Me maska apo pa maska, regjimet rrëzohen me popull në Bulevard

Shqipëria dhe gjithë bota po përballet me pandeminë e koronavirusit dhe problem kryesor shëndeti i qytetarëve dhe ekonomia, ndërsa vetëm qeveria “Rama” e ka mendjen gjetkë. Për mazhorancën aktuale problem nuk është virusi, por si të shtrijë pushtetin në gjithë hallkat e shoqërisë dhe mundësisht të ketë në xhep dhe fitoren e zgjedhjeve të radhës. Sigurisht, kërkon një fitore në tavolinë dhe me proces të manipuluar që në nisje. Pjesë e kësaj skeme ishte mbledhja e djeshme e Komisionit të Reformës zgjedhore mes Damian Gjiknurit dhe Rudina Hajdarit. Mbledhja u shit në media si një diskutim i frytshëm për të miratuar ndryshimet në Kodin Zgjedhor. Ndërkohë opozita reale nuk ishte ftuar dhe në takim morën pjesë dy deputetë të Kuvendit, që në thelb kanë të njëjtat qëndrime dhe në fund votojnë njëlloj. Takimet mes deputetëve të këtij parlamenti jo legjitim, mund të jenë të dobishme për dietat e mbledhjeve të Parlamentit, por nuk sjellin ndonjë ndryshim në cilësinë e reformës elektorale. Reforma kërkon kompromis politik të madh sesa ai mes deputetëve që kanë mbetur në Kuvend. PS dhe deputetët pa parti në Kuvend mund të diskutojnë dhe bëjnë sikur debatojnë për çdo gjë, por në fund do votojnë ashtu si kërkon Edi Rama. Ndaj takime të tilla, ku thirren mediat dhe ndonjë ndërkombëtar që bën sikur mban shënime, mund të prodhojnë çdo gjë, por vetëm reformë zgjedhore jo. Që një Kodi i Ri zgjedhor të jetë i pranishëm dhe garanci që zgjedhjet e radhës nuk do jenë të manipuluara që në nisje, duhet çdo dokument të ketë miratimin e Këshillit Politik, ku bën pjesë PD, PS, LSI. Ndërkohë socialistët edhe këtë herë duan që dialogun ta përdorin si fasadë për ndërkombëtarët dhe në fund të kalojnë një dokument që është vetëm në interesin e tyre. Justifikimi ndaj ndërkombëtarëve për këtë manipulim është se ftuam opozitën reale, por ata bojkotuan dhe nuk erdhën. Ndërkohë që e vërteta është krejt ndryshe. Opozita reale që është pjesë e Këshillit Politik i ka dorëzuar PS variantin e saj për reformën zgjedhore prej disa muajsh. Dokumenti që bazohet në rekomandimet e OSBE/ODIHR është në zyrën e Edi Ramës dhe PS duhet t’i pranojë ose ti rrëzojë. Cilido të jetë vendimi, në të dyja rastet, ky do ishte qëndrim i logjikshëm. Ajo që është anormale është sjella aktuale e PS-së, që jo vetëm kërkon një reformë të hartuar siç do vetë ajo, por do që edhe opozitën reale ta nxjerrë jashtë këtij procesi me argumentin se “nuk duan të vijnë në takim”. Nëse qeveria pranon variantin e opozitës për reformën dhe e miraton në Këshillin Politik, më pas votimi në Kuvend është diçka proceduriale që nuk ka shumë rëndësi sesi bëhen votat dhe është problem i PS. Problemi që duhet të zgjidhë qeveria, nëse realisht kërkon normalitet politik është si të arrijë konsensusin me opozitën reale në Këshillin Politik.
Deklaratat e djeshme të PS dhe Damian Gjiknurit për gjasme bojkotin e opozitës dhe se “PS e miraton vet reformën”, më shumë se qëndrime politike janë ftesë për sherr politik. Qeverisë i intereson gjullurdia dhe në fund miratimi i variantit të saj. Në fakt, e vërteta është se që nga nisja e pandemisë në muajin prill, Këshilli Politik i përbërë nga PS, PD, LSI nuk është mbledhur, jo për faj të opozitës reale. Ndryshimet në Kodin Elektoral nuk do t’i zgjidhin problemet që kanë zgjedhjet në Shqipëri. Por hartimi i kësaj reforme është një nga kushtet për negociatat që ka vendosur Bashkimi Europian dhe një nga kushtet e Bundestagut. Opozita e ka bërë pjesën e saj të lëshimeve duke pranuar të ulet me qeverinë. Tashmë është në dorën e Edi Ramës të tregojë nëse u bindet vërtetë ndërkombëtarëve dhe nëse kërkon stabilitet politik. Edhe pas provokimit të djeshëm të PS me mbledhjet ilegale për reformën, opozita bëri ftesën e radhës. Përfaqësuesit e PD dhe LSI, Oerd Bylykbashi dhe Petrit Vasili, në një letër publike kërkuan mbledhjen urgjente të Këshillit Politik. Pjesë e kërkesës është dhe afati që reforma kaq e debatueshme të mbyllet brenda datës 31 maj. Damian Gjiknuri pranoi takimin, por mbetet të shihet se çfarë ka në mendje Edi Rama.
Opozita nëse nuk gjen dakortësi nga Kryeministri për Reformën Zgjedhore dhe nëse qeveria do ta miratojë atë vetëm me pazarin me deputetët e “opozitës së re”, atëhere opozita nuk ka se çfarë pret më; duhet të thërrasë popullin me maska dhe pa maska për t’u përballur në Bulevard me Beun e Surrelit.
M.Xhani

SHKARKO APP