Manjani: Xhafa të tërheq deklaratat për LSI. Po mashtron për negociatat
[youtube url=”https://www.youtube.com/watch?v=wTNd_9vov8o&feature=em-uploademail” width=”560″ height=”315″]
Ministri i Drejtësisë dhe negociatori i LSI për reformën në drejtësi, Ylli Manjani ka kërkuar nga Kreu i Komisionit të Ligjeve, Fatmir Xhafa të tërheq deklaratat që ka bërë në adresë të tij.
Manjani u shpreh se është e turpshme që kreu i komisionit të ligjeve të mashtrojë në mënyrë të hapur. “Nuk jam unë që kam penguar mbledhjen e komisionit. Komisioni thirrje nga kreu i saj që është z. Xhafaj. Ky është një spekulim dhe mashtrim shumë i keq. Ai tha se kam kthyer përgjigje në email. Unë nuk e pranojë këtë gjë”,- tha Manjani.
Prononcim i plotë për mediat i Ministrit të Drejtësisë, z. Ylli Manjani
Z. Manjani për çfarë u ra dakord që të vijojnë negociatat?
Nuk e di unë se për çfarë është rënë dakord. Unë dua të bëj një deklarim para jush se ato që dëgjova publikisht nga Kryetari i Komisionit të Ligjeve të Parlamentit të Republikës së Shqipërisë dhe Kryetari i Komisionit të Posaçëm për Reformën në Drejtësi në lidhje me një e-mail timin janë shpifje shumë të rënda. E papranueshme të paktën për mua. Sepse z. Kryetar e ka marrë dje një e-mail, jo nga unë, por nga Misioni OPDAT dhe ai e-mail ishte mjaftueshëm që ai të mblidhte komisionin. Tani përgjegjësinë për mosmbledhjen e komisionit ai nuk mund ta kërkojë tek unë. Sepse e-maili im ose përgjigjja ime për negociatorët dhe për të gjithë ata që ishin të përfshirë në këtë komunikim, përfshirë dhe z. Xhafaj, ka qenë në tekst kjo që po ju them:
Unë nuk e di se për çfarë rishikimi të tekstit ju keni rënë dakord. Ka shumë ndryshime nga ajo që kemi diskutuar dhe kemi rënë dakord ditën e hënë sepse ka ndryshime. Teksti pretendon që ka ndryshime të propozuara nga zyra e Kryeministrit të cilat nuk janë kjo thelbi i gjësë. Kërkesa ime për negociatorët për t’u mbledhur është injoruar dhe ju e dini pasi unë kam dalë para jush dhe kam thënë që jam në Kryesinë e Kuvendit dhe pres që të mblidhemi.
Dhe kjo kërkesë u injorua.
Kështu që unë nuk mund të shprehem as dakord, as mosdakord në lidhje me këtë çështje në e-mail. Jam në Kryesinë e kuvendit dhe po pres të mblidhemi.
Ky është teksti i e-mailit tim rreth gjysmë ore më vonë pasi e kishin marrë këtë e-mail. Kështu që ju lutem shumë dhe do t’i kërkoj shumë miqësisht z. Xhafaj dhe gjithë të tjerëve që spekulime me fjalët e mia unë nuk lejoj. Nuk lejoj për asnjë arsye, aq më tepër në këtë moment, kaq të rëndësishëm për Shqipërinë. Kam qenë, mbetem dhe do të jem mbështetës i reformës në drejtësi pa më të voglin diskutim.
Jam Ministri i Drejtësisë dhe mua nuk më lejohet të jap opinione personale, siç kërkon z. Xhafaj ta kanalizojë këtë gjë. Opinionet personale për z. Xhafaj jam gati t’i ballafaqoj ku të dojë ai, por të keqpërdorë fjalët e ministrit të Drejtësisë, një negociatori të mandatuar për qëllimet e tij politike apo personale, kjo është krejtësisht puna e tij. Kështu që i bëj thirrje që ta tërheqë atë që tha dhe të mos spekulojë, të paktën me fjalët e mia jo. E përsëris, e-maili im, dhe do të kuptoni që unë nuk jam shprehur që jam kundër, por kam thënë që nuk mund të shprehem as pro, as kundër me e-mail. Hajdeni të mblidhemi, të arsyetojmë dhe të biem dakord. Kjo ka qenë.
Jeni një nga negociatorët, a do të mblidheni sërish tani?
Unë nuk jam kryetari i negociatorëve. Unë përfaqësoj Lëvizjen Socialiste për Integrim në ato negociata. I kam përfaqësuar me shumë dinjitet dhe kemi arritur pothuajse në marrëveshjen e ditës së hënë të cilën insistoj që ta sqaroj: Ajo marrëveshje është plotësuar me letrën e z. Hahn. Kjo është e vërteta. Mbi atë dokument ne nuk kemi punuar më bashkërisht. Kërkesa ime e përsëritur për t’u mbledhur dhe për të rënë dakord dhe për ta përfunduar atë punë është injoruar pothuajse nga të gjithë. Madje nga një përfaqësues i huaj, që s’po e them tani, tha që nuk kemi mandat ta vazhdojmë. Plotësisht dakord. Është një injorim i kërkesës sime, por ama kjo nuk mund të përdoret tani si alibi nga ana e Kryetarit të Komisionit të Posaçëm, alibi për të justifikuar moskryerjen e detyrës kushtetuese. Ju kujtoj që ka një vendim të Kuvendit që e autorizon Komisionin e Posaçëm që të paraqesë një raport me draft përfundimtar për t’ia çuar seancës. Kjo është detyrë kushtetuese dhe detyrën kushtetuese nuk e kam unë detyrë t’ia kujtoj askujt. Secili të bëjë detyrën në bazë të ligjit.
Ekspertët e huaj janë tërhequr nga negocimi pasi? Ju sapo citua njërin prej tyre që tha se nuk kemi mandat…
Nuk e di këtë gjë, nuk kemi mandat të mblidhemi, por jo që nuk do të negociohet. E përsëris, shihni tekstin se e kam shkruar qartë dhe shumë pastër. Pra nga teksti i ditës së hënë deri te teksti i mbrëmshëm ka pasur ndryshime dhe për këtë kam kërkuar që të mos shprehim dakordësi ose mosdakordësi online, me e-mail, por të mblidhemi 5-10 minuta dhe ta mbyllim këtë histori. Kjo mbledhje nuk u bë dhe ky nuk është faji im. Dhe kjo nuk mund të përdoret si alibi për të justifikuar moskryerjen e detyrës kushtetuese. Kjo është ajo që dua të them dhe e konsideroj edhe njëherë një spekulim dhe një shpifje shumë e keqe.