Mesdheu në flakë: Zjarret shkrumbojnë mijëra hektarë, dhjetëra viktima dhe mijëra të evakuuar
Vendet e Mesdheut po përballen me një situatë të jashtëzakonshme emergjence, teksa vatrat e mëdha të zjarreve po djegin mijëra hektarë pyje, po shkatërrojnë banesa dhe po marrin jetë njerëzish e kafshësh. Temperaturat ekstreme, të nxitura nga ndryshimet klimatike, kanë krijuar kushte ideale për përhapjen e flakëve, duke vënë në alarm autoritetet në Turqi, Greqi, Spanjë, Itali, Francë, Qipro dhe Bullgari.
Deri më tani, 24 persona kanë humbur jetën, ndërsa mbi 65.000 banorë janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre. Vetëm në Turqi, që nga muaji qershor janë evakuuar mbi 50.000 persona si pasojë e zjarreve që kanë shkrumbuar zonat e Izmirit dhe rrethinave. Tragjikisht, pesë zjarrfikës dhe pesë anëtarë të ekipeve të shpëtimit kanë humbur jetën në Seyitgazi e Eskişehir.
Në Greqi, një i moshuar ka ndërruar jetë në Keratea, ndërsa mijëra banorë dhe turistë janë evakuuar nga Chios, Kreta, Attica, Evia, Kythira dhe Messenia. Situata mbetet e rëndë edhe në Spanjë, ku një zjarrfikës vullnetar ka humbur jetën gjatë operacioneve në Castile, dhe mbi 5.000 persona janë larguar nga banesat e tyre në Castile y León, Galicia dhe Madrid.
Edhe Italia është goditur rëndë, ku zjarret kanë përfshirë Parkun Kombëtar të Vezuvit në Napoli, duke detyruar evakuimin e turistëve. Autoritetet paralajmërojnë se rreziku mbetet i lartë për shkak të temperaturave të larta dhe erërave të forta, ndërsa ekipet zjarrfikëse punojnë pa ndërprerje për të vënë nën kontroll flakët.
Ekspertët theksojnë se ky valë zjarresh është një paralajmërim i qartë për pasojat e krizës klimatike dhe mungesës së masave parandaluese në rajon.
KOHA JONË SONDAZH

