Meta në Jalë: Bashkëjetësen fetare e kemi ekselente kurse politike, përtokë

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim,Ilir Meta mori pjesë në hapjen së Kampingut e LRI-së në Jalë ose siç quhet ndryshe Akademia Politike Verore e LRI-së, ku marrin pjesë rreth 1500 të rinj nga e gjithë Shqipëria dhe që zhvillohet për të nëntin vit radhazi.

Të pranishëm në aktivitetin e hapjes ishin Ministri i Drejtësisë Ylli Manjani, Ministrja e Integrimit Evropian Klajda Gjosha, deputetë të LSI-së, deputetja e Partisë Socialiste,Arta Dade, Ambasadori i Sllovakisë në Shqipëri,  Milan Cigánik, deputeti i Partisë Social-Demokrate të Suedisë Adnan Dibrani, deputetët e Partisë Socialiste të Portugalisë,  Joao Torres e  Ivan Gonçalves, delegacione me politikanë të rinj të së majtës nga Danimarka, Gjermania, Italia, Portugalia dhe rajoni i Ballkanit, etj.

Në fjalimin e mbajtur në ceremoninë hapëse, Kryetari i LSI-së u shpreh se Evropa ka një përgjegjësi të jashtëzakonshme për të ardhmen e njerëzimit dhe se ne gjithmonë do t’i shërbejmë një Evrope, e cila mbron vlerat dhe parimet e saj. Por sipas z. Meta në radhë të parë ne duhet të kujdesemi që këto vlera e këto parime t’i mbrojmë në shoqërinë tonë të solidaritetit në mënyrë të veçantë.

m10

“Evropa ka pasur dhe ka një përgjegjësi të jashtëzakonshme për të ardhmen e njerëzimit dhe ne padyshim që gjithmonë do t’i shërbejmë një Evrope, e cila mbron vlerat dhe parimet e saj. Por në radhë të parë duhet të kujdesemi që këto vlera e këto parime t’i mbrojmë në shoqërinë tonë të solidaritetit në mënyrë të veçantë, sepse egoizmi dhe individualizmi janë një kërcënim për zhvillimin e drejtë e të qëndrueshëm të shoqërisë sonë, por edhe të shoqërive të tjera përreth nesh. Ndaj theksojmë gjithmonë frymën e kolektivitetit, frymën e solidaritetit, sepse absolutisht që pa solidaritet nuk mund të ketë një të ardhme të sigurt, – tha z. Meta. – Kështu që shpirti i ekipit është vendimtar për një skuadër, për një politikë, edhe për një vend. Unë ju përgëzoj që ju po e zgjeroni këtë frymë ekipi dhe solidariteti që keni me njëri-tjetrin dhe unë shpresoj dhe dëshiroj që ky të kthehet në një fenomen mbarëkombëtar, sepse jemi një vend i vogël për të qenë kaq të përçarë, për ta përjashtuar njëri-tjetrin me kaq dëshirë. Kemi nevojë që të jemi më të bashkuar, kështu do të jemi më të fuqishëm, do të jemi më të respektuar dhe në fund fare duhet të kuptojmë që reformat i bëjmë për veten tonë. Duhet të kuptojmë që Evropën duhet ta ndërtojmë këtu në mënyrë që të bëhemi një pjesë e denjë e Bashkimit Evropian”, – u shpreh Lideri i LSI-së.

Më tej, Kryetari i LSI-së u ndal në fjalimin e tij te çështja e daljes së Britanisë së Madhe nga Bashkimi Evropian dhe te arsyet që çuan në marrjen e këtij vendimi si dhe përgjegjësitë e klasës politike. Z. Meta theksoi se lidershipi britanik bëri që qytetarët të binin viktimë e populizmit, që BE-së si projekt t’i viheshin gjithë ato përgjegjësi që në fakt nuk i takojnë.

m2

“Britania e Madhe doli nga Bashkimi Evropian. Para 20 vjetësh kjo nuk mendohej, por as edhe përpara një viti. Edhe vetë Cameron-i nuk e mendonte, sepse po ta kishte menduar nuk do ta kishte bërë premtimin para zgjedhjeve, që do të shkohej në referendum për të qëndruar apo jo në BE. Jo vetëm ai, por edhe udhëheqësi populist, Nigel Farage, i cili dha dorëheqjen nuk e kishte menduar. Pastaj nuk dinte çfarë të bënte se mendoi që nuk do të fitonte ky variant dhe tha: ‘Dhashë dorëheqjen, sepse arrita ëndrrën time’. Por ky është edhe faji i laburistëve, sepse lidershipi i tyre bëri që qytetarët të binin viktimë e populizmit, që BE-së si projekt t’i viheshin gjithë ato përgjegjësi që në fakt nuk i takojnë BE-së, por i takojnë elitave apo atij që quhet establishmentit politik, që nuk merr vendimet e duhura për t’u kthyer shpresën qytetarëve, se ata janë në vëmendjen e BE-së, ata janë në vëmendjen e qeverive dhe jo thjesht interesat e një grupi shoqëror gjithnjë të kufizuar”, – vijoi Kryetari i LSI-së, teksa foli edhe për zhvillimet në rajonin e Ballkanit, duke nënvizuar se Shqipëria ka mundësi për të pasur një rol më aktiv.

“Ne jemi në një rajon mjaft interesant dhe që do të bëhet akoma edhe më shumë i tillë po të kemi parasysh zhvillimet në Lindjen e Mesme dhe në vendet e Afrikës së Veriut. Dhe kjo është edhe një mundësi për Shqipërinë, për të pasur edhe një rol më aktiv në këtë kohë, ku nuk kemi më përplasje midis perëndimit dhe komunizmit si përpara 30 vjetësh, por kemi një përplasje midis qytetërimit tonë dhe fondamentalizimit, ekstremizmit e terrorizmit. Lindja e Mesme dhe Mesdheu përbëjnë një qendër mjaft të rëndësishme të kësaj bashkëjetese, por dhe të këtyre përplasjeve që kanë ndodhur dhe që mund të ndodhin edhe në të ardhmen”, – tha Kryetari i LSI-së.

Duke folur modelin e bashkëjetesës dhe harmoninë fetare, z. Ilir Meta u shpreh se duhet të jemi të kujdesshëm ta mbrojmë këtë bashkëjetesë nga çdo tendencë për të krijuar konflikte. Kryetari i LSI-së theksoi se problemin më të madh e kemi te bashkëjetesa politike dhe konfliktet e tepërta e të panevojshme politike.

“Ne jemi një model bashkëjetese brenda vendit tonë, i harmonisë fetare, por edhe këtë nuk duhet ta mendojmë se do ta kemi gjithmonë në rast se nuk jemi të kujdesshëm dhe nuk vazhdojmë ta kultivojmë e mbrojmë këtë bashkëjetesë nga çdo tendencë për të krijuar konflikte. Por problemin më të madh e kemi te bashkëjetesa politike, sepse u bënë 26 vjet dhe vendi ende ka një konflikt të tepërt dhe të panevojshëm politik aq më tepër jo për çështjet më substanciale, – tha z. Meta. – Folëm për peshën e Evropës në zhvillimet botërore, që nuk është në rritje dhe në shkëlqim për shumë arsye, por fuqia më e madhe e Evropës në fakt, nuk është as GDP-ja, as fuqia ushtarake. Fuqia më e madhe e Evropës ka qenë në fakt vetë projekti i suksesshëm i integrimit europian, si një projekt jo vetëm për Evropën dhe për vendet tona, që dikur ishin në një sistem totalitar, por si një projekt i vlerësuar, i çmuar dhe i adhuruar dhe nga rajonet e tjera të botës. Dhe ky është një projekt që duhet mbrojtur, është një projekt që duhet ripërtërirë, që duhet dinamizuar”, – tha z. Ilir Meta.

m5

Ndër të tjera në fjalimin e tij, Kryetari i LSI-së nënvizoi se globalizimi është një motiv për të punuar akoma më shumë me fqinjët tanë për të kuptuar se vetëm të bashkuar në politikë dhe në ekonomi, ne do të arrimë të konkurrojmë dhe të përfitojmë më shumë nga globalizimi se sa të vuajmë nga disa pasoja të pashmangshme të tij.

“Globalizimi është një motiv tjetër për të punuar akoma më shumë me të gjithë fqinjët tanë për të kuptuar se vetëm të bashkuar, jo vetëm në politikë, por në ekonomi, ne do të arrimë të konkurrojmë dhe të përfitojmë më shumë nga globalizimi, se sa të vuajmë nga disa pasoja të pashmangshme të tij. Ish-presidenti amerikan, Jimmy Carter ka thënë se ‘në rast se je analfabet s’ka asnjë shans të përfitosh nga globalizimi’. Ndaj, që ne të përfitojmë duhet që të gjithë të rinjtë dhe të rejat e Shqipërisë, të mësojmë më shumë, të përvetësojnë dijet më të fundit në të gjitha fushat, padyshim edhe të teknologjisë, por edhe të jenë krijues dhe të dinë t’i përshtaten realiteteve që ndryshojnë në mënyrë të vazhdueshme. Prandaj, është shumë e rëndësishme të punojmë për një lidership të përgjegjshëm, atdhetar, gjithnjë me këmbë në tokë, i cili kupton dhe ndjen problemet e vendit dhe në radhë të parë të të rinjve, në mënyrë që të kemi një perspektivë të sigurt për vendin tonë. Sepse kohët që po jetojmë janë të vështira”, – deklaroi Kryetari i LSI-së, z. Ilir Meta.

Ndërsa, Kryetarja e Lëvizjes Rinore për Integrim, znj. Floida Kërpaçi shprehu angazhimin për të qëndruar pranë problemeve dhe sfidave të të rinjve.

“Këto pesë ditë janë pesë ditë shumë të shenjta dhe shumë të shtrenjta për ne. Janë pesë ditë ku ne do të qëndrojmë bashkë me njëri-tjetrin, pesë ditë ku do të trajnohemi, do të mësojmë shumë dhe gjithashtu do të ndërtojmë edhe axhendën tonë politike që do të vijojë deri në verën e ardhshme. Sfida më të mëdha na presin. Ne si Lëvizje Rinore për Integrim kemi marrë angazhimin dhe jeni zotuar për të qëndruar pranë problemeve dhe sfidave të të rinjve, të cilat të themi të drejtën, unë si e re, si studente, por jam e bindur edhe ju të gjithë bashkë, miq, i ndjejmë dhe i hasim në përditshmërinë tonë. Dhe padiskutim që ne do të vazhdojmë angazhimin tonë, do të vazhdojmë të jemi më të fortë, do të vazhdojmë të jemi bashkë, të jemi një familje e madhe, një familje ku mbizotëron dashuria, harmonia dhe fryma në grup”, – tha znj. Kërpaçi duke shtuar se secili mund të bëjë gjëra të vogla, por me shumë dashuri. “Kjo është Lëvizja Rinore për Integrim ku secili prej nesh ka dhënë shpirtin, ka dhënë energjinë, ka dhënë frymën në grup dhe ka punuar për të qenë pranë çdo të riu, pranë çdo problemi për të kaluar çdo sfidë së bashku”, – tha znj. Kërpaçi.

Deputetja e PS-së, znj. Arta Dade vlerësoi Lëvizjen Rinore për Integrim si një forum që sjell risi në politikën shqiptare. “Angazhimi në politikë do të thotë përgjegjshmëri, do të thotë seriozitet, do të thotë solidaritet për ne të majtët, dhe padyshim që LRI-ja i ndërthur në vetvete të gjitha vlerat e së majtës moderne evropiane. Ju jeni gjenerata që duhet të punoni edhe për vete, por dhe për gjeneratën që vjen. Pra është Shqipëria e gjeneratës tjetër. Në fakt pikë së pari duhet të jetë Shqipëria e kësaj gjenerate dhe pastaj të punojmë edhe për gjeneratat që vijnë. Unë besoj që vlerat e të rinjve, në mënyrë të veçantë të atyre që janë të angazhuar në politikë, janë padyshim vlerat që na bëjnë me optimizëm për një të ardhme të ndritur të politikës në radhë të parë pa të cilën nuk mund të ketë demokraci, pa të cilën nuk mund të ketë politika zhvillimore”, – tha znj. Dade.

Deputetja Dade u shpreh se shembujt e shkëlqyer në politikën shqiptare nuk mungojnë.

m3

“LRI dhe të gjitha organizatat e tjera duhet pikë së pari të rrisnin kapacitetet dhe të jenë të afta të drejtojnë shtetin, të drejtojnë politikën, të drejtojnë Parlamentin dhe padyshim që do kenë fatin që do të shijojnë anëtarësimin e plotë të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Dhe urojmë që kjo mazhorancë të vazhdojë në të mirë të shqiptarëve dhe në të mirë të integrimeve, jo vetëm evropiane, por edhe rajonale sepse padyshim jo vetëm organizatat rinore, por partitë tona respektive, kanë një rol të jashtëzakonshme për të luajtur në aspektin rajonal dhe të integrimeve në BE. Suksese në shkollë, suksese në kampingun veror”, – tha znj. Dade.

I ftuar në këtë aktivitet ishte dhe deputeti i Partisë Social-Demokrate të Suedisë, z. Adnan Dibrani, i cili falënderoi Kryetarin e LSI-së, z. Ilir Meta për ftesën dhe për këtë organizim. Në fjalën e tij, z. Dibrani theksoi se ëndrrat mund të bëhen realitet dhe për këtë ftoi të rinjtë që të punojnë shumë.

“Ju falënderoj për ftesën dhe mikpritjen si LSI, LRI dhe kryetarit z. Ilir Meta që më ka ftuar. Është hera e parë që vij këtu në Jalë, dhe ndjehem i mrekulluar. Duhet të theksoj se ka gjithë ato gjëra që unë i kam parë në ëndërr, por të jem këtu para jush me origjine shqiptare prej Mitrovice,të këndosh himnin e flamurit, e ndiej veten shumë mirë. Si politikan mundem të flas gjithë ditën, por meqenëse do të flas z. Meta, duhet të them vetëm diçka. Nëse unë si Adnan Dibrani kam mbërritur që të vij këtu, kam ikur si refugjat, kam qenë në vend tjetër, jo në troje tonat, e kam mundur të bëhem deputet ne Suedi, mendoni ju çfarë mund të arrini si e ardhmja e Shqipërisë”, – tha deputeti i Partisë Social-Demokrat të Suedisë, z. Adnan Dibrani.

m4

Duke vlerësuar rolin e z. Meta për vendin, deputeti i Partisë Socialiste të Portugalisë, Joao Torres theksoi se Shqipëria është një vend që ka bukuri të shumta natyrore, por mbi të gjitha ka një organizatë jashtëzakonisht të bukur si LSI.

“Kam privilegjin te jem lideri i politikave rinore në Portugali, rinisë socialiste. Ndihem i nderuar të jem në krye te delegacionit të ardhur këtu për të ndarë vlerat me ju. Por ne jemi gjithashtu këtu për të ndarë vlerat e lirisë, cilësisë dhe integritetit sepse ne duhet ti ndajmë ato në të gjithë Europën, por gjithashtu në të gjithë botën. Kjo është hera ime e parë në Shqipëri, në këtë vend të mrekullueshëm. Shqipëria është vendi që ka bukuri të shumta natyrore, një bregdet dhe njerëz të bukur, por mbi të gjitha ka një organizatë jashtëzakonisht të bukur si LSI. Faleminderit shumë që më ftuat këtu! Faleminderit LSI! Faleminderit z.Meta për gjithçka që po bën për këtë vend. Ju keni miq që ju përkrahin në Portugali dhe mund të na drejtoheni për gjithçka ju nevojitet, në emër të solidaritetit”, – tha deputeti i Partisë Socialiste të Portugalisë, z. Torres.

Në këtë aktivitet mbajti edhe një fjalë përshëndetëse, ambasadori i Republikës së Sllovakisë në Shqipëri, z. Milan Cigánik, i cili theksoi se komuniteti i Bashkimit Europian e përshëndeti miratimin e reformës në drejtësi me konsensus duke e vlerësuar me notat më të larta. “Në fillim të verës, në kryeqytetin e Sllovakisë por dhe në kryeqytetet e vendeve të tjera anëtare të BE, u vlerësua me notat më të larta akti i Parlamentit të Shqipërisë, që pas një pune të gjatë, arriti të kalojë me konsensus të plotë e me unanimitet, reformën në sistemin e drejtësisë. Pas një pune të gjatë, me të gjitha anët e politikës, çdo gjë u mbyll me sukses”, – u shpreh z. Cigánik.

m6

Në vijim të fjalës së tij, ambasadori i slloven theksoi se shpresa për anëtarësim në BE është rritur dhe se duhet bashkëpunim më i ngushtë për t’u bërë pjesë e Bashkimit Europian. “Kur themi se ka shpresë për vendin, duhet thënë se shpresa nuk është e mjaftueshme, por vendi na kërkon të punojmë me përgjegjshmëri, të gjithë së bashku për të përmbushur prioritetet për përmirësimin e vendit dhe për anëtarësimin në Bashkimin Evropian”,- tha z. Cigánik.

m9

Krahas kësaj, z. Cigánik vlerësoi maksimalisht kampingun veror të LRI-së si një nismë që shkëmben eksperiencat mes të rinjve. “Ne ju mbështesim dhe jemi plot optimizëm për të ardhmen e Shqipërisë. Duke parë çfarë ndodh këtu në kampin tuaj, mendoj se për të gjithë ju të rinjtë e LRI që merrni pjesë në këtë kamp veror, kjo është java më e mirë për të mësuar më shumë, për të ndarë eksperienca e për të zhvilluar më tej angazhimin tuaj në përmirësimin e të ardhmes së të rinjve Shqiptare. Rinia është e ardhmja, jo vetëm në këtë vend të shkëlqyer apo në Sllovaki, por në të gjithë botën. E tashmja dhe e ardhmja ju takon juve, ndaj ju urojë suksese në misionin tuaj”,- u shpreh ambasadori i Sllovakisë.

m7

SHKARKO APP