Meta-Juncker: Të gjitha forcat politike kanë të njëjtin synim, integrimin e Shqipërisë në BE
Presidenti i Republikës, Ilir Meta priti sot delegacionin e lartë të Komisionit Europian në Tiranë, kryesuar nga Presidenti i Komisionit, Jean-Claude Juncker, me pjesëmarrjen e Komisionerit për Politikën e Fqinjësisë dhe Negociatat e Zgjerimit, Johannes Hahn.
Presidenti Meta vlerësoi si shumë të rëndësishme dhe inkurajuese këtë vizitë për Shqipërinë. Ai evidentoi faktin se të gjitha forcat politike parlamentare ndajnë të njëjtin synim madhor për integrimin e plotë të Shqipërisë në BE, dhe bashkohen në dëshirën për çeljen sa më parë të negociatave të anëtarësimit.
Kreu i Shtetit shpreson se falë përpjekjeve të përbashkëta, mes Shqipërisë dhe Komisionit Europian, vendet anëtare do të binden për çeljen e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë gjatë Presidencës Bullgare, gjatë këtij 6-mujori.
Duke theksuar rëndësinë që ka zbatimi i reformave në 5 prioritetet kyçe, Presidenti Meta vlerësoi se rezultatet janë ato që do të rrisin besueshmërinë si tek qytetarët shqiptarë ashtu edhe tek vendet anëtare të BE-së.
Duke u ndalur tek zhvillimet në Ballkanin Perëndimor, Presidenti Meta, inkurajoi heqjen sa më parë të regjimit të vizave për qytetarët e Kosovës, me besimin se Marrëveshja për Demarkacionin ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi do të përmbyllet së shpejti me sukses.
Presidenti Meta ndau të njëjtën bindje mbi rëndësinë që ka forcimi i rolit stabilizues të Shqipërisë në rajon. Ai siguroi se mbetet konseguent në rolin e tij konstruktiv dhe të dobishëm për përparimin e marrëdhënieve dypalëshe me të gjitha vendet e rajonit, duke nënvizuar rëndësinë që ka frenimi dhe dekurajimi i politikave populiste në dëm të proceseve integruese dhe atyre të paqes në Ballkanin Perëndimor.
Kreu i shtetit Ilir Meta ka shprehur besimin se vendet anëtare të BE do të çelin sa më parë negociatat për anëtarësimin e Shqipërisë në BE.
“Të dashur miq, kënaqësi të takoja sot Presidentin e Komisionit Europian, Jean-Claude Junker dhe Komisionerin Johannes Hahn. U shpreha besimin se konsensusi kombëtar dhe zbatimi i 5 prioriteteve kyçe do të bindin vendet anëtare për çeljen sa më parë të negociatave të anëtarësimit me BE”,- shprehet Presidenti i vendit Ilir Meta, në një postim që ka bërë në Facebook pas takimit me Presidentin Juncker.
Gjatë takimi, Juncker është shprehur se Shqipëria duhet të vazhdojë me reformat dhe të ruajë rolin si vend stabilizues në rajon.
“Hapa të rëndësishëm janë bërë nga Shqipëria, por reformat duhet të vazhdojnë me vendosmëri. Progresi drejt BE mbetet në bazë të meritës, reformave të shpejta që mund të arrihen. Përgjegjësi e përbashkët e të gjitha institucioneve. Pres që vendi juaj të jetë një stabilizues në rajon”, shprehet Juncker në një postim në Twitter.
https://www.facebook.com/ilirmetaj/posts/1679104335469166
VIDEO/Takimi i presidentit Meta me Presidentin e KE
https://www.facebook.com/kohajone/videos/787584254764447/