Lu dhe Manjani në akuza ndaj njeri-tjetrit. Njeri për LGBTI, tjetri për drejtësinë

Lu dhe Manjani në akuza ndaj njeri-tjetrit. Njeri për LGBTI, tjetri për drejtësinë. Ka qenë ambasadori amerikan që e ka thumbuar sot ish-ministrin e drejtësisë së LSI, Ylli Manjanin për mungesën e tolerancës ndaj komunitetit LGBTI.

Ambasadori amerikan në Tiranë, Donald Lu ka preferuar të flasë me emra të politikanëve që kanë bërë komente kundër komunitetit të LGBTI. Duke folur në një aktivitet të Kuvendit, Lu tha se kanë ndjekur komentet e Ylli Manjanit, Tritan Shehut dhe Oriola Pampurit, të cilëve u thotë: “Vetëm pak prej tyre kishin vërtetë kurajo, Igli Totozani, Vasilika Hysi, Elona Gjebrea dhe Olta Xhaçka. Kemi ndjekur debatin e nxitur nga komente të bëra nga Ylli Manjani, Tritan Shehu dhe Oriola Pampuri. Shpresoj që drejtuesit politikë ta kuptojnë që fjalët e tyre përfaqësojnë jo vetëm bindjet e tyre vetjake po dhe të njerëzve që i kanë zgjedhur për t’i përfaqësuar”, tha Lu.

Me tone të ashpëra i është përgjigjur ish-ministri Ylli Manjani, qëndrimit të Ambasadorit Lu, për gjuhën që ish-ministri pati ndaj çëshjtes LGBTI-së.

Në një postim në Twitter, Manjani shkruan se po ndjek me vëmendje debatin në SHBA, se si Ambasadori Amerikan në vendin tonë, Donald Lu, ka dorëzuar sistemin e Drejtësisë në duart e qeverisë. “Judicial Watch”, një grupim aktivistësh amerikanë konservatorë kanë publikuar së fundmi dokumenta në lidhje me përfshirjen e ambasadës amerikane në Tiranë, sipas tyre, për të ndihmuar Edi Ramën të fusë në dorë sistemin e drejtësisë. Në mars 2017 një grup prej 6 senatorësh amerikanë të kryesuar nga Mike Lee i dërguan një letër Sekretarit të Shtetit të asaj kohe Rex Tillerson që të hetonte nëse zyrtarë amerikanë kishin përdorur fondet e taksapaguesve për të mbështetur Sorosin në Shqipëri. Në letër thuhej: “Fondacioni për një Shoqëri të Hapur” dhe ekspertët e tij me fonde të USAID kanë hartuar të ashtuquajturin “Dokument Strategjik për Reformën në Drejtësi në Shqipëri”. Disa politikanë besojnë se këto “reforma” kanë si qëllim t’i japin kryeministrit dhe qeverisë së tij të qendrës së majtë një kontroll të plotë mbi drejtësinë”.

Kjo akuzë e “Judicial Watch” u kundërshtua nga ambasadori amerikan Lu gjatë emisionit te Blendi Fevziu. Po kështë edhe vetë “Fondacioni për një Shoqëri të Hapur” në Tiranë hodhi poshtë akuzat. Ndërsa Ylli Manjani ia kujton në replikën e tij të sotme se “po ndjek hetimin në SHBA për dorëzimin e drejtësisë te Edi Rama”…

 ”Edhe unë zoti Lu, po ndjek me vëmendje debatin në Amerikë për përfshirjen Tuaj në dorëzimin e Sistemit të Drejtësisë së Shqipërisë në duart e Qeverisë! Kjo është më e rëndësishme! Ndjesë që nuk debatoj dot me ty në Kuvend sepse nuk jam deputet”,-shkruan Ylli Manjani.

SHKARKO APP