Opozita dhe pozita deklarojnë fitoren. Partitë shqiptare humbasin keq
Luftë nervash dhe shifrash në Maqedoni. Njëherë e shpall fitoren opozita e Zaev dhe më pas del Gruevski që deklaron se ka fituar zgjedhjet parlamentare të ditës së dielë.
Sipas informacioneve që vijnë nga Maqedonia del se Partia LSDM, e udhëhequr nga Zoran Zaev, ka siguruar 51 vende në Parlamentin e ardhshëm të Maqedonisë. Por sipas rezultateve të fundit, edhe VMRO-DPMNE, e udhëhequr nga Nikolla Gruevski, ka siguruar 51 vende në Parlamentin e ri maqedonas.
Të dy deklarojnë fitoren. Ndërsa humbje e sigurtë dhe që nuk ka kundërshtime, vjen nga partitë shqiptare të cilat flitet se kanë humbur mbi dhjetë deputetë në raport me zgjedhjet e tjera parlamentare. Shkaku mbetet se sejcili shqiptar krijoi parti politike atje dhe kështu copëtuan votat. Si në Mal të Zi, ku dolën një mori partish shqiptare dhe vota u copëtua.
Një zakon i keq shqiptar në Rajon ku në vend që të përbashkojnë forcat në zgjedhjet politike për tu faktorizuar edhe me shumë në Maqedoni e Mal të Zi, shkojnë dhe e copëtojnë votën. Dhe nuk fitojnë për të qenë faktor të rëndësishëm.
Në zgjedhjet e sotme në Maqedoni subjektet shqiptare, bashkërisht, kanë siguruar 18 vende.
Bashkimi Demokratik për Integrim, i udhëhequr nga Ali Ahmeti, ka siguruar 8 vende, ndërsa Lëvizja Besa ka siguruar 5 vende në Parlament, shkruan Express.
Lëvizja për Reforma PDSH ka siguruar 3 vende, ndërsa PDSH, e udhëhequr nga Menduh Thaçi, ka siguruar 2 vende në Parlament.
Por rezultatet përfundimtare i jep vetëm Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.