Marrëveshja me Greqinë. Presidenti Meta: Do veproj sipas Kushtetutës
Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka reaguar sot për çështjen e marrëveshjes për paktin detar mes Shqipërisë dhe Greqisë.
Në një reagim publik, Presidentit Meta shprehet se po e ndjek më vëmendje këtë çështje dhe do të veprojë vetëm sipas ligjeve dhe Kushtetutës së Shqipërisë.
Duke ju përgjigjur komenteve të shumta që ka marrë në media dhe në rrjetet sociale nga qytetarët lidhur me paktin detar me shtetin fqinj, Presidenti thekson se e mirëkupton shqetësimin e qytetarëve lidhur me këtë pakt.
Gjithashtu ai garanton se çdo hap që do të bëhet nga Presidenca në këtë drejtim do të jetë në funksion të zbatimit të ligjit.
“Të dashur komentues, i jap të drejtë shqetësimit tuaj, të nxitur edhe nga lajmet dhe deklaratat e ndryshme lidhur me marrëveshjen e detit me Greqinë. Unë jam duke ndjekur me shumë vëmendje dhe kujdes, por jo me nxitim, këtë çështje të rëndësishme dhe si President i Republikës do të veproj konform Kushtetutës dhe kompetencave e përgjegjësive politike, ligjore e publike ndaj kësaj çështjeje.
Marrëdhëniet me Greqinë janë shumë të rëndësishme dhe trajtimi i tyre me transparencë, gjithëpërfshirje dhe konform Kushtetutës, ligjeve ndërkombëtare dhe interesave reciproke të të dy vendeve do të kontribuonte pozitivisht për një progres të tyre, më të fortë, të qëndrueshëm dhe të dëshiruar nga të gjithë“,- shkruan Presidenti në adresën e tij në Facebook.