Meta-Rama në ditën Çlirimit: Rekomandimi pozitiv vjen nga Reformat
Kryetari i Kuvendit Ilir Meta dhe Kryeministri Rama morën pjesë në homazhet e zhvilluara me rastin e 72-vjetorit të Çlirimit të Shqipërisë në Varrezat e Dëshmorëve. Ilir Meta vendosi një kurorë me lule pranë monumentit “Nënë Shqipëri” në nderim të kujtimit të dëshmorëve që dhanë jetën për çlirimin e atdheut. Po të njëjtën gjë bëri edhe Edi Rama.
Më tej, Kryetari i Kuvendit mori pjesë në ceremoninë e organizuar me rastin e 29 Nëntorit me veteranë të Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare dhe familjarët e dëshmorëve.Në këtë ceremoni, Kryetari i Kuvendit, mbajti edhe një fjalë përshëndetëse ku shprehu vlerësimin për kontributin e dhënë nga veteranët dhe dëshmorët në Luftën Antifashiste Nacional Çlirimtare, duke theksuar se ky nëntor e gjen vendin më afër ëndrrës së tyre për një Shqipëri të çliruar dhe evropiane.
“Është kënaqësi që të ritakohemi këtë 29 Nëntor dhe akoma më kënaqësi të vëmë re se në një vit vendi është edhe më i integruar në Evropën e Bashkuar, në themel të së cilës qëndrojnë vlerat antifashiste të popujve të cilët luftuan për lirinë e vendit të tyre, por edhe për lirinë e mbarë Evropës. Ndaj jemi sot për të nderuar edhe një herë kujtimin e të gjithë atyre që sakrifikuan gjithçka, që dhanë jetën e tyre, që dhanë rininë e tyre, për një Shqipëri të lirë, për një Shqipëri demokratike dhe për një Shqipëri evropiane”, – theksoi Meta.Në vijim të fjalës së tij, Kryetari i Kuvendit vuri theksin tek procesi integrues i vendit në Bashkimin Evropian ku shprehu bindjen se anëtarësimi i vendit në BE plotëson edhe idealin e veteranëve dhe dëshmorëve të atdheut. “Rekomandimi pozitiv i Komisionit Evropian, pas një vlerësimi pozitiv për reformat e ndërmarra në vend për çeljen e negociatave sa më parë të jetë e mundur për anëtarësim, është një tregues i këtij progresi dhe unë jam i bindur se duke vazhduar me këtë rrugë ne e plotësojmë edhe më tej idealin e tyre për Shqipërinë që ëndërruam. Ndaj i përjetshëm kujtimi i heronjve dhe i dëshmorëve të atdheut, jetë të gjatë veteranëve tanë të dashur”, – tha Ilir Meta në fjalën e tij.
Ndërsa me pas në takim me veteranët kryeministri tha se nga reformat jemi një vend më i mirë dhe demokratik.