Meta: Çështja e maturantëve mund të zgjidhet dhe pa ndryshuar ligjin
Lëvizja Socialiste për Integrim ka mbledhur Kryesinë e partisë për të diskutuar mbi problemin maturantëve që nuk kanë hyrë në universitete për shkak të ligjit të ri.
Në fjalën e mbajtur në këtë takim, kreu i LSI-së Ilir Meta shprehu bindjen se situata e problematike e krijuar mund të zgjidhet me konsensus, pa pasur nevojë për ndryshime ligjore.
“Kemi besim që dhe pa bërë ndryshime në ligj mund të ketë zgjidhje. Kjo çështje do të zgjidhet me konsensus dhe bashkëpunim”,- tha Meta.
Kreu i LSI tha se mund të gjenden zgjidhje shumë të mira që respektojnë tre parime kryesore, atë të meritës, të preferencës dhe të transparencës.
Pjesë nga fjala e kreut të LSI:
“E zhvillojmë këtë mbledhje të kryesisë së LSI-së me kërkesë të deputetes Kledi Mehmetaj për të diskutuar me situatën që ka të bëjë me debatin më të fundit të hapur në publik për pranimin në universitete të maturantëve. Ka pasur disa shqetësime.
Qëndrimi ynë besoj ka qenë dhe mbetet i qartë në mbështetje të ligjit të miratuar të arsimit të lartë por gjithmonë duke respektuar frymën e tij me qëllim zgjidhjen e probleme dhe jo krijimin e problemeve për të gjithë të rinjtë, bazuar në meritë, preferencë dhe transparencë.
Nga diskutimet e bëra deri tani edhe me grupet e ish-maturantëve, por edhe me përfaqësues të universiteteve është e qartë se ka nevojë për bashkëpunim më të ngushtë midis Ministrisë së Arsimit dhe universiteteve për të zgjidhur të gjitha shqetësimet e bëra publike në mënyrë që të kemi një situatë shumë më të pranueshme, ku jo vetëm të rinjtë por edhe familjet e tyre të gjejnë më shumë qetësi dhe të jenë më të sigurt për perspektivën e tyre.
Është një fakt që grupi ynë parlamentar në kuadër të diskutimeve për këtë ligj në Parlament, ka ngritur shqetësimet dhe rëndësinë e zbatimit të ligjit për të arritur qëllimet pozitive që kishte ky ligj.
Edhe pa bërë ndryshime në ligj, mund të ketë zgjidhje shumë të mira që të respektojnë tre parimet kryesore; të meritës, të preferencës dhe të transparencës. E dimë që ka qenë problem i madh, por jemi të bindur që me durim dhe dialog dhe bashkëpunim, këto çështje do të zgjidhen në interesin më të mirë të rinjve dhe familjeve të tyre”.
https://www.facebook.com/emiljanoaleks/videos/1162983697120013/