Skandali/ Mashtrimi me pronat, Prokuroria gati fletë-arrestet
-Ish-kryetari, anëtarët e Këshillit Shtetëror të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, si dhe familja Shijaku përballë hetimit për një megaskandal.
-Burime nga organi i akuzës tregojnë se hetimi do të kap deri te ish-ministra dhe zyrtarë të lartë shtetrorë duke i bërë shembull publik për cilindo që ka “shpërdoruar detyrën” dhe kryer fallsifikime.
Babëzia me pronat duket se do t’i kushtojë rëndë ish-kryetarit dhe anëtarëve të Këshillit Shtetëror të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, si dhe familjes Shijaku. Gazeta posedon dokumentin e plotë të kallëzimit penal të depozituar në Prokurori nga ATP, ku ish-drejtuesit dhe familja Shijaku akuzohen si tjetërsues të pronës në bregdet. Bëhet fjalë për një sipërfaqe të madhe toke, e cila sipas ATP-së i është kthyer padrejtësisht familjes Shijaku. Në dokument renditen disa shkelje të rënda, nga kthimi i një toke të dhënë tashmë nga shteti për 99 vjet me qira, deri të falsifikimi i dokumenteve për të përfituar një tokë që nuk i takon.
Dokumenti sqaron që në fillim se “bashkëpronarëve Shijaku u është njohur pronësia dhe kthyer një pronë e cila krijon mbivendosje me pronën e dhënë me qira nga shteti shqiptar për një periudhë 99 vjet shoqërisë “Mac Albania”. Pra, qartësisht në shkelje, pasi kthehet një tokë nga një institucion shtetëror kundër një institucioni tjetër shtetëror.
Por, ka edhe më. Në vitin 2006, KSHKKP i dërgon një shkresë Hipotekës së Kavajës për regjistrimin e pronës në emër të familjes Shijaku. Pas hetimit, del se “Vendimi është dërguar për regjistrim nga KSHKKP, pa iu dhënë forma e prerë dhe në kundërshtim me nenin 27 të rregullores së Komitetit Shtetëror të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave”.
Nga ana tjetër, hetimi zbulon se shqyrtimi i kërkesës së familjes Shijaku është i mangët dhe jo në përputhje me ligjet e kohës. Komiteti ka kërkuar konfirmim, duke përdorur hartën e sjellë nga pronari. “Për këtë zonë, Komiteti nuk ka kërkuar konfirmime të tjera nga institucionet e treta, kjo në kundërshtim me udhëzimin datë 15.03.2005”, thuhet në dokumentin e akuzës.
Por ajo që është më e frikshme, duket afërsia e pronës me detin. Sipas dokumentit, prona e cila pretendon familja Shijaku, nuk ka lidhje fare me detin. “Për sa i përket dokumentacionit hartografik, duke iu referuar kufijve të pronave të cituara në fletët e regjistrit, vërejmë se në asnjë rast, asnjë nga kufijtë nuk ka të cituar bregun e detit (por ka si kufij emra pronarësh, rrugë, hendek), ku ndërkohë pozicionimi i pronës së njohur është bërë në breg të detit… Gjithashtu, referuar pozicionimit hedhur në hartën e vjetër të vitit 1938, konstatojmë se ka ndryshim të zërit kadastral, nga tokë bujqësore dhe livadh (sipas dokumentit të origjinës së pronësisë) në ranishte, sipas pozicionimit të pronës së njohur”. Kjo është vetëm një pjesë e kallëzimit të ATP-së, e cila në fund konkludon:
“Nga faktet e mësipërme rezulton përgjegjësia dhe për kryetarin dhe anëtarët e KSHKKP, pasi me veprimet e kryera gjatë ushtrimit të funksioneve publike kanë kryer veprën penale të shpërdorimit të detyrës, të parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal. Për këtë arsye, ju drejtohemi për fillimin e ndjekjes penale ndaj tyre.
Gjithashtu, rezulton përgjegjësia penale edhe për trashëgimtarët ligjorë të bashkëpronarëve Nexhmije dhe Jonuz Shijaku (që kanë përgatitur dokumentacionin), për veprën penale “Pastrim të produkteve të veprës penale”, parashikuar nga neni 287 i Kodit Penal, si përfitues i pronës në mënyrë të padrejtë nga vendimet e mësipërme, produkt të veprës penale”.
Prangat janë në tavolinën e kryeprokurorit për këtë urdi fallsifikatorësh, sipas drejtores së Përgjithshme të ATP, zj. Sonila Qato, të cilët kanë mashtruar, fallsifikuar, shpërdoruar detyrën,etj. Informacionet tregojnë se nga muaji janar do të ketë edhe ish-zyrtarë të lartë, të cilët do rrëfehen se pse i kanë kryer këto veprime si dhe cili ish-ministër fshihet pas tyre. Kur shikon derën e burgut në këtë të ftohtë të akullt edhe gjuha fillon e tregon se pse janë kryer shkeljet e ligjit në rastin në fjalë. Dhe tregon emra, shkresa, mashtrimet,etj.