Meta: Dukej sikur kishim përpara trupa profesioniste, jo gjimnazistë të LRI
Ilir Meta, merr pjesë në shfaqjen e organizuar nga LRI në kuadër të festave të nëntorit
Lëvizja Rinore për Integrim organizoi një shfaqje artistike në kuadër të festave të 28-29 nëntorit të titulluar “UNË dhe TI Talente”. Në këtë aktivitet, që u zhvillua në Qendrën Kulturore të Katedrales Ortodokse në Tiranë, ishin të pranishëm edhe Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim Ilir Meta, Nënkryetarët e LSI-së, Kejdi Mehmetaj dhe Endrit Braimllari, Kryetarja e LRI-së, Floida Kërpaçi, etj.
Në kuadër të festës së pavarësisë dhe të çlirimit, gjimnazistët e LRI-së performuan me këngë dhe valle nga të gjitha krahinat e Shqipërisë si dhe vunë në skenë një shfaqje teatrale.Gjatë aktivitetit, Kryetari i LSI-së Ilir Meta përshëndeti organizatorët dhe përgëzoi të rinjtë për iniciativën dhe talentin e tyre, ndërsa theksoi se kjo rini është e ardhmja e vendit dhe si e tillë duhet bërë gjithçka që ata ta gjejnë veten në Shqipëri.
“Vërtetë ka qenë një mbrëmje shumë e këndshme. Jam shumë i kënaqur për të gjithë këtë art dhe talente që keni treguar sot. Dukej sikur kishim përpara trupa profesioniste, jo gjimnazistë. Të gjithë duhet të jenë të lidhur dhe të pasionuar me kulturën dhe artin, sepse ky është një dimension i jashtëzakonshëm, që edhe e zhvillon një vend, edhe e emancipon atë, dhe kush më mirë se të rinjtë duhet të jetë i lidhur me këtë kulturë dhe me këtë dashuri për vendin. Sepse ata që lexojnë më shumë, ata që e duan më shumë edhe kulturën, pa asnjë diskutim që janë edhe njerëzit që lidhen më fort me vendin dhe ne kemi nevojë ta lidhim rininë më fort me vendin”, – tha Meta.