është i garantuar.

Mbrëmë ishim të shkëlqyer, por edhe fati të prish punë !

 

SHKARKO APP