Masat kundër terrorizmit. Mbyllet tuneli i Elbasanit. Kalimi nga Durrësi
Policia e Shtetit ka vijuar edhe sot me marrjen e masave ekstreme të sigurisë për ndeshjen Shqipëri-Izrael, që do të luhet në nesër “Elbasan Arena”.
Nga frika e akteve terroriste mësohet se është mbyllur edhe tuneli, ndërsa kalimi nga Elbasani drejt Tiranës bëhet vetëm duke i rënë nga aksi Peqin-Rrogozhinë-Kavajë-Durrës.
Sipas njoftimit të policisë, “më datat 11 dhe 12 Nëntor do të këtë kufizime të shpeshta të lëvizjes në drejtim të Elbasanit dhe anasjelltas për shkak të bllokimit të tunelit. Lëvizja për në Elbasan dhe anasjelltas gjatë këtyre dy ditëve të realizohet nga Durrësi”.
Ky devijim i lëvizjes pritet të sjellë jo pak kaos në qarkullimin e automjeteve. Shërbimi sekret izraelit dhe mbi 2 mijë forca policore shqiptare janë në “Elbasan Arena” për të siguruar mbarëvajtjen e ndeshjes.
Ndërkohë gjatë ditës së sotme është vënë re një prani e madhe e forcave policore në Elbasan. Sipas burimeve nga policia janë rreth 2000 agjentë që do të sigurojnë zonën e stadiumit, por edhe hyrje dhe daljet e qytetit të Elbasanit.
Media të ndryshme raportojnë se ka një numër të madhe agjentësh civilë, të cilët janë pjesë e shërbimeve të sigurisë së Izraelit.
Policia e Shtetit ka publikuar një pjesë të masave të marra. Sipas njoftimit të Policisë, gjithë repartet elitë të forcave të rendit janë në terren. Mësohet se do të angazhohen reparti Special RENEA, FNSH-të, Drejtoria e Policisë Rrugore, Drejtoria e Antiterrorit, Forca e Posaçme Operacionale si dhe Drejtoritë Vendore të Policisë në Qarqe.
“Duke vlerësuar rëndësinë e kësaj ndeshje ndërkombëtare, si dhe problematikat e evidentuara gjatë zhvillimit të ndeshjeve të futbollit të mëparshme, strukturat e Policisë së Shtetit janë angazhuar maksimalisht, ku është bërë një planifikim i plotë i masave për të garantuar rendin sigurinë para, gjatë dhe pas përfundimit të ndeshjes së futbollit. Për garantimin e rendit dhe sigurisë para, gjatë dhe pas përfundimit të aktivitetit sportiv, do të angazhohen rreth 2.000 forca policore dhe konkretisht: Reparti Special RENEA, F.N.SH-të, Drejtoria e Policisë Rrugore, Drejtoria e Antiterrorit, Forca e Posaçme Operacionale si dhe Drejtoritë Vendore të Policisë në Qarqe”,- njoftoi Policia e Shtetit.
[youtube url=”https://www.youtube.com/watch?v=PNOIaOTxjis” width=”560″ height=”315″]
Blindohet Tirana– Masat kanë filluar të zbatohen që prej mbrëmjes së djeshme me mbërritjen e Ekipit të Futbollit të Izraelit në Rinas, ku është bërë shoqërimi pa asnjë problem nga Rinasi në Hotel “Plaza”.
Ndërkohë kontrolli i tifozëve do të kryet këtë herë më procedurë të veccnatë. Kontrollet si dhe garantimi i sigurisë në ambientet e brendshme të stadiumit do realizohen nga Forcat e Lëvizshme Operacionale në Policinë e Shtetit. Kontrolli fizik i tifozëve para hyrjes në stadium do bëhet nga FNSH, disa orë para nisjes së ndeshjes. Në portat e hyrjes për në stadium do bëhet nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë me mbështetje të FNSH-së.
Sipas njoftimi të policisë, tifozët që kanë blerë bileta për të ndjekur në stadium këtë ndeshje duhet të paraqiten 4 orë përpara fillimit të ndeshjes, me qëllim shmangien e radhëve dhe konfuzionit gjatë check in-it të biletës.
Gjithashtu, policia ka publikuar dhe listën e sendeve të ndaluara në stadium. Nuk do të lejohen të mbajnë me vete gjatë hyrjes për në stadium, monedha metalike, çelësa, fishekzjarr, kapsolla, flakadanë, flamuj me shkopinj, shishe uji me tapë, si dhe çadra, por vetëm mbulesa prej plastmasi në rast shiu.
Nuk do lejohen të futen në stadium banderola me parrulla raciste dhe politike. Të gjitha parkimet përreth stadiumit si dhe anës rrugës kryesore në qytetin e Elbasanit do të boshatisen. Si dhe do mbyllen të gjitha lokalet përreth stadiumit 8 orë përpara fillimit të aktivitetit.