Masakër në Mat, tre të vrarë dhe një i plagosur
Një masakër e vërtetë ajo që ka ndodhur sot në fshatin Shëlli në Macukull të Matit. Ka shkuar në tre numri i personave që kanë ndërruar jetë nga sulmi me armë që nisi për motive të dobëta.
Kujtim Koxha, banor i fshatit Shëlli, 51 vjeç pas një konflikti me punonjësit e Bashkisë së Matit që po punonin për hapjen e një rruge në fshat i ka qëlluar ata më automatik teksa ishin duke ngrënë drekën, në një lokal. Viktimat janë; Mentor Hoxha, Erzen Aliaj dhe Hamit Buci. Mentor Hoxha ka ndërruar jetë në vendin ku ndodhi sulmi. Erzen Alijaj ndërroi jetë gjatë transportimit për në Tiranë me helikopter, ndërsa Hamit Buci në spitalin e traumës në Tiranë. Ndërkohë një person tjetër është i plagosur dhe po merr ndihmën mjekësore në Tiranë. Ende nuk ka të dhëna zyrtare për gjendjen e tij shëndetësore.
Policia arriti të arrestojë disa minuta pas ngjarjes 51-vjeçarin, Kujtim Koxha. Ngjarja ndodhi rreth orës 14:00.
Personat që u qëlluan me armë po punonin për hapjen e një rruge në këtë fshat. “Dyshohet se autori është konfliktuar më parë me punonjësit e Bashkisë dhe më pas është larguar e ka marrë armën automatik dhe ka qëlluar në drejtim të tyre, në një lokal ku po hanin drekë”,- thanë burime të policisë për “Koha Jonë”. Ndërkohë kryetari i Bashkisë së Matit Nezir Rizvani deklaroi se ka dyshime se autori i vrasjeve ka qenë i dehur dhe ngjarje nuk ka lidhje me punën që po kryenin punonjësit e bashkisë.
Policia ka sekuestruar armën e krimit, ndërkohë që është ngritur një grup i posaçëm hetimi me ekspert të Policisë nga Drejtoria Vendore e Policisë Dibër. Për arrestimin e autorit u vunë në ndjekje rreth 40 forca policie. Ai u arrestua i pa armatosur disa kilometra larg vendit ku kreu krimin.
Ngjarja e Matit është më e rënda e javëve të fundit në vend. Gjatë këtij viti ka pasur më pak ngjarje kriminale, por ndryshe nga herët e tjera rastet kanë qenë me më shumë viktima. Më e rënda është ajo e Selenicës ku u vranë tetë persona.
https://www.facebook.com/kohajone/videos/241710433164674/
VIDEO/Pamje nga vendi ku ndodhi vrasja
Masakra në Mat, kreu i Bashkisë: Më thanë “na vranë në bukë”
Kryetari i Bashkisë së Matit Nezir Rizvani ka folur për ngjarjen e rëndë të ndodhur sot në fshatin Shëlli, ku tre persona u vranë me automatik nga 51-vjeçari Kujtim Koxha. Në një prononcim për “News24”, Rizvani tregoi për telefonatën e fundit me brigadierin, një prej personave të përfshirë në ngjarje.
“Për ngjarjen më njoftoi brigadieri në telefon. Brigadieri më tha që ‘na vranë duke ngrënë bukë’. Konflikti nuk ka ndodhur për hapjen e rrugës. Sipas dëshmitarëve, autori ka qenë i dehur”, ka thënë Rizvani.
Mentor Hoxha, Hamit Buçi dhe Erzen Alija u vranë më automatik nga Kujtim Koxha ndërsa ishin ulur në një lokal të fshatit për të ngrënë drekë. Dy orë pas krimit policia arrestoi autorin e dyshuar. I plagosur nga ngjarja ka mbetur gjithashtu Astrit Hani.
Video/Pamje nga arrestimi i autorit të vrasjeve
Tre punonjësit e vrarë ditën e sotme shpallen “Nderi i Bashkisë Mat”
Këshilli i Bashkisë Mat i mbledhur sot, pas ngjarjes së rëndë të ndodhur në fshatin “Shlli” me 3 të vdekur dhe 1 të plagosur, i shpalli tre punonjësit e vrarë “Nderi i Bashkisë Mat”.
“Ju drejtohemi së pari familjarëve për tju shprehur dhimbjen e sinqertë për humbjen e të dashurve Tuaj duke ju përcjellë ngushëllimet me besimin në forcën Tuaj për përballimin e kësaj humbje të madhe.
Dënojmë kolegjialisht aktin kriminal të ndodhur ndaj punonjësve të Bashkisë Mat të rënë në krye të detyrës si dhe inkurajojmë të gjithë punonjësit e Bashkisë Mat në kryerjen e detyrës së tyre pa u lëkundur ndaj këtyre fenomeneve. Në të njëjtën kohë ju bëjmë thirrje organeve ligjzbatuese për zbardhjen e këtij akti kriminal dhe ndëshkimin e autorëve.
Këshilli i Bashkisë Mat në mënyrë unanime vendosi për të rënët dhënien e titujve të nderit ‘Nderi i Bashkisë Mat’ për rënien në krye të detyrë. Këshilli i Bashkisë Mat vendosi dhe uljen e flamurit Bashkiak në gjysmë shtizë”,thuhet në deklaratën e Këshillit të Bashkisë Mat.