Egjiptiani lidh me zinxhirë shqiptarin në anije.” 70 mijë euro,o mbyta anijen!”
Në foton që shihni është një prej dy marinarëve shqiptarë të anijes së peshkimit “Çelepia” të marrë peng nga një marinar egjiptian 5 ditë më parë. Siç shihet në foto ai është i lidhur në duar dhe në këmbë.
Më herët gjatë ditës Policia Kufitare e Durrësit njoftoi se egjiptiani kishte telefonuar Kapitenerinë e Durrësit, të cilës i kishte thënë se do ta fundosë anijen nëse nuk i jepen 70 mijë euro. Anija është lokalizuar në ujërat pranë Aleksandrisë.
Marinari egjiptian Mohamed Sallam, 30 vjeç, e ka kryer këtë akt pasi pretendon se nuk është paguar për punën nga pronari shqiptar i anijes, Murat Çelepia. Më poshtë njoftimi i policisë për ngjarjen.
Në datë 18 qershor 2016, kapiteni i motopeshkatores Dhimitër Malja, 54 vjeç, ka paraqitur kërkesën për nisje të mjetit lundrues për peshkim së bashku me 2 marinarë, shtetasin Luan Mema 56 vjeç nga Durrësi dhe shtetasin egjiptian Adel Mohamed Sallam, 30 vjeç. Motopeshkatorja “Çelepia 2” është në pronësi të shtetasit Murat Çelepia.
Punonjësit e Policisë sipas procedurave standarde ushtruan kontroll në bord dhe pasi u konstatua gjithçka në rregull në orën 14:30 të datës 18 qershor, iu dha leja për nisjen për gjueti në ujërat e brendshme territoriale.
Në orën 24:00 të datës 21 qershor 2016, pronari i anijes “Çelepia 2”, Murat Çelepia u paraqit pranë Policisë Kufitare në Durrës, ku ka deklaruar se ka humbur kontaktet me motopeshkatoren.
Policia Kufitare ka nxjerrë menjëherë në patrullim mjetin lundrues. Megjithë kontrollin me radar dhe thirrjeve të vazhdueshme në kanalin e komunikimit, nuk është bërë e mundur gjetja fizike e motopeshkatores.
Të gjitha veprimet e Policisë Kufitare janë koordinuar me Rojen Bregdetare. Trupa Detare e Forcave të Armatosura nisën në mënyrë të menjëhershme operacionin e kërkim-shpëtimit.
Në datë 22 qershor 2016 rreth orës 10:00 shtetasi egjiptian Adel Mohamed Sallam ka marrë në telefon bashkëkombasin e vet shtetasin egjiptian R. A., 53 vjeç, i cili punon në Portin Detar Durrës duke i thënë se motopeshkatorja ndodhet në afërsi të Aleksandrisë në Egjipt.
Ai kërkon 70 mijë euro duke kërcënuar se do të fundosë anijen së bashku me 2 marinarët shqiptarë.
Në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.