Mesazhet e Dritan Goxhajt. Protesta ka nevojë për drejtim, përndryshe rrezikon të humbasë kauzën
Protesta para Kryeministrisë nisi si një lëvizje qytetare paqësore, e cila arriti të thyejë frikën, apatinë dhe indiferencën e një pjese të shoqërisë shqiptare. Për më shumë se një muaj, mijëra qytetarë dolën në shesh për të shprehur pakënaqësinë ndaj qeverisë dhe modelit të funksionimit të politikës shqiptare. Ky ishte një zhvillim me rëndësi për jetën demokratike të vendit.
Megjithatë, ngjarjet e ditëve të fundit kanë ngritur pikëpyetje serioze mbi drejtimin që po merr protesta. Përplasjet pranë Parlamentit, ku pati dhunë ndaj efektivëve të policisë, dëmtime të mjeteve dhe tensione mes turmës dhe forcave të rendit, si dhe incidenti i mbrëmshëm pranë Komisariatit nr. 3 në Tiranë, ku një grup protestuesish tentoi të hynte në ambientet e komisariatit duke thyer xhamat, tregojnë se protesta po përballet me një rrezik real radikalizimi.
Në këto raste, policia përdori ujë dhe forcë për të shpërndarë turmën. Pavarësisht debatit që mund të ketë për proporcionalitetin e ndërhyrjes policore, është e qartë se çdo përshkallëzim i dhunës dëmton vetë protestën dhe i largon qytetarët që e mbështesin atë për karakterin e saj paqësor.
Një nga figurat më të njohura të protestës, Dritan Goxhaj, në një intervistë për emisionin “KOHA JONË – DEBAT” të Nikoll Lesit, dha një mesazh të qartë: edhe nëse policia ushtron dhunë, protestuesit nuk duhet të kundërpërgjigjen me dhunë, por të ulen në shesh dhe të ruajnë karakterin paqësor të lëvizjes. Sipas tij, qëllimi nuk është marrja e pushtetit me forcë, por ndryshimi i sistemit politik të krijuar gjatë 35 viteve të fundit.
Po sipas Goxhajt, protesta nuk zhvillohet për të zëvendësuar një elitë me një tjetër, por për të ndryshuar modelin e qeverisjes që, sipas tij, është ndërtuar ndër vite nga Sali Berisha dhe Edi Rama, duke dëmtuar demokracinë dhe shtetin e së drejtës. Ky është një mesazh politik që synon ta dallojë protestën nga praktikat tradicionale të politikës shqiptare.
Megjithatë, krijohet përshtypja se këto mesazhe nuk po respektohen nga të gjithë pjesëmarrësit. Në çdo protestë masive mund të ketë individë ose grupe që veprojnë në mënyrë të pavarur, madje edhe me qasje më radikale. Pa prova konkrete nuk mund të thuhet me siguri nëse bëhet fjalë për infiltrime apo për pjesëmarrës të vetë protestës që zgjedhin rrugën e konfrontimit. Por pasojat janë të njëjta: dhuna rrezikon të errësojë kauzën.
Kjo është arsyeja pse protesta ka nevojë të kalojë në një fazë të re organizimi. Liria e fjalës dhe pjesëmarrja e hapur janë vlera demokratike, por një lëvizje që synon të prodhojë ndryshim politik nuk mund të funksionojë pafundësisht pa strukturë drejtuese. Kur secili flet dhe vepron sipas gjykimit të vet, rreziku i konfuzionit dhe i humbjes së kontrollit bëhet i madh.
Çdo lëvizje serioze qytetare, në një moment të caktuar, duhet të krijojë një komitet drejtues ose përfaqësues të zgjedhur, të cilët të kenë autoritet moral dhe organizativ për të përcaktuar strategjinë, për të komunikuar me publikun dhe për të marrë përgjegjësi për zhvillimet në terren. Vetëm kështu mund të ruhet koherenca e mesazhit dhe të shmangen veprimet që dëmtojnë besueshmërinë e protestës.
Historia ka treguar se protestat paqësore kanë më shumë gjasa të arrijnë objektivat e tyre kur kanë disiplinë, organizim dhe udhëheqje të qartë. Nëse kjo protestë synon vërtet të sjellë një kulturë të re politike, atëherë duhet të dëshmojë se di të organizohet dhe të vetëkontrollohet, duke mos lejuar që aktet e dhunës të zëvendësojnë forcën e argumentit qytetar/S.P./
(20+) Dritan Goxhaj rrëfen të fshehtat e PROTESTËS/… – Gazeta Koha Jone | Facebook
KOHA JONË SONDAZH
Protesta po prodhon edhe dhunë, a jeni dakort me këtë menyrë reragimi?
Results
Vota totale: 4951

