Meta, komentuesve: Gjatë muajit gusht kam bërë 500 km ecje nëpër male
Video e ngjitjes së Ilir Metës në majën më të lartë të Alpeve shqiptare, mali i Jezercës në majën e tij 2696 metra, tashmë është bërë virale në mediat online dhe rrjetet sociale. Edhe foto në majën e Jezercës.
Por si kudo e për këdo ka komente të ndryshme, edhe nga ato që paguajnë njerëz nga administrata shtetrore e niveleve të larta për të shkruar e komentuar në mënyrë inatçore, sikurse ka shumë e shumë komentues që vlerësojnë këtë veprim reklamues të bukurive natyrore shqiptare nga ana e Presidentit. Saktësojmë se Meta gjithë pushimet verore të gushtit ia kushtoi bukurive të Vermoshit, Plavë-Guci, Bjeshkët e Rugovës dhe Prevallës në Kosovë. I gjithë ku udhëtim ishte reklamë për turizmin dhe natyrën e tokave shqiptare.
Presidenti Ilir Meta është përgjigjur disa komentuesve në facebook, pas ngjitjes së vështirë dhe të rrezikshme në majën e malit të Jezercës, 2696 metra i lartë.
Ilir Meta: I dashur Astrit! Duke ju falenderuar për pyetjen dua t’ju them se siguria ime dhe e grupit tonë ka qenë absolute pasi ky udhëtim u realizua në drejtimin e “Outdoor Kosova”, një grup nga Peja më të njohurit në Ballkan për alpinizëm e hiking. Unë kam qenë në këtë udhëtim anëtari me i disiplinuar i grupit, pasi të gjithë kishim pranuar t’i nënshtroheshim çdo vendimi që do merrte komandanti i grupit tonë Fatos Katallozi. Anëtarët e këtij grupi kishin muaj që përgatiteshin për këtë ngjitje. Unë personalisht për 12 ditë pushime në Prevallë kam bërë mbi 200 km ecje në bjeshkë e në total gjatë gushtit kam realizuar 500 km ecje. Po kështu dhe anetarët e tjerë që e kishin për herë të parë. Pavarësisht nga këto ngjitja ka qenë tepër e vështirë mbi lartesinë 2 mijë metra sepse ishte mjaft e rrezikshme e çdo gabim në vendosjen e këmbës ose dorës mund të ishte fatale. Por në kishim një komandant legjendar e të pagabueshëm si Fatosi. Po kështu kishim me vete Dardan Jubanin që e quajtëm Tarzani i Valbonës që mbante lart moralin dhe humorin e ekipit. Unë do t’i rekomandoja kujtdo që do kërkonte të bënte një ngjitje në Jezercë për të bashkëpunuar me guidat lokale, për të evituar çdo rrezik pasi siguria është e para e pastaj adrenalina.
Ndërsa një tjetër komentues është ankuar Metës se dikur në ato zona shqiptarët ruanin vendin, ndërsa sot të gjithë i kanë harruar këto bukuri dhe se askush nuk kujtohet për banorët e kësaj zone (shih komentin më poshtë)
Në përgjigje, Meta është shprehur se promovimi që Presidenti po kryen në alpet shqiptare nuk është vetëm thjesht turizëm personal, por një thirrje për shqiptarët, që të lënë kafenenë. Meta ka theksuar gjithashtu dhe nevojën që të rinjtë t’i largohen kafeneve, basteve dhe drogës duke zgjedhur natyrën dhe sportet që të fal natyra shqiptare.
Ngjitja e kësaj majë mali, tregon ambasador Qemal Minxhozi i cili shoqëronte presidentin në këtë ngjitje-aventurë, ishte andrenalinë, rrezik jete, por duhej për ti bërë thirrje rinisë dhe qytetarëve se duhet të kthehen bukurive tona natyrore.
I dashur Riza Sinani. Së pari duke ju falenderuar që më ndiqni në facebook lidhur me pyetjen tuaj dua t’ju siguroj se promovimi i maleve tona, në veçanti të alpeve është një prioritet i imi që në fillim të këtij mandati e do vazhdoj deri në fund. Ne jemi ende larg njohjes reale të kësaj pasurie të pabesueshme që kemi e cila duke u mbrojtur me më përgjegjesi se deri tani dhe me disa investime të mençura e aspak të shtrenjta mund ti japë një rritje spektakolare sporteve të aventurës e natyres. Unë besoj se në këtë mënyre jo vetem që malet e luginat tona nuk do zbrazen nga shqiptarët por do kthehen në burim mirëqenie për banorët së pari por edhe për të gjithë e sidomos të rinjtë që duhet ti largojmë sa më shumë nga kafenetë, bastet, droga e veset e tjera. Po kështu përmes këtyre udhëtimeve kam mundësi të takoj dhe shumë banorë të zonave e të kuptoj më mirë problemet e tyre.