“Me bandën në pushtet duhet të sillemi me përballje dhe siç meriton një bandë!”

Intervistë për KOHA JONE e kryetarit të Partisë Demokristiane Shqiptare, Nard Ndoka.

Pyetje 1: A mendoni se PD dhe Basha po vonojnë pak si shumë në firmosjen e koalicionit dhe formulës së tij me partitë reale opozitare, përballë Ramës?

Nard Ndoka: Në fakt, Opozita e Bashkuar ka një marrëveshje bashkëpunimi në parim, ka filluar një aksion opozitar dhe kemi dy vite që jemi në fushatë, takime me qytetarët, grupet në nevojë dhe strukturat tona politike. Grupet e ekspertëve po punojnë për hartimin e një programi minimal dhe për projektin e formes si do dalim në zgjedhje, në një koalicion si opozitë apo në dy koalicione.

Pyetje 2: Nëse Basha nuk jep përgjigje brenda nëntorit si do veproni?

Basha e ka dhënë përgjigjen në parim, është i hapur dhe i gatshem të bashkëpunojë, si Opozitë e Bashkuar, me një ose dy koalicione, në varesi të maksimalizimit të votave. Jemi duke pritur edhe përgjigjen e Venecias, mbi kërkesen që Presidenti i Republikes ka dërguar mbi problemet antikushtetuese të Kodit Zgjedhor.

Pyetje 3: A mendoni se Oligarket e Ramës po fusin kandidatë për deputet në listat e opozitës, që ti kenë nesër pro Ramës?

Nuk besoj se kjo do të ndodhë, për faktin, se opozita ka një strategji të qartë edhe mbi bizneset e lidhura me qeverinë, mbi aferat korruptive, me koncesionet e PPP-të. Padiskutim që kandidatët duhet të kalojnë në filtra kontrolli edhe në nivele politike, si Opozitë e Bashkuar. Partia Demokristiane e Shqipërisë është në proçesin përfundimtar të percaktimit të 140 kandidatëve për deputet në të gjithë vendin, të cilët do të funksionojnë si trupë zgjedhore.

Pyetje 4: Kur përballë ndodhet një regjim e jo një pushtet a duhet që opozita të jetë unike dhe për përballje me të gjitha format shqiptaro-demokratike?

Unë e shikoj përballjen politike me mazhorancen aktuale, shumë problematike. Edi Rama ka bërë çdo gjë për të përmbysur rregullat e lojes, jemi pa Gjykatë Kushtetuese dhe kjo është nje garë pa asnjë garanci dhe siguri kushtetuese. Jemi përballë faktit të kryer me një Kod Zgjedhor të miratuar në mënyrë të njëanshme dhe pa konsensus, dhe ky fakt na ka futur që sot në një fushë të minuar. Pushteti lokal kontrollohet 100% nga rilindja, rast unikal që nga diktatura, ky fakt deformon garen në terren dhe krijon një frymë anti shtet. Korrupsioni i lartë, kultivimi i droges, grupet kriminale, janë aleatët legal të Rilindjes dhe Edi Rames, dhe ky është një fenomen i rrezikshëm më të cilin jemi perballur dhe kemi humbur zgjedhjet katër vite më parë. Të gjitha këto problematika i kemi përpara dhe përballë, jemi të vetëdijshëm për këto fenomene antidemokratike, por edhe të ndergjegjesuar se nuk ka asnjë justifikim për Opoziten e Bashkuar, as për Liderin e Opozites, kandidatin për Kryeminister Z. Lulzim Basha. I takon këtij të gjejë format dhe mënyrat, të harmonizojë taktikat elektorale, programore, stafet politike, trupen zgjedhore, kandidatët, komisionerët dhe çdo mekanizem për të realizuar fitoren e Opozitës dhe garantuar rrotacionin e pushtetit. Unë besoj fort, se Opozita i ka mundësitë dhe kapacitet e duhura për tu përballur me këtë bandë në pushtet më të gjitha format dhe mënyrat që një bandë meriton që të largohet nga pushteti!

SHKARKO APP