Mediat maqedonase: Si është e mundur që numri 100 del më i vogël se 20 ?!

Ajo çfarë arritën partitë shqiptare në Maqedoni mbetet historike. Ato dolën mbi interesat partiake dhe vendosen në emër të shqiptarëve. Partitë shqiptare në Maqedoni kanë bërë një hap të madh duke u ulur në një tavolinë për të rregulluar gjendjen e qytetarëve shqiptarë në këtë shtet duke e hartuar një platformë të përbashkët dhe kjo nuk ju pëlqen mediave në gjuhën maqedone, shkruan Telegrafi Maqedoni.

Portali mkd.mk e ka filluar shkrimin e saj për këtë temë me pyetjen: ”Si është e mundur që 100-sha të jetë më e vogël se 20-sha?” duke aluduar në numrin e deputetëve shqiptarë(20) dhe maqedonas(100).

I njëjti portal thotë ”Qeveria e re do të varet nga dëshira e 20 deputetëve e jo nga shumica. Që të ketë jetëgjatësi kjo qeveri duhet të përmbush kushtet si: dygjuhësia në të gjithë territorin e Maqedonisë, kryetari i Kuvendit të jetë në mesin e atyre 20 deputetëve dhe vendimet e rëndësishme për shtetin të sillen nga ata 20 deputetë.” përcjell Telegrafi Maqedoni.

Media tjetër, Republika, që vlerësohet si mashë e pushtetit të OBRM-PDUKM-së e ka vlerësuar këtë marrëveshje si sulmuese ndaj himnit, stemës dhe flamurit të Maqedonisë.

 Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta përshëndet deklaratën e përbashkët të Partive Politike shqiptare në Republikën e Maqedonisë. 

Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta përshëndet deklaratën e përbashkët të Partive Politike shqiptare në Republikën e Maqedonisë dhe angazhimin e tyre për të ndërtuar një platformë të përbashkët politike në shërbim të prosperitetit dhe stabilitetit afatgjatë të Maqedonisë.

Kryetari i Kuvendit, Meta mirëpriti dakortësinë dhe vendosmërinë e tyre për zbatimin e përpiktë të Marrëveshjes së Ohrit dhe respektimin e të drejtave të plota kushtetuese e rolit shtet-formues të shqiptarëve në Republikën e Maqedonisë. Meta mendon se fryma e kësaj marrëveshjeje është një ogur i mirë që tregon për përgjegjshmërinë në rritje të faktorit politik shqiptar ndaj çështjeve me rëndësi kombëtare e rajonale dhe beson se kjo marrëveshje do të ndikojë pozitivisht edhe në marrëdhëniet ndëretnike në Republikën e Maqedonisë.

Kryetari i Kuvendit është i bindur se ky akt i rëndësishëm politik është një gur i rëndësishëm për integrimin e Maqedonisë në NATO dhe në Bashkimin Evropian.

Kryetari Meta inkurajon Partitë Politike shqiptare në Republikën e Maqedonisë të respektojnë dhe të zbatojnë seriozisht këtë marrëveshje, të rëndësishme jo vetëm për shqiptarët e Maqedonisë, por për të gjithë faktorin shqiptar në rajon dhe për të ardhmen e tij euroatlantike.

Njoftime të fundit nga Maqedonia: Nuk pranohen kushtet e partive shqiptare

Platforma e përbashkët e partive shqiptare e cila u bë publike dje, ka tronditur jo pak opinionin maqedonas por edhe partitë e bllokut atje, ndërkohë që mediat maqedonase janë munduar që me çdo shkas ta sulmojnë atë, informon Zhurnal.

Me këtë platformë, obligohen që secila parti shqiptare e cila do bëhet pjesë e ekzekutivit të përmbahet marrëveshjes dhe të zbatojë me përpikmëri të gjitha pikat e saj në të mirë të shqiptarëve.

Ndonëse nesër pritet që presidenti i vendit Ivanov të ndajë mandatin shumicës parlamentare për formimin e qeverisë, akoma është e paqartë se si do të bëhet koalicioni i ardhëshëm për faktin se fillimisht Ivanov duhet të ndajë mandatin partisë më të madhe që ka fituar mandate në parlament por edhe shumicës parlamentare që ka numrat brenda legjislativit, por nga ky opcion i fundit akoma nuk ka ndonjë të re se kush kë e përkrahë në këtë drejtim.

Megjithatë, Agjencia e lajmeve Zhurnal nga burime mirë të informuara mëson se partia më e madhe maqedonase VMRO e ish kryeministrit Nikolla Gruevski po bëhet gati për opozitë, për faktin se platforma e tyre nuk mund të korespondojë me platformën e nënshkruar nga partitë shqiptare, dhe një pranim i tillë për ta do të ishte tradhëti.

Me këtë, VMRO definitivisht do të shkojë në opozitë ndërsa i ngelet LSDM që të fillojë negociatat për formimin e qeverisë së re e cila do të formohet edhe me partitë shqiptare që kanë fituar shumicën në parlament./ Zhurnal.mk

SHKARKO APP