Meta: Çdo marifet për të prekur votën e shqiptarëve, do ndëshkohet shumë rëndë! Në referendumin e 25 prillit, pjesëmarrje masive kundër kapjes së shtetit
Presidenti Meta në një interviste në Ora News Foli për zgdhjedhjet e 25 prillit dhe deklaroi se: “: Çdo marifet për të prekur votën e shqiptarëve, do ndëshkohet shumë rëndë! Në referendumin e 25 prillit, pjesëmarrje masive kundër kapjes së shtetit”.
Pyetje: Gjatë ditëve të fundit, kryeministri herë pas here bën deklarata nga më të çuditshmet. Deklarata e fundit dje ishte kur e krahasoi veten me një gomar. Bëri një deklaratë tjetër kur tha se jam i gatshëm të sakrifikohem për Shqipërinë duke qëndruar edhe katër vite të tjera në pushtet. Mandatin e tretë tha, nuk do ta kërkoja, sepse do të doja të rrija me familjen, por ma kërkon Shqipëria. Çfarë mendoni?
Presidenti Meta: Nuk do të habitesha po të kërkonte edhe një mandat të 13-të, sepse është e qartë, që nuk e kupton dot jetën e tij pa pushtet, dhe sidomos pa pushtet ndaj të tjerëve.
Kjo mesa duket është një ndër të vetmet kënaqësi të jetës së tij, dhe sigurisht, që flet për një mendësi jashtë realitetit, një mendësi jo demokratike.
Kemi një realitet 8-vjeçar të qeverisjes dhe të përqendrimit të pushteteve në një dorë të vetme dhe rezultatet për fat të keq janë katastrofike.
Janë katastrofike në ekonomi, janë katastrofike në shëndetësi, që u premtua falas dhe të gjithë e dinë sesa falas është sot shëndetësia jonë.
Janë katastrofike në arsim, shikoni të gjitha statistikat mbi 70 % e atyre, që studiojnë në vend, dua të largohen nga Shqipëria. Pra, nuk kanë besim as te aftësitë e tyre për t’i shprehur këtu në vend dhe tek cilësia e arsimit të tyre, po as nuk ja u jep kush këto mundësi. Ne kemi edhe të dhënën tjetër tronditëse, që 94 % e atyre që studiojnë jashtë, nuk dua të kthehen në Shqipëri.
Shpopullimi gjithashtu është një tregues. E kam shprehur dhe më parë, këtu nuk kemi të bëjmë me një largim, por me shpopullim.
Nëse për 1000 mijë banorë, nga Serbia largohet 1 qytetar, nga Shqipëria ikin 12 shqiptarë, nga Bosnja ikin 1, këtu ikin 18 shqiptarë, nga Kosova ikën 1, nga Shqipëria 4.
Ndoshta ai do të donte dhe një mandat, për të përfunduar projektin e plotë të shpopullimit të Shqipërisë, por më duket e pamundur një gjë e tillë.
Pyetje: Të dielën e kaluar në Kosovë u mbajtën zgjedhjet në e parakohshme për Kuvendin. Ishin një palë zgjedhje model, një ditë e qetë votimesh, zgjedhje të lira të pa kontestuara, me një numërim shumë të shpejt, gjë që nuk ndodh në Shqipëri. Po nga ana tjetër ato zgjedhje dëshmuan edhe një arritje tjetër të Kosovës, faktin që votuan rreth 100 mijë persona nga diaspora. Në Shqipëri ka një ngërç, dhe me siguri zgjedhjet e 25 prillit nuk do të garantojnë të shumë premtuarën votë për emigrantët. Pse ne Jo dhe Kosova Po, me vetëm 13 vite shtet?
Presidenti Meta: Kosova ka disa zgjedhje që është një model i zgjidhjes të ngërçeve politike në mënyrë demokratike, duke i’a dhënë mundësinë sovranit të vendosë. Në këtë rast ishte një model i shkëlqyer, për arsye sepse koha në të cilën u mbajtën zgjedhjet nuk ishte e zakonshme. Kishte një pjesëmarrje të lartë në zgjedhje, pavarësisht motit të vështirë dhe pandemisë.
Ajo që është më e rëndësishme është që procesi ishte demokratik dhe i mrekullueshëm. Kjo meritë i shkon popullit të Kosovës, që ka besim tek demokracia dhe vota e lirë.
Merita u shkon edhe përfaqësuesve politikë, që i njohin vijat e kuqe midis pushtetit dhe shtetit, midis ambicieve të tyre për pushtet dhe lirive dhe të drejtave të njeriut.
Dhe që njëkohësisht, vendosën interesin kombëtar dhe shtetëror mbi atë personal dhe partiak.
Kjo gjë nuk ndodh në Shqipëri, sepse këtu politikanët vendosin interesi personal mbi atë kombëtar e shtetëror dhe shpërfillinin të drejtat dhe liritë e qytetarëve.
Natyrisht, që kapja e shtetit ka krijuar gjithë këtë tension të panevojshëm, që sidoqoftë do ta marrë zgjidhjen më 25 prill.
Pyetje: Përveç votës së emigrantëve ka dhe një ngërç tjetër që mund të pengoj shumë qytetarët për të votuar në 25 prill. Fakti i skadimit të kartave të identitetit dhe pasaportave. Një ditë më parë, ka pasur një kërkesë nga opozita e bashkuar, që afati i tyre të shtyhet deri në 30 prill..! A e mbështet këtë kërkesë Presidenti i Republikës?
Presidenti Meta: Unë mbështes çdo kërkesë, që ju mundëson qytetarëve shqiptarë të shprehin vullnetin e tyre në mënyrë të lirë dhe demokratike. Uroj, që askush të mos bëhet pengesë për këtë, pasi, do të ndëshkohet shumë rëndë.
Çdo përpjekje për të cenuar këtë të drejtë me çdo lloj marifeti apo makinacioni, do të rrëzohej shumë qartë nga populli shqiptar dhe nuk do të shpëtonte pa ndëshkim.
Pyetje: Zoti President, Oert Bylykbashi ka bërë një deklaratë ku thotë se: Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim, mund të mos dal me një koalicion, por mund të bashkëpunojnë mbas zgjedhje për formimin e qeverisë për të pasur 71 mandate. Në rast se pas zgjedhjeve të 25 prillit, partia Socialiste ka numrin më të madh të mandateve, por jo aq sa mund të ketë PD dhe LSI, për të formuar koalicionin qeverisës. Ju si President i Republikës, kë do të mandatoni? A e lejon Kushtetuta ..?
Presidenti Meta: Këtu jemi përpara një situate hipotetike dhe mua nuk më takon, që të hyjë në këtë çështje dhe të paragjykoj rezultatet e zgjedhjeve.
Unë do të veproj gjithmonë në respekt të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë.
Kushtetuta është shumë e qartë. Parimet e saj janë aty pavarësisht nga marifetet edhe ndërhyrjet që janë bërë më pas, janë parimet e votuara në referendumin e vitit 1998 për Kushtetutën nga populli shqiptar. Është koha, që populli shqiptar, t’i rikthehet referendumit, që e vendosi edhe në Kushtetutë, po të cilin ja kanë pamundësuar, për ta realizuar në praktikë.
Referendumi i parë duhet të jetë një pjesëmarrje e jashtëzakonshme dhe masive në datën 25 prill dhe më pas duhet të hyjmë në epokën e drejtimi të Shqipërisë, përmes referendumit.
Sikur edhe të gjitha partitë bashkë PD, LSI, PS, Partia Komuniste, Partia e Ballit të bien dakord për të ndryshuar Kushtetutën e Shqipërisë në Parlament, ajo mund të ndryshoj vetëm mbasi të miratohet edhe me referendum nga populli.
Së dyti, ligji për referendum, i cili është i parashikuar shumë qartë në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, duhet të bëj që kjo e drejtë e popullit shqiptar të zbatohet.
Nëse Kuvendi apo Qeveria shqiptare, guxon të tallet me popullin e Shqipërisë dhe të miratojë ligje me emra të veçantë, që vjedhin dhe grabisin taksat e gjithë qytetarëve, atëherë, kjo do të hidhet në referendum nga populli, dhe është e qartë që asnjë qeveri dhe asnjë parlament, nuk do të guxonte të bënte një gjë të tillë, sepse do të gjendej e rrëzuar përtokë.