Ilir Meta: Fuqia e LSI është dialogu. Ne nuk u hedhim benzinë konflikteve

Kryetari i LSI-së, Ilir Meta, mori pjesë në një takim me banorë të Romanatit në Durrës i shoqëruar nga Kryetari i LSI Durrës, Lefter Koka.

Gjatë këtij takimi iu dhanë edhe kartat 400 anëtarëve të rinj në këtë zonë. Kryetari i LSI-së në fjalën e tij tha se ajo që i afron njerëzit te LSI-ja, nuk është thjesht dëshira e LSI-së për të pasur sa më shumë pushtet apo për të pasur pushtetin e vetme, por dëshira e Lëvizjes Socialiste për Integrim për të punuar për njerëzit dhe për t’u kujdesur për ta.

“Fuqia e LSI-së nuk vjen as nga tradita si forcë politike, sepse është një forcë e re. Nuk vjen as thjesht nga përpjekja për t’u imponuar përmes pushtetit. Fuqia e LSI-së vjen nga dashuria dhe përkushtimi i LSI-së për njerëzit, për stabilitetin vendit, për të ardhmen e tij, dhe LSI këtë e ka treguar me prova. Vjen nga përkushtimi i LSI për të qenë jo faktor konfliktualiteti, por faktor bashkëpunimi, dialogu, gjithëpërfshirje dhe

konsensusi për çështjet më të mëdha të vendit”, – u shpreh Kryetari i LSI-së.

Meta tha se LSI më datën 6 nëntor do të marrë pjesë në votime shembullore jo vetëm Kryetarin e LSI-së, por për të zgjedhur edhe 3000 delegatët e saj në të gjithë vendin, të cilët do të japin një kontribut vendimtar për katër vitet që vijnë për forcimin e mëtejshëm të LSI-së dhe që do të bëjnë çdo gjë që LSI-ja të njihet si partia që mban fjalën.

“Kjo është shumë e rëndësishme, sepse politika është marrëdhënie dhe politika është çështje besimi. Ka një rënie të besimit në tërësi te politika, por nuk ka rënie besimi te Lëvizja Socialiste për Integrim. Sepse ne përpiqemi të jemi gjithmonë në marrëdhënie të vazhdueshme me anëtarët tanë, me simpatizantët, me qytetarët. Ne nuk i hedhim benzinë konfliktit politik nga i cili ka vuajtur vendi për kaq kohë. Përkundrazi, ne përpiqemi të vëmë theksin te bashkëpunimi që duhet, te dialogu që duhet, te domosdoshmëria që reformat të jenë të qëndrueshme dhe afatgjata, jo thjesht për t’i shërbyer një mazhorance apo tjetrës. Sepse në këtë mënyrë forcohet stabiliteti i vendit, forcohen institucionet e tij, forcohet besueshmëria e tij dhe njëkohësisht forcohet besimi tek e ardhmja e të rinjve në vendin tonë”, – theksoi në fjalën e tij  Ilir Meta.

SHKARKO APP