Manjani: Kushtetuta ngarkon Presidentin për kryesimin e negociatave
Ylli Manjani ka reaguar pas kërkesës së qeverisë drejtuar Presidentit Meta. Ai shkruan se Presidenti i Republikës i drejton në themel negociatat, natyrisht nëpërmjet negociatorëve zyrtarë që ai cakton. Padyshim edhe me negociatorë të propozuar nga Qeveria.
Në lidhje me këtë temë sot Presidenti i Republikës, Ilir Meta filloi një seri konsultash me ish-kryetar të shtetit shqiptar. Sot ishin Bamir Topi e Bujar Nishani dhe do të vazhdojë me Sali Berisha, Rexhep Mejdanin, Alfred Moisiun.
Reagimi i Ylli Manjanit:
Një sqarim kushtetues.
Ka një keqkuptim të madh me kërkesën e qeverisë për Plotfuqishmëri, që kërkon nga Presidenti i Republikës për të negociuar e nënshkruar marrëveshjen e kufirit detar me Greqinë.
Sipas Gjykatës Kushtetuese me numër 15 i datës 15.04.2010, vendim i cili është pjesë e Kushtetutës, Presidenti në këtë rast nuk lëshon thjesht një autorizim dhe rri e pret!
Presidenti i Republikës i drejton në themel negociatat, natyrisht nëpërmjet negociatorëve zyrtarë që Ai cakton! Padyshim edhe me negociatorë të propozuar nga Qeveria!
Kërkohet të lidhet një marrëveshje ndërshtetërore me natyrë politike, ndaj Gjykata Kushtetuese, pra Kushtetuta, ka mandatuar Presidentin ta drejtojë këtë proces.
Pa dyshim Qeveria nuk përjashtohet, por ajo duhet thjesht në vihet në shërbim të negociatave që duhet të drejtohen nga kryetari i Shtetit.
Pra me pak fjalë, qeveria s’ka pse kërkon plotfuqishmëri, por të vihet në shërbim në ekipit negociator!
Kjo ështe qasja e duhur dhe korrekte me përcaktimet Kushtetuese.
Këtë sugjeron dhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese që u inicua nga Partia Socialiste që sot qeveris e vetme.
Shpresoj që kjo gjë tashmë të mos ketë debat…