Ilir Meta dhe Shpëtim Idrizi nuk votuan ligjin e plehrave. Çfarë ndodhi?
Ligji për importin e plehrave u miratua në kuvend me 63 vota pro, 27 kundër dhe 4 abstenime. Kreu i LSI-së Ilir Meta nuk ishte në seancë, në momentin e votimit. Po ashtu deputetët e PDIU nuk votuan duke lënë në sallë vetëm deputetët e PS, që e kaluan ligjin vetëm me 63 vota.
Diçka duhet të ketë ndodhur derisa Ilir Meta, kreu i Kuvendit që drejtoi këtë seancë maratonë të projektligjit të plehrave dhe në fund nuk mori pjesë në votim. Fakti që Meta nuk ka votuar duket se ndjeshmëria ndaj reagimit qytetar e ka bindur të mos hedhë votën në këtë akt qeveritar i cili lë shumë dyshime pse u ndërmor 9 muaj para zgjedhjeve parlamentare. Qeveria nuk kontrollon territorin dhe mbetjet në vend e jo më të kontrollojë mbetjet e paketuara të mbeturinave që do të na vijnë nga Europa. Dhe zakonisht mafia europiane përdor shtete të vogla për të transportuar dhe mbuluar mbetjet toksike e kanceroze.
Por dalja e PDIU në momentin e fillimit të votimit të projektligjit të importimit të plehrave tregon se çamët pasi i morën paradite kryeministrit drejtori të rëndësishme në administratë nuk janë të ngopur sepse duan edhe post ministri. Dhe ia gjetën momentin me delikat kur sapo filloi votimi duke mos i bërë numrin 71 apo me shumë deputetë për të treguar se mazhoranca është lëkundur, ndonëse sipas Rregullores tashmë ligji quhet i miratuar sepse ka marrë 50 + 1 përqind të votave të deputetëve të pranishëm dhe se në sallë ishin 71 deputetë nga dy krahët politikë.
Fakti që mazhoranca përfundoi në 63 vota tregon shumë politikisht. Aq me tepër në një votim ku u angazhua personalisht gjithë ditën kryeministri Rama. Kjo që ndodhi i jep mundësi Presidentit të Republikës Bujar Nishani ta kthejë ligjin në Parlament si dhe me pas, nëse e kalon prapë Rama me kaq vota apo edhe pak me shumë vota, lind e drejta që shoqëria civile të mbledhë firma për Referendum popullor. Nëse kalon në Referendum humbet PS-ja e qeveria e saj, pasi asnjë qytetar nuk do mbeturina të Europës këtu, pasi nuk po arrijmë dot të heqim mbeturinat tona,të cilat kanë mbuluar Shqipërinë.
Fakti që Ilir Meta nuk mori pjesë në votimin e projekligjit të shumëdëshiruar të Edi Ramës për importimin e plehrave tregon se LSI ka tjetër vizion për këtë çështje delikate, ndonëse dje paradite Petrit Vasili u mundua të fuste shoqërinë civile në ligj si monitorues apo kontrollues. Por dihet se kur një strukturë gjigande shterore nuk ka mundesi të kontrollojë në dogana plehrat që do vijnë, mbetet utopike se si shoqeria civile mund të kap plehrat toksikë që mund të vijnë nga Europa.
Gjithsesi Meta e dha “votën” për publikun e jo për Ramën. Ndërsa PDIU luajti për çokën e radhës ndaj kryeministrit, sepse përditë po ia marrin drejtoritë PS-së, duke i lenë socialistët pa punë. PDIU erdhi nga PD-ja si koalicion, ndërsa LSI ishte në fushatë sëbashku me PS. Por duket se çamët janë me të zot në pazare. Po marrin nga pak e përditë, duke e zhveshur pjesën e PS-së derisa ta lenë pa “brekë” dhe t’i braktisin në momentin me delikat që mund të vijë për Edi Ramën.
Spiten Prulli