Ilir Meta, i vendosur për Venecian. Rama në dyshim, Basha heziton

Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta ndërpreu vizitën në SHBA për shkak të rinisjes  së konfliktit PS-PD për miratimin e 7 ligjeve të reformës në drejtësi. Fjalimi i parë në publik, pas zhvillimeve të reja, qëlloi të jetë pikërisht në ceremoninë festive për votimin konsensual të 21 korrikut të organizuar nga kreu i komisionit të reformës, Fatmir Xhafaj. Në fjalën e kreut të Kuvendit, ranë në sy dy mesazhe kryesore. Mesazhi i parë ishin falënderimet, ndërsa tjetri apeli drejtuar mazhorancës dhe kryesisht PS-së, për të vijuar me konsensusin e nisur.

Tek falënderimet ra në sy, bile fort, qëndrimi i Metës, ndryshe nga ai i Kryeminsitrit Edi Rama dhe kreut të Komisionit Fatimi Xhafaj. Pala kryeministrore u kujdes të rendiste si kontributorët më të mëdhënj të reformës ekspertët dhe ambasadorët, ndërsa Meta veç mirënjohjes ndaj tyre, u kujtoi se për reformën ka meritë edhe  Komisioni i Venecias, por edhe vetë Partia Demokratike. Mesazhi ishte i qartë. Pra që pa këtë konsensus nuk kishte ç’të bënte, askush.

Meta ishte  ndërkohë dha mirënjohjen për Xhafën, si kryetar komisioni, por nuk harroi të falënderonte dhe nënkryetarin e djathtë, Oerd Bylykbashi. Por mbi të gjitha, Komisioni e Venecias, pa të cilin detajet teknike nuk do kishin sjellë afrimin e qëndrimeve të palëve.

“Një falënderim të veçantë e kam për Kryetarin e reformës, zotit Xhafaj. Një falënderim të veçante e kam edhe për zotin Bylykbashin. Një falënderim të jashtëzakonshëm e kam për Komisionin e Venecias. Nëse do të kisha një fjalë do thosha: ‘Rroftë Venecia, rroftë Konsensusi’. Ne do ta kishim të pamundur që ta bënim mbrëmjen e 21­22 korrikut, nda 21 korriku është domosdoshmëri për të çelur një epokë në vendin tonë, që mbyll tranzicionin e tejzgjatur”,- tha kreu i Kuvendit.

Festës së PS-së nuk ju bashkua Partia Demokratike, e cila në vend të trokitjes së gotave, kërkoi angazhim nga e majta për diskutimin e ligjeve të mbetura. Kreu i Kuvendit, i kujtoi mazhorancës së puna e reformës nuk ka përfunduar ende dhe një luftë e përhershme mazhorancë- opozitë nuk do të sjellë asnjë produkt. “Kjo reformë historike ishte dhe mbetet domosdoshmëri dhe duhet të vazhdojë me konsensus. Konsensus do të thotë stabilitet, dialog politik. Sepse dialog politik do të thotë forcim i institucioneve të së drejtës. Konflikti politik do të thotë më shumë mjegull për të fshehur korrupsionin dhe krimin e organizuar”,- tha Meta.

Por veç komenteve për opozitën, Meta kishte një kërkesë për mazhorancën, duke u kujtuar se një ditë do të jenë në opozitë. Një mesazh që lidhet edhe me zhvillimet e brendshme në koalicionin e majtë. “Kam edhe një mesazh për kolegët e mi të maxhorancës, nuk duhet të harrojmë se dikur kemi qenë në opozitë, nuk duhet të harrojmë se Shqipëria është në demokraci dhe ka dhe rrotacion. Unë e kuptoj kur ndonjëherë opozita kërkon tension, por unë nuk besoj kurrë se është interesi i mazhorancës dhe i qeverisë që t’i përgjigjet me të njëjtën mënyrë. Nuk fitojmë asgjë në rast se opozitën e bëjmë të duket më keq. Pasi kemi interes që të duket më mirë, para BE, SHBA­ve dhe vendeve partnere të rajonit tonë. Dua të theksoj dhe kam një mesazh për kolegët opozitar dhe ata maxhoritar; le të punojmë me politikanët shqiptarë për vendin tonë”,- tha Meta.

Në fjalimin e tij, Meta jo rastësisht bëri disa herë thirrje për vazhdimin e konsensusit. Ky qëndrim vjen pas debateve të fundit për miratimin e 7 ligjeve që janë pjesë e reformës në drejtësi. Dy ditë më parë, PS dhe PD ju rikthyen sherrit për procedurat dhe shtesat në draftet e projekteve. Shenjat janë që deri në datën 11 gusht, mes palëve të mos ketë sërish qetësi. Mungesa e PD-së dje në pritje, por edhe sinjalet e Ramës se rruga e miratimit të ligjeve do të jetë e vështirë, flasin për rikthimin e klimës së konfliktit.

Kryeministri Rama foli duke shigjetuar si PD , po ashtu edhe kreun e Kuvendit. Por jo shumë sa të rrezikonte karriken e vetë kryeministrore. Edhe Rama e ndjen se 11 gushti duhet të përfundojë me konsensus, pasi i duhen edhe 20 votat e LSI.

Ndaj udha për tëk 7 ligjet nuk është e lehtë, porse me rolin e kryeparlamentarit duket se mund të ketë mirëkuptim dhe konsensus.

Megjithatë Edi Rama është i paparashikueshëm. Vetëm ai e di se ç’po kurdis deri me 11 gusht.

Dreqi dhe Rama, këtë radhë janë bashkë!

Spiten Prulli

 

Kronika e asaj që ndodhi të enjten në darkë

Kryetari i Kuvendit Ilir Meta mori pjesë në pritjen e organizuar me rastin e miratimit të projektit kushtetues të reformës në drejtësi.

Në eventin e zhvilluar në Pallatin e Brigadave ishin të pranishëm edhe Kryeministri  Edi Rama, Presidenti i Komisionit të Venecias,  Gianni Buquicchio, anëtarë të Këshillit të Ministrave, deputetë, përfaqësues të trupit diplomatik, përfaqësues të medias, ekspertë vendas e të huaj të angazhuar në këtë proces, etj.Në fjalën e tij përshëndetëse, z. Ilir Meta falënderoi të gjithë ata që kontribuuan për realizimin e kësaj reforme historike dhe shprehu bindjen se konsensusi ishte dhe mbetet domosdoshmëri për të çelur një epokë vërtet të re për vendin tonë për 30 vitet që vijnë.

Kryetari i Kuvendit theksoi se konsensus sjell stabilitet dhe dialogu politik është i domosdoshëm në rrugën drejt zbatimit të reformës në fushën e drejtësisë dhe të gjitha reformat kyçe që kërkon integrimi europian i vendit dhe çelja e negociatave për anëtarësim.

v2

Fjala e plotë e Kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta

Një falënderim të veçantë e kam për Kryetarin e Komisionit të Posaçëm për Reformën në Drejtësi, z. Xhafaj, dhe njëkohësisht përfaqësuesit e mazhorancës në Komision që janë sot këtu me ne, pasi z. Xhafaj ishte edhe iniciatori në emër të Komisionit për këtë event.

Por një falënderim akoma më të veçantë e kam për nënkryetarin e këtij komisioni, z. Bylykbashi dhe për anëtarët opozitarë të këtij komisioni, që në këto momente janë duke punuar me ligjin për vetingun.

Një falënderim të jashtëzakonshëm e kam për Komisionin e Venecias. Nëse unë do të kisha sot dy fjalë që t’i shoqëroja me thirrjen “rroftë” si një herë e një kohë, do të ishte “Rroftë Venecia, rroftë konsensusi”.

Pa këtë angazhim të jashtëzakonshëm të këtij institucioni të gjithëpranuar në të gjithë botën demokratike, dhe në vendin tonë, i cili na bëri një Kushtetutë të shkëlqyer në vitin 1998, të cilën ne politikanët e deformuam rrugës dhe që tani u detyruam ta ribëjmë në mënyrë që të bëjmë një pakt kombëtar për drejtësinë, ne do ta kishim të pamundur të arrinim atë që ndodhi në mesnatën 21-22 korrikut.

Në mesnatën e 21-22 korrikut lindi një dritë shprese për të gjithë shqiptarët, një konsensus i paparë, unanim, i paparashikuar edhe për më optimistin në këtë botë mëngjesin e 21 korrikut.

Ka shumë që e shohin si rastësi, si mrekulli. Jo!

Unë personalisht jam i bindur se konsensusi ishte dhe mbetet domosdoshmëri! Domosdoshmëri për të çelur një epokë vërtet të re për vendin tonë, për 30 vitet që vijnë, që mbyll tranzicionin e tejzgjatur për shkak kryesisht të konfliktit të shfrenuar politik.

Më kujtohet shpesh apeli që bëri 15 vjet më parë në Tiranë ish-presidenti i Komisionit Evropian, Romano Prodi.

Ai nënvizoi tre herë me vendosmëri apelin për “Stabilitet, Stabilitet, Stabilitet”, që Shqipëria të ecte më shpejt për hapjen e negociatave për marrëveshjen e stabilizim asociimit me Bashkimin Evropian.

Për fat të keq, ne politikanët shqiptarë, kush më shumë e kush më pak, nuk e vlerësuam si duhet këtë këshillë, jo vetëm institucionale, por edhe prindërore.

Atëherë Shqipëria ishte ndjeshëm përpara disa vendeve të rajonit, pjesë e ish-Jugosllavisë që kishin dalë nga luftërat dhe ende përjetonin konflikte etnike në drejtim të procesit të integrimit evropian.

Sot për fatin e mirë të këtyre vendeve, por për fatin tonë të keq, Shqipëria është pas tyre në ecurinë e integrimit evropian.

Çfarë e la pas këtyre vendeve të tjera të rajonit vendin tonë në procesin e integrimit evropian gjatë këtyre 15 viteve që kur Romano Prodi me shumë dhembshuri na porositi stabilitet, stabilitet, stabilitet?

Mos na la vallë ndonjë konflikt etnik? Jo, absolutisht! Ne na ka lënë pas, dhe ende na kërcënon si hije të na çojë edhe më pas vetëm konflikti i paprinciptë dhe i shfrenuar politik.

Ndaj kjo reformë kushtetuese, historike, e drejtësisë, që u kurorëzua me një konsensus historik, ishte dhe mbetet domosdoshmëri që duhet të vazhdojë me konsensus.

Jo vetëm për ligjin e vetingut, i pari që duhet miratuar, dhe shtatë ligjet e tjera, por për të 40 ligjet që mbështesin realizimin dhe zbatimin me sukses të kësaj reformë.

Sepse konsensus do të thotë stabilitet, sepse konsensus do të thotë dialog politik, sepse dialog politik do të thotë sukses, jo vetëm për zbatimin e reformës kryesore në fushën e drejtësisë, por për të gjitha reformat kyçe që kërkon integrimi europian i vendit dhe çelja e negociatave për anëtarësim.

Sepse dialog politik do të thotë forcim i institucioneve të pavarura dhe konsolidim i shtetit të së drejtës.

E kundërta, konflikt politik do të thotë dobësim i institucioneve dhe i shtetit të së drejtës.

Do të thotë më shumë mjegull për të fshehur korrupsionin dhe krimin e organizuar, do të thotë papërgjegjshmëri, pandëshkueshmëri, dhe njëkohësisht, pasiguri për të ardhmen.

Unë dëshiroj sot të falënderoj opozitën që u përfshi në këtë proces, dhe siç e përmendi me të drejtë z. Xhafaj, ne vendosëm ta fokusonim këtë reformë në Kuvend pikërisht sepse aty është opozita.

Ajo nuk ndodhet në Ministrinë e Drejtësisë, që gjithashtu mund të lozte një rol kryesor.

E falënderoj opozitën, sepse ndryshe nga gabimi historik që ajo bëri duke zgjedhur mos përfshirjen në realizimin e një reforme tjetër historike të vendit, atë administrative-territoriale, edhe pse me vonesë, ajo u përfshi, dhe sikurse e përmendi dhe me të drejtë edhe Presidenti i Komisionit të Venecias, z. Buquicchio, ka dhënë një kontribut mjaft të rëndësishëm dhe substancial për përmirësimin e drafteve të para.

v3

Është e vërtetë që ata kanë luftuar për të fituar garancitë që u jepte Komisioni i Venecias, dhe unë mund t’ju them edhe juve që edhe unë kam luftuar që opozita të fitonte të drejtën e vetme parimore që sipas saj e mbante larg nga konsensusi, të famshmin rekomandimin 88, vetëm për një arsye, që Shqipëria të fitonte konsensusin e domosdoshëm, dhe me këtë rast e ftoj opozitën të vazhdoj në rrugën e konsensusit në mënyrë konstruktive, në mënyrë racionale, në mënyrë konkrete, sepse në këtë mënyrë i bën nder edhe vetes së saj, por natyrisht jep një kontribut historik për përmbylljen me sukses të një reforme madhore për 30 vitet që vijnë.

Njëkohësisht kam edhe një mesazh për kolegët e mazhorancës.

Nuk duhet të harrojmë se dikur kemi qenë të gjithë në opozitë.

Nuk duhet të harrojmë se Shqipëria është një demokraci e pakthyeshme, ku rotacioni është i pashmangshëm për të gjithë ne dhe një ditë përsëri do të jemi në opozitë.

Unë e kuptoj ndonjëherë kur opozita kërkon tension, por nuk besoj kurrë se është interesi i mazhorancës dhe i qeverisë që t’i përgjigjet me të njëjtën mënyrë.

Nuk fitojmë asgjë në rast se opozitën e detyrojmë të duket më keq, sepse kjo nuk e ndihmon Shqipërinë, për të cilën ne si mazhorancë kemi përgjegjësinë kryesore sot, që të duket më mirë përpara BE-së, përpara NATO-s dhe SHBA-ve, përpara të gjitha vendeve partnere në rajonin tonë.

Njëkohësisht dua të theksoj se kam një mesazh tjetër për koleget opozitarë dhe për kolegët e mazhorancës.

Këtë e kam menduar sot kur po kthehesha në avion nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Le të punojmë ne politikanët shqiptarë për vendin tonë, të paktën për reformën në drejtësi dhe për reformat e tjera kyçe që kanë të bëjnë me rritjen dhe konsolidimin e shtetit tonë si shtet i së drejtës, si një shtet demokratik, si një shtet që ofron siguri për të gjithë gjeneratat dhe sidomos për fëmijët e të gjithë Shqipërisë, siç punojnë dy të huaj për integrimin europian të Shqipërisë, pikërisht si punon Eurodeputeti i majtë, Fleckenstein dhe Eurodeputeti i djathtë, Kukan.

Nuk do ta harroj sa të jetoj kur e kam telefonuar z. Fleckenstein dy ditë para votimit në darkë vonë dhe i kam kërkuar ndjesë që e kam shqetësuar për ta informuar se si po ecnin diskutimet dhe bisedimet.

Dhe më ka thënë që ta merrja në çdo orë të ditës dhe në çdo orë të natës, sepse kjo gjë duhet të përmbyllet patjetër me sukses.

Jo vetëm kaq por më ka thënë, që të nesërmen paradite kishte për katër orë një operacion, “kështu që po pati ndonjë gjë më dërgo mesazh”.

Dhe kjo ndodhte ndërkohë që unë dhe shumë të tjerë shikonim shkëmbime titrash nëpër televizione si të ishin shkëmbime zjarri midis armiqve të përbetuar politikë, kur kërkohej më shumë se kurrë përqendrim për të përmbyllur gjithçka me sukses një punë të jashtëzakonshme të bërë prej dy vjetësh nga ekspertët vendas dhe ndërkombëtarë, nga Komisioni i Venecias, nga Komisioni Europian dhe EURALIUS në mënyrë të veçantë dhe nga OPDAT-i.

Unë dua t’iu them shumë sinqerisht që për Ilir Metën si Kryetari i Kuvendit, nuk ka rëndësi se ku do të jetë pas një viti në zgjedhjet e ardhshme, as pas 10 vjetësh dhe as pas 30 vjetësh.

Për Ilir Metën si shqiptar ka rëndësi ku do të jetë Shqipëria pas 30 vjetësh.

v4

I ftoj të gjithë kolegët e mi që në këtë moment kaq të rëndësishëm dhe historik, kur me votimin e mesnatës së 21-22 korrikut i kemi dhënë një shpresë popullit shqiptar, të ngrihemi në lartësinë e këtij momenti historik.

Kjo është rruga më e mirë për të shlyer çdo gabim që kemi ndaj popullit dhe ndaj vendit tonë gjatë gjithë kësaj periudhe të angazhimit publik.

Ky është detyrimi më i madh që kemi për të ardhmen e vendit tonë dhe të fëmijëve tanë, që të rriten në një vend të së drejtës, në një vend të sigurt.

Gjithashtu, këto ditë kam menduar se spanjollët menjëherë pas vdekjes së Frankos, pas përjetimit të një sistemi diktatorial, në një kohë rekord arritën përmes pakteve të Moncloas, jo vetëm të përmbyllnin plagët e diktaturës, por njëkohësisht të hynin të sigurt në rrugën e demokracisë, të anëtarësoheshin në BE dhe të bëheshin një ndër vendet më të zhvilluara të kontinentit.

Përse ne politikanët shqiptarë pas 26 vitesh demokraci të mos bëjmë të paktën një pakt, paktin e drejtësisë që t’i mbajmë larg duart nga kjo drejtësi që lindi në mesnatën e 21-22 korrikut, që duhet t’i japë shpresë dhe garanci të gjithë qytetarëve shqiptarë dhe në mënyrë të veçantë t’i japë të ardhme të gjithë të rinjve dhe fëmijëve të Shqipërisë.

Me këtë rast nuk mund të rri pa shprehur disa falënderime të veçanta.

Falënderim të veçantë për Ambasadorin Lu për angazhimin dhe për përkushtimin e tij të jashtëzakonshëm dhe të SHBA-ve.

Një falënderim të jashtëzakonshëm për Ndihmës Sekretaren e Shtetit për Europën, znj. Nuland. Ardhja e saj në Shqipëri në një moment kritik, kyç, kur ajo personalisht ndeshet me shumë sfida të tjera, për të na futur në rrugën e konsensusit dhe respekti që ajo tregoi për sovranitetin e vendit ishin një kontribut i veçantë për atë që ne arritëm në mesnatën e 21-22 korrikut.

Dua të falënderoj në mënyrë të veçantë Ambasadoren Vlahutin, për angazhimin dhe përkushtimin e saj të vazhdueshëm. Dua të falënderoj të gjithë personalitetet në Komisionin Europian, nga përfaqësuesja e lartë e BE-së, znj. Mogherini e shumë të tjerë dhe në mënyrë të veçantë komisonerin Hahn për angazhimin e tij personal në 72 orët e fundit për të sqaruar çdo paqartësi lidhur me draftin final dhe për të inkurajuar politikanët shqiptarë që të mbyllnin çdo gjë me sukses dhe me konsensus ashtu sikurse ndodhi.

Dua të falënderoj të gjithë ambasadorët e vendeve të BE-së dhe vendeve anëtare të NATO-s që na kanë mbështetur gjatë kësaj kohe, por edhe gjithë të tjerët.

Ky është një moment i rëndësishëm për vendin tonë, është një moment i rëndësishëm për NATO-n sepse Shqipëria është një faktor shumë i rëndësishëm stabiliteti në të gjithë rajonin, është po kështu për BE-në, por është edhe për fqinjët tanë.

Një falënderim të veçantë e kam për Kryeministrin Rama, iniciatorin e kësaj reforme.

Një falënderim të veçantë e kam për kryetarin e opozitës z. Basha, i cili në dy muajt e fundit bëri përpjekje të lavdërueshme sipas mendimit tim për të ecur në rrugën e duhur sepse rruga e konsensusit është drejtimi i duhur për Shqipërinë e 30 viteve që vijnë.

v6

SHKARKO APP