Manjola Zeka: Çfarë njerëzish veshin uniformën e shtetit nën betimin se “do jemi në mbrojtje të jetëve njerëzore”?

Nga Manjola Zeka:

Aksidentet ndodhin. Sidomos në një zonë ku s’ka as mbrojtje, as paralajmërim, as respekt për pushuesit, as kujdes, e mbi të gjitha ku ata që duhet të jenë në mbrojtje të jetës edhe kur janë civilë, në fakt vetëm e neglizhojnë atë. Por mua ka kohë që s’më trondisin më këto fakte të tmerrshme që po i bëjmë pjesë të jetës. Më trondit personi, që megjithëse ka goditur një fëmijë, qëndron pothuaj i qetë në mjetin e krimit që e drejtonte vetë duke u marrë me telefonin. Normalisht do prisja të mos filmohej në skaf, të ishte pranë fëmijës, të qante e t’i binte kokës me grushta, t’i ulej prindërve në gjunjë, të ulëriste me të madhe, t’i binte dhe të fikët. Por aq gjakftohtë…Jam ende e shokuar. Një fëmijë krejt i pafajshëm ka vdekur nga pakujdesia jote kriminale dhe kjo nuk të jep asnjë ndjesi?!?! Më falni, por në çfarë njerëzish po shndërrohemi? Çfarë njerëzish veshin uniformën e shtetit nën betimin se “do jemi në mbrojtje të jetëve njerëzore”, kur nuk tregojnë as një minimum keqardhje? Si nënë nuk kam fjalë për të ngushëlluar prinderit e 7 vjeçares me fatin e keq. E po si nënë, kam frikë. Kam frikë se në ato brigje do shkoj të pushoj pas pak ditësh. Kam frikë nga transformimi i njerëzve në bisha.

SHKARKO APP